Ndërlidhjet

Maqedoni: Edhe këtë vit me tekste shkollore fyese


Ilustrim
Ilustrim
Nxënësit shqiptarë të shkollave fillore dhe të mesme në Maqedoni, edhe këtë vit do të mësojnë nga tekstet shkollore që fyejnë identitetin e tyre kombëtar, por që janë të mbushura edhe me gabime tjera, si gjuhësore, ashtu edhe përmbajtjesore.

Gabimet apo fyerjet, në veçanti, janë të pranishme në tekstet e Historisë dhe Gjeografisë, ku flitet për prejardhjen e shqiptarëve. Në këto tekste thuhet se shqiptarët janë ardhacakë dhe njerëz të zbritur nga mali, ndërsa në tekstet e Muzikës dhe të Artit figurativ,është anashkaluar thuajse në tërësi kultura shqiptare, duke detyruar nxënësit që të mësojnë për kulturën e popujve të tjerë, por jo edhe për personalitetet e njohura të muzikës dhe artit shqiptar.

Gabime, me ose pa qëllim, janë bërë edhe në raport me shtetet fqinje. Maqedonia, sipas tekstit të Gjeografisë, nuk kufizohet me Kosovën, por me Serbinë.

Pavarësisht alarmit të dhënë, deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë për t’i përmirësuar këto gabime dhe fyerje të rënda. Kjo ka bërë që Skënder Asani të japë dorëheqje të parevokuseshme nga cilësia e anëtarit të Komisionit Qendror për tekstet shkollore.

“Unë, në mbledhjen e parë e paraqita këtë problem pasi ishte momenti që këto tekste mësimore të pësojnë ndryshime, që të shkruhen në mënyrë reale. Por, për fat të keq, hasa në kundërshtime në atë komision dhe u detyrova të jap dorëheqje, pasi u pa që atëherë se ky komision nuk do të vendosë për ndryshimin e teksteve mësimore dhe, ja, kemi ardhur në situatë që edhe këtë vit të mësohet nga tekstet e vjetra, në të cilat ka tendenca për fyerjen e popullit shqiptar, paragjykime dhe elemente joshkencore”, thotë Asani.

Nga Ministria e Arsimit pranojnë ekzistimin e problemit, por në disa paraqitje ministri Pançe Kralev, ka thënë se është normale të ketë gabime, pasi raste të tilla janë të pranishme edhe në shtetet më të zhvilluara.

Ai ka thënë se po punohet për evitimin e gabimeve. Për nevojën e ndryshimit në veçanti të teksteve të Historisë, flet edhe zëvendësministri Safet Nezimi, duke bërë thirrje për largimin e politikës nga çështjet arsimore.

“Mendoj se është momenti që një herë e përgjithmonë të mos përzihet politika në drejtim të përgatitjes së teksteve shkollore. Por, të bëhet një politikë konstruktive për afirmimin dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët për të bërë një histori që edhe fëmija shqiptarë edhe ai maqedonas, turk, vlleh dhe boshnjak, të mësojë një histori të përbashkët, sepse jemi shtet multi-etnik”, thekson Neziri.

Nga ana tjetër, Skënder Asani, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë, thotë se nga kjo situatë mund të dilet vetëm me formimin e një komisioni të veçantë, në të cilin pala shqiptare do të përfaqësohej me tre anëtarë: një nga Katedra e Historisë e Universitetit të Tetovës, nga Institutit i Trashëgimisë Kulturore të shqiptarëve dhe një nga Shoqata e Historianëve.

Sipas Asanit, përmirësimi i teksteve shkollore ka rëndësi të madhe për forcimin e bashkëjetesës, pasi është koha e fundit, siç thotë ai, që dy komunitetet të mësojnë historinë e njëri-tjetrit.

“Duhet që të bëhet një komision, dhe pa paragjykime e në mënyrë reale të shkruajë historinë, pasi nëse nxënësi maqedonas nuk e njeh historinë dhe të kaluarën e shqiptarëve dhe nëse ai vazhdon të mësojë nga tekstet mësimore se shqiptarët kanë ardhur nga malet apo nga diku tjetër, atëherë ai do të rritet me paragjykime dhe do të jetë çështje kohe se kur mundë të shpërthejë ndonjë konflikt”, përfundon Asani.
XS
SM
MD
LG