E martë, shtator 02, 2014 Kosova 16:05

Shëndetësi

Kërkesat në rritje për operacione plastike

Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kirurgjia plastike, e cila funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk merret me operacione plastike, meqë ajo merret  me trauma dhe lëndime, sidomos në repartin e djegieve.

Kjo klinikë është qendër referente për gjithë  Kosovën, andaj mundësitë për shërbime estetike janë të vogla.



Këtë e thotë kirurgia estetike, Violeta Zatriqi, për Radion Evropa e Lirë.

Por kërkesat për të bërë operacione plastike dita ditës po rriten. Sipas doktoreshës Zatriqi, e vetmja derë për këto intervenime mbeten ordinancat private.

Operacionet estetike nuk kanë mundësi të realizohen në QKUK, për shkak të mungesës së hapësirës. Aty kemi vetëm 4 dhoma dhe numri i patologjive që  trajtohen aty është  tejet i madh. Ne kemi startuar të punojmë në klinikë private menjëherë pas luftës, pasi që këto operacione nuk mund të realizohen në klinika publike”, bën të ditur Zatriqi.

Edita Sejdiu është studente e fakultetit ekonomik.

Ajo thotë se ka qenë ëndërr e saj e kamotshme të rregulloj hundën e saj estetikisht, meqë siç thotë ajo, nuk i ka pëlqyer forma që ka pasur. Ajo është operuar në njërën nga klinikat private në Prishtinë, dhe është shumë e lumtur me pamjen e saj të re.

Gjithmonë kam dashur ta operoj hundën. Prindërit kanë qenë ata që e kanë kundërshtuar një intervenim të tillë. Por, me insistimin tim, e kam arritur ta realizoj dëshirën, dhe jam operuar për ta rregulluar estetikisht hundën time. Jam shumë e lumtur me pamjen time tash”.

Ndërkaq, Lirim Ukimeraj, otorinolaringolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i personave që kërkojnë operacione plastike për veshët dhe hundën është çdo ditë në rritje.

Unë merrem me operacione estetike të hundës dhe veshëve. Për 12 vjetët e fundit mund të them se ka tendenca të rritjes”.

Ukimeraj  shton se sa i përket çmimit, për të intervenuar estetikisht, ai është më i liri në rajon. Sipas tij, një operacion i hundës kushton nga 850 deri në 1 mijë euro, derisa thotë se në rajon e më gjerë, një operacion i tillë është 10 fish më i shtrenjtë.

IlustrimIlustrim
x
Ilustrim
Ilustrim
Sa i përket çmimit, ne jemi më të lirët në rajon. Nuk shkojnë në proporcion me çmimet e rajonit. Për vendin tonë mund të konsiderohen të shtrenjta,  por në  raport me vendet tjera, dallimi është 10 fish më i madh. Nëse te ne kushton 800 euro një operacion i hundës,  jashtë vendit kushton 8 mijë euro”, shprehet Ukimeraj.

Edhe Arlinda, 26 vjeçare, ka preferuar ta operojë hundën e saj. Ajo pas intervenimit plastik, ndjehet shumë mirë, dhe është e kënaqur me pamjen e saj.

Kam vendosur të bëj operacion hundën, për shkak të një deviacioni që e kam pasur, dhe për shkak të pamjes, normal për estetikë. Më ka kushtuar operacioni 850 euro”.

Sipas doktoreshës  Zatriqi, edhe  fryrja e buzëve, ajo e mollëzave të fytyrës, rritja e gjoksit, heqja e dhjamit, po preferohen shumë nga kosovarët viteve të fundit.

Çmimet janë të kapshme për standardin kosovar. Janë çmime normale, duke i pasur parasysh që janë operacione estetike. Çmimet sillen nga 500 deri në 1 mijë e 500 euro”.

Sidoqoftë, ata të cilët dëshirojnë t’i nënshtrohen një operacioni plastik, duhet të jenë mbi 18 vjeçarë, me përjashtim të operacionit për palosjen e veshëve, i cili mund të aplikohet nga mosha 6-vjeçare.

Personat të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike nuk mund t’u nënshtrohen operacioneve të tilla.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : kosovarja 123 Prej : france
05.09.2012 15:03
i nderuari doctor,operacioni i hndes ne franc kushton jo ma shum se 450 euro,me tegitha seancat para dhe mas operimi.ket mund te dokumentoj.ne kosov nuk vidhet pacienti po plaqkitet edhe at ne menyren me te keqe nga mjeket,per ket kam edhe fakte,
me respekt kosovarja franc