E shtunë, gusht 23, 2014 Kosova 15:22

Shtypi botëror

Wall Street Journal: Gazpromi kundër Komisionit

Gazprom...
Gazprom...
Hetimi i Komisionit Evropian ndaj Gazpromit është ekstremisht serioz për kompaninë ruse të Gazit, që kontrollohet nga qeveria. Ky nuk është një hetim i vogël burokratik.

Hetimet bëhen nga Drejtorati i Përgjithshëm për Konkurrencë i Komisionit Evropian.

Siç e di kompania Microsoft, ky drejtorat nuk tërhiqet lehtë dhe nuk synon të humbë, shkruan e përditshmja Wall Street Journal.

Në fakt, Drejtorati i Përgjithshëm i Konkurrencës nuk e ka humbur asnjë rast lidhur me abuzim të autorizimit para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, prej se rregullat e garës së barabartë ekonomike në Bashkimin Evropian kanë hyrë në fuqi në vitin 1958.

Komisioni nuk e fillon hetimin, derisa të mos ketë siguruar sasi të rëndësishme të provave.

Sipas gazetës, këto prova, me gjasë, janë siguruar nga bastisja e kapaciteteve të Gazpromit në Republikën Çeke dhe Gjermani, në shtator të vitit 2011, pastaj nga ankesat dhe nga monitorimi i zgjeruar i tregut nga ana e vetë komisionit.

Fokusi fillestar i hetimit ndaj Gazpromit ka të bëjë me tri çështje.

E para është dyshimi për pengimin e rrjedhjes së lirë të gazit nga tregjet e ndara. Ky shqetësim, me gjasë të mëdha, është i mbështetur në shfrytëzimin e klauzolave të kaluara të destinimit nga ana e  kompanisë, që e kufizojnë shtijen e sërishme të gazit të saj.

Çfarëdo klauzole e këtillë për “jo shitje të sërishme” në kontratat e furnizimit me gaz, ka efekt të ndarjes së tregut të vetëm dhe për këtë është ilegale në Bashkimin Evropian, shkruan Wall Street Journal.

Çështja e dytë është se komisioni thotë se Gazpromi “ndoshta e ka parandaluar shumëllojshmërinë e furnizimit me gaz”.

Kjo, sipas gazetës, është në masë të madhe referencë për hapat, që ka mund t’i ndërmarrë për të mos lejuar qasjen në sistemin e gypave të saj për furnizuesit nga pala e tretë.

Kjo mund të jetë edhe referencë për përpjekjet për pengimin e ndërtimit të kapaciteteve të tjera të gazit, përfshirë gazin natyral në gjendje të lëngët dhe gazsjellësit alternativ.

Megjithatë, elementi më kërcënues, tash për tash, i hetimit të komisionit është çështja e tretë: lidhja ndërmjet çmimeve të gazit dhe naftës në kontratat afatgjate të Gazpromit, që zyrtarët rus i kanë mbrojtur në mënyrën më të fuqishme.

Moska ka shqetësime se duke pasur parasysh likuiditetin e tregjeve moderne të gazit, në sajë të lulëzimit të gazit me origjinë argjilore dhe rritjes së prodhimit të gazit natyror në gjendje të lëngët, çfarëdo kthese madhore në lidhjen nafta-gazi do t’i rrezikonte të ardhurat e Gazpromit, shkruan Wall Street Journal.

Shkatërrimi i lidhjes naftë-gaz, qartas, do ta shkatërronte modelin biznesor të Gazpromit.

Përgjigjja fillestare e kompanisë në Komisionin Evropian thekson se është e regjistruar jashtë Bashkimit Evropian dhe është “organizatë strategjike e administruar nga qeveria”.

Kjo, me gjasë, nuk do të arrijë kurrfarë zbutjeje në Bruksel. Për aq kohë sa Gazpromi tregton brenda BE-së dhe shet gaz, është subjekt i legjislacionit të BE-së.

Qasja më e mirë e Gazpromit do të jetë synimi i arritjes së marrëveshjes private për mospengim të konkurrencës.

Mbrojtja e fuqishme mund të jetë heroike, por përfundimisht do të tregohet e kotë. Mund t’i bëni pyetje Bill Gejtsit, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Wall Street Journal.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum