Ndërlidhjet

Propaganda pengon Zyrën në veri të Mitrovicës


Ndërtesa e Zyres Administrative
Ndërtesa e Zyres Administrative
Shtrirja e autoritetit të institucioneve të Kosovës në pjesën veriore ishte dhe mbetet një qëllim në letër, por në praktikë është treguar ende si një mision i pamundur.

Një gjendje e tillë, sipas deklaratave të zyrtarëve në Prishtinë, vjen si rrjedhojë e rezistencës politike të strukturave të serbeve të atjeshëm të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar.

Një hap drejt shtrirjes së këtij autoriteti në veri është formimi i komunës së Mitrovicës së veriut. Me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, formimi i kësaj komune të banuar me shumicë serbe tani i mbetet detyrë dhe sfidë qeverisë së Kosovës.

Në veri të Mitrovicës, i vetmi institucion i formuar nga qeveria e që funksionon sado pak, është Zyra Administrative e udhëhequr nga Adriana Hoxhiq.

Kjo Zyrë, është menduar nga Qeveria në Prishtinë që të jetë themeli i komunës së re të Mitrovicës së veriut, e cila aktualisht ka të punësuar 52 veta, kryesisht nga veriu i qytetit. Hoxhiq thotë se qëllimi i Zyrës është që t’u ofroj shërbimet e nevojshme qytetarëve të kësaj komune.

Kryesisht vijnë njerëz që kërkojnë punë, apo disa që interesohen se si të regjistrojnë bizneset e tyre si dhe ka të atillë që vijnë për regjistrimin e organizatave joqeveritare”, thotë Hoxhiq.

Nga dita në ditë, vijon ajo, shtohet numri i njerëzve që i drejtohen kësaj Zyre.

Kemi dhjetëra raste që trajtojmë brenda një dite”, tregon ajo. Kurse i përgënjeshtron të gjitha deklaratat se për kryerjen e shërbimeve, qytetarët do të duhet të kenë orientime politike.

Ne nuk insistojmë nga cilido qytetar të përkrahë ndonjë opsion politik apo të distancohet nga bashkëpunimi me ndonjë institucion në veri, pasi që ky është një rast për secilin qytetar që të bëhet pjesë e vendimmarrjes në këtë komunë”, thotë Hoxhiq, duke shtuar se viktime e këtyre propagandave kanë qenë pikërisht qytetarët.

Ndërkohë, qytetarët serb shprehin mendime të ndryshme në lidhje me bashkëpunimin e tyre me këtë zyrë. Disa prej tyre, bashkëpunimin me Zyrën Administrative e shohin si pranim të shtetit të Kosovës.

Në këso institucione mund të punojnë shqiptarët, boshnjakët, por nuk i shoh serbët që mund të punojnë aty pasi që ne ende funksionojmë normalisht sipas ligjeve të Serbisë dhe nuk kemi nevojë për institucione të tilla të një komune të paqenë”, thotë ky banor i veriut të Mitrovicës me emrin, Marko Bullajiq.

Por, gjendja e rëndë ekonomike dhe mungesa e zgjidhjes së problemeve të banimit shpesh i tejkalon bindjen politike të disa qytetarëve të cilët duan që në rend të parë të kenë një strehë mbi kokë dhe të mos varen përjetësisht nga deklaratat premtuese që u vijnë nga shteti i Serbisë.

Tomisllav Vuçkoviq, deri në vitin 2009, ka jetuar në ndërtesën e Sindikatës, por e cila ishte rrënuar dhe akoma nuk e ka të zgjidhur çështjen e banimit. Në një gjendje të tillë, ai thotë se do t’i drejtohet edhe shefes së Zyrës Administrative, Adriana Hoxhiq, për ndihmë.

Mungesa e pranisë së institucioneve të Kosovës në veri dhe ndikimi që kanë strukturat e Serbisë atje, besohet se është një nga indikatorët që banorët serb të veriut refuzojnë organet e shtetit të Kosovës.

Strukturat e atjeshme serbe besojnë që në një proces të ardhshëm bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, çështja e veriut të trajtohet në veçanti nga i cili proces presin se do të përfitojnë edhe politikisht.

Kurse ka edhe mendime se kjo pjesë do të mund të funksiononte ndaras nga Kosova apo me ndonjë status të veçantë.
XS
SM
MD
LG