Ndërlidhjet

Dita e Shëndetit Mendor: Depresioni, sfida më serioze


Ilustrim
Ilustrim
Sipas hulumtimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në botë, më shumë se 350 milionë njerëz vuajnë nga depresioni, duke përfshirë gjitha moshat.

Më shumë se 1 milion njerëz kryejnë vetëvrasje në botë, dhe kjo sipas OBSH-së, ndërlidhet me depresionin.

Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, temë ka qenë depresioni. Edhe Kosova këtë ditë e ka shënuar me rritje të numrit të personave që vuajnë nga depresioni.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka bërë të ditur se Dita Ndërkombëtare e Shëndetit Mendor, Kosovën e gjen në një gjendje të mirë, në njërën anë me numër të shtuar të psikiatërve, në shërbimin e resurseve të familjes, me fillimin e programit të specializimeve të psikologjisë klinike, me fillimin e ndërtimit të institutit të psikologjisë forenzike dhe me përgatitjen e stafit për të, me buxhet të ngritur këtë vit për trajtimin e shëndetit mendor, buxhet i cili arrin vlerën rreth 800 mijë euro për trajtim.

Por, sipas tij, jo edhe me shërbime adekuate për depresionin.

Në përgjithësi shërbimet e shëndetit mendor, Kosovën e paraqesin si një pikë të ndritshme të shëndetësisë kosovare, dhe janë shërbime që janë të organizuara sipas modeleve të OBSH-së, dhe janë shumë më të avancuara se ato të rajonit. Normal, problemet janë të shumta sepse nevojat për këto shërbime janë enorme”.

Por unë nuk dua t’i idealizojë gjërat, ne jemi duke u marrë me raste të rënda, derisa problemet psikologjike, psikiatrike si rregullime të ankthit, neurotike, depresion, ku ka nevojë për shërbime psikoterapie, jemi larg nga standardet evropiane”, bëri të ditur Agani.

Ndërkaq, Skënder Syla udhëheqës i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se Dita Botërore e Shëndetit Mendor është iniciuar që nga viti 1992, nga Federata Botërore e Shëndetit Mendor, dhe shënon 20 vjetorin e kësaj date të rëndësishme.

Kjo ditë, nga OBSH-ja shënohet për të përhapur mesazhin për rëndësinë që ka shëndeti mendor i individëve, që shteti dhe institucionet mund të ofrojnë parandalimin, menaxhimin dhe trajtimin për çrregullime të shëndetit mendor.

Zoti Syla deklaroi se në tërë botën, temë e kësaj dite ka qenë depresioni.

Temë e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor këtë vit është depresioni. Është një barrë e rëndë për shëndetin publik në përgjithësi. Njerëzit që janë të ndikuar nga depresioni, me miliona të tjerë janë të ndikuar në mënyrë të tërthortë, qoftë anëtarët e familjes, pjesëtarët e shoqërisë, etj”.

Ajo që vërehet në dekadat e fundit se depresioni është në rritje dhe një përqindje më e madhe janë femrat. Një apo dy nga dhjetë femra pas lindjes pësojnë shenja të depresionit, andaj qasja në trajtimi duhet të jetë multi-sektorale, që shenjat e depresionit të njihen edhe nga të tjerët, e jo vetëm nga njerëzit që merren me këtë çështje”, u shpreh Syla.

Sipas zotit Syla, depresioni mund të identifikohet herët nga profesionistët shëndetësorë, si nga mjekët dhe infermierët, dhe të trajtohet në mënyrë efektive dhe t’i kthehen jetës së tyre normale, pa pasur nevojë për hospitalizim.

Përfshirja aktive e personit dhe familjes në trajtimin e personit me depresion është shumë e rëndësishme , dhe këto janë fakte që janë mbledhur në studimet e ndryshme nga OBSH-ja.

Më shumë se gjysma e njerëzve që vuajnë nga depresioni, në pjesën më të madhe të botës, marrin trajtimin e duhur. Domethënë, pavarësisht se mund të evidentohet, në shumë vende të botës evidenca tregon se ka një hendek në trajtimin e duhur në këtë degë. OBSH është e inkurajuar me lëvizjet e bëra në Kosovë në këtë lëmi”, tha Syla.

Sidoqoftë, neuropsikiatrikët në vend thonë se në Qendrën Klinike Universitare çdo ditë trajtohen rreth 80 raste të personave me probleme të shëndetit mendor.

Sipas tyre, kjo është mjaft shqetësuese dhe rritja e numrit të personave me çrregullime mendore, ka rritur edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë viteve të fundit.
XS
SM
MD
LG