Ndërlidhjet

Akuza e kundërakuza për abuzim me buxhetin


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partive në pushtet dhe atyre në opozitë kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakauza të ashpra lidhur me shpenzimin e fondeve publike.

Deputetët nga radhët e partive opozitare kanë thënë se si në nivelin qendror, ashtu edhe në ata lokal, ka keqpërdorime të mëdha të buxheti të Kosovës.

Iniciuesja e këtij debati, Alma Lama, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, në fjalën e saj ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për shpërblime të kompanive të ndryshme që më herët i ka shfrytëzuar për fushatë elektorale.



Ajo, po ashtu, ka thënë se korrupsioni mbetet problemi numër një për sa i përket sundimit të ligjit në vend, dhe se buxheti i Kosovës nga ana e Qeverisë së vendit, po shfrytëzohet në kundërshtim me ligjin.

“Buxheti i Kosovës shfrytëzohet në kundërshtime me ligjin, me logjikën klienteliste, ndërkohë që qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetojnë në varfëri të thellë”, ka thënë Lama.

Po nga ky subjekt politik, shefi i Grupit Parlamentar, Visar Ymeri. ka thënë se keqpërdorimet më të mëdha të buxhetit të Kosovës bëhen nga kreu i ekzekutivit.

“Kryeministri, natyrisht, e injoron këtë debat. A e dini se pse ai e injoron këtë debat? Nuk është se veç ai është përgjegjës për financat publike që dihet botërisht. Ai e injoron këtë debat edhe për një arsye tjetër, për shkak se përfitimet kryesore që i kanë pasur nga kompanitë, i kanë pasur nga Korporata Energjetike e Kosovës. A e dini ju kush ka qenë shef i prokurimit në KEK? Njazi Thaçi. A e dini pse e ka mbiemrin Thaçi? Se është kushëri i kryeministrit Thaçi”, është shprehur Ymeri.

Kurse, Ali Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka theksuar se në vitin e kaluar janë bërë shumë auditime të financave publike, ku janë vërejtur shumë shkelje të rënda. Siç është shprehur ai, gjendja është alarmante.

“Vetëm në një rast kemi gjetur se ka respektuar rregullat e trajtimit të pasurisë së disponuar. Në të gjitha rastet tjera ka pasur shkelje, mosregjistrimi, etj. Disa herë ne e kemi diskutuar edhe rastin e RTK-së edhe të disa bordeve dhe disa ministrive. Është gjendje alarmante, dhe pse e heshtë këtë thesari, pse nuk ngreh trajtim? Ligji disponues është i mjaftueshëm po ai nuk po zbatohet”, ka theksuar Sadriu.

Nga ana tjetër, deputeti Ramiz Lladrovci nga PDK-ja, ka hedhur poshtë pohimet e deputetëve opozitarë, duke thënë se shpenzimet e parasë publike janë të rregulluara me kornizën ligjore, që, sipas tij, përcakton qartë mandatet dhe përgjegjësitë e organizatave buxhetore në menaxhimin e fondeve publike.

“Në Kosovë janë të krijuara institucionet dhe mekanizmat e kontrollit të shpenzimeve publike, siç janë auditimi i brendshëm dhe zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Ministria e Financave bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike, rregullisht paraqet në baza periodike, raportin financiar të buxhetit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Lladrovci.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka thënë se pa u dënuar njerëzit që kanë vjedhur, nuk mund të ndryshohet gjendja në Kosovë. Ai, po ashtu, ka theksuar se të gjithë ata që kanë vjedhur paranë publike, duhet të shkojnë prapa grilave.

Ardian Gjini
Ardian Gjini
“Aleanca mendon se pa u ndërruar njerëzit që kanë vjedhur, nuk kemi gjasa as teorike ta luftojmë korrupsionin afatgjatë. Nëse vetëm edhe një njeri që dëshmohet se ka dëmtuar buxhetin, ose ka abuzuar me pushtetin, nuk dënohet, vetëm një nuk dënohet krejt të tjerët duhet lënë të shkojnë në shtëpi”, është shprehur Gjini.

Debati i së mërkurës ka zgjatur rreth tri orë. Në fund të debatit deputetja Lama ka propozuar disa rekomandime. Ndër to ishte që Auditori i Përgjithshëm t’i auditojë tenderët në mënyrë të detajuar, të kërkohet nga organi shqyrtues, si prokurimi, raport në lidhje me rastet kur auditor konstaton shkelje në tenderë.

Si dhe rekomandimi tjetër ishte që KQZ-ja të iniciojë procedura ndëshkimore për subjektet politike, të cilat nuk raportojnë në mënyrë të rregullt.

Këto rekomandime dolën në votim: për votuan 28, kurse kundër 35.
XS
SM
MD
LG