E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 05:02

Shëndetësi

Numër i konsiderueshëm i mjekëve specialistë

Ilustrim
Ilustrim
Qendrat e Mjekësisë Familjare tashmë kanë numër të konsiderueshëm me mjekë specialistë familjarë.

Avdullah  Hoti, drejtor i Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare, deklaron se tashmë në Qendrat e Mjekësisë Familjare janë 761 të punësuar, janë 15 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe 15 ambulanca periferike.

Sipas Hotit, këto qendra ofrojnë ndihmë mjekësore për rreth 5 mijë pacientë, për 24 orë.

“Që nga viti 2000 janë bërë përparime të konsiderueshme në aspektin e profilizimit të kuadrove, si dhe shkollimit të tyre. Sa i përket shkollimit të mjekëve dhe infermierëve qëndrojmë më së miri në rajon”, thotë Hoti.

Në konferencën e katërt ndërkombëtare që është organizuar nga Asociacioni i mjekëve familjarë të Kosovës, në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe nën patronatin e Kuvendit Komunal të Prishtinës, kanë marrë pjesë shumë specialistë të mjekësisë familjare, vendorë e ndërkombëtarë.

Isa Mustafa , kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i konferencës në fjalë është bërë për arsye se specialistët e mjekësisë familjare në vend, kanë nevojë të marrin përvoja me vendet e tjera, në mënyrë që përvojat e mira t’i aplikojnë te pacientët kosovarë.

Ai, gjithashtu, përmend investimet që janë bërë nga komuna në këtë aspekt.

“Ne kemi investuar mjaft shumë viteve të fundit dhe kryesisht investimet kanë pasur të bëjnë në ndërtimin e Qendrave të Mjekësisë Familjare në pjesët rurale dhe ato të qytetit. Kemi arritur të barazojmë standardin e mjekësisë familjare në pjesë rurale dhe të qytetit”.

“Vitin e ardhshëm ne përfundojmë rrjetin e ndërtimeve të qendrave dhe pastaj mbetet që kryesisht të investohet në pajisje, personel në mënyrë që të ketë standard më të lartë, të mbështesim furnizimin me barna dhe gjëra të tjera të nevojshme”
, bën të ditur Mustafa.

Ndërsa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Kadër Hyseini, thotë se janë duke i përkrahur dhe investuar në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Ai shton se
tashmë 600 mjekë familjarë janë duke specializuar në këtë lëmi. 

“Ne, si Ministri e Shëndetësisë, u kemi mundësuar 600 mjekëve të specializojnë në lëmin e mjekëve familjarë. Sa i përket kujdesit parësor shëndetësor, jemi mjaft të kënaqur”.

“Çdo mjeku familjar i takojnë 2 mijë banorë. Nëse merren statistikat e regjistrimit të fundit, pra Kosova ka rreth 2 milionë banorë, atëherë jemi afër numrit që na nevojitet për implementimin e plotë për konceptin e mjekësisë familjare, dhe t’u përmbahemi standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”,
thotë Hyseini.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum