Ndërlidhjet

Privatizimi i Brezovicës: Politika pengon procesin


Pamje dimri në Brezovicë
Pamje dimri në Brezovicë
Ringjallja e kompleksit turistik “Brezovica”, mund të ndodhë vetëm pas privatizimit, proces ky që duhet të realizohet sa më shpejt, thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe ata të turizmit.

Përgatitjet për privatizimin e këtij kompleksi kanë filluar në vitin 2006.

Haki Shatri, njohës i çështjeve ekonomike, njëherësh ministër në Qeverinë e Kosovës, në kohën kur kishin filluar përgatitjet, thotë se stërzgjatja e këtij procesi po e dëmton rëndë buxhetin e Kosovës.

Ai, madje, konsideron se politika ka qenë dhe mbetet arsyeja kryesore e mosprivatizimit të qendrës së skijimit “Brezovica”. Sipas Shatrit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo arsye është dashur të eliminohet.

“Kur kemi qenë një pjesë e Qeverisë në strukturat menaxhuese të AKM-së, për shkak të rregullores së përcaktuar, çdo shtyrjeje, i ka ardhur era vendime politike”.

“Mirëpo, siç duket edhe tash, pas pavarësisë, diçka po qëndron prapa vendimeve dhe po i vonon vendimet e duhura për privatizim të kësaj pasurie.Njerëzit po hezitojnë, por për ata që i njohin rrethanat, është krejt e kuptueshme se politika po vonon dhe po e prolongon këtë proces”, thotë Shatri.

Kompleksi turistik “Brezovica” gjendet në rajonin e Shtërpcës - rajon ky i banuar me shumicë serbe.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përmes një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, thonë se janë në proces të përzgjedhjes së këshilltarit të Transaksionit, i cili pritet të ofrojë shërbime këshilluese për të gjitha aspektet e transaksionit për projektin “Brezovica”.

Përzgjedhja e këtij transaksioni pritet të bëhet gjatë muajit të ardhshëm.
Në fillim të këtij viti, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka prezantuar një master- plan, i cili parasheh një qendër të re për skijim.

Plani propozon që zona e re e skijimit të rivendoset në një lokacion të ri malor, në një fshat turistik, të gjenerojë vende të reja pune, do të ketë pesë teleferikë kryesorë dhe me më shumë se 25 km pista për skijim.

Vlera totale e teleferikëve të rinj do të jetë 25 milionë euro, por plani i tërësishëm nuk i parasheh edhe implikimet financiare të qendrës në tërësi, duke i përfshirë këtu edhe shtëpitë e reja, restorantet dhe hotelet.

Edhe ky master-plan do të jetë pjesë e analizave dhe shqyrtimit gjatë punës së këshilltarit të Transaksionit për projektin “Brezovica” .

Në anën tjetër, Zekë Çeku, njohës i çështjeve të turizmit, e quan gabim të madh shtyrjen e privatizimit të kompleksit turistik “Brezovica”.

Ai konsideron se mosprivatizimi i kësaj qendre, ka ndodhur për shkaqe politike, pasi, sipas tij, për shkak të infrastrukturës rrugore dhe energjetike, “Brezovica” është qendra e vetme e gatshme për treg.

Sa i përket master-planit, Çeku shprehet se është zvarritje në kohë.

“Master plani është blerje kohe, mos të merremi me këtë problem. Unë jam i bindur se edhe shoqëria, komuniteti serb dhe shqiptar që jeton në atë pjesë, mezi e pret privatizimin e Brezovicës”.

“Duhet të punohet me ata njerëz, në bashkëveprim edhe me komunën e Shtërpcës, por edhe me rajonin e Prizrenit, Ferizajit dhe t’iu shpjegohet në mënyrë njerëzore dhe të dokumentuar se përfitimet në radhë të parë janë për komunitetin, qytetarët e asaj pjese, e gjithsesi edhe për turizmin kosovarë”,
vlerëson Çeku.

Vitin e kaluar udhëheqës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishin premtuar se gjatë vitit 2012 do të privatizohej kompleksi turistik “Brezovica”.

Ndërkaq, gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës, pati paralajmëruar se do të mbahet një konferencë ndërkombëtare e donatorëve për të tërhequr investime potenciale nga sektori publik dhe privat.

Kurse, zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se sa i përket konferencës, edhe ky aktivitet bën pjesë në fushën e angazhimeve të këshilltarit të Transaksionit.
XS
SM
MD
LG