Ndërlidhjet

National Interest: Lufta e pafund e Uashingtonit


Afganistan
Afganistan
Kushti kryesor i Amerikës dikur ka qenë paqja. Edhe pse luftërat nganjëherë janë konsideruar si të nevojshme, ato janë parë si të papaguara.

Por, sot amerikanët janë vazhdimisht në betejë dhe atë jo vetëm në një, shkruan gazeta National Interest. Sipas saj, hartuesit e politikave nuk hezitojnë të dërgojnë amerikanët e rinj nëpër luftëra.

Administrata e Obamës ka ndërhyrë në luftën civile në Libi, e cila në asnjë mënyrë nuk kërcënonte sigurinë e Amerikës. Gazeta po ashtu kujton se forcat amerikane kanë luftuar për 11 vjet në Afganistan, ndërsa për shtatë të tjerë në Irak.

National Interest thotë se Uashingtoni ka pushtuar Bosnjën dhe Kosovën pas ndërhyrjeve në konfliktet e Ballkanit, dikur të lidhura me Evropën, e tani edhe me Shtetet e Bashkuara. Forcat speciale amerikane janë të përfshira në gjithë globin, nga Uganda në Filipine të Amerikës Latine, thuhet në artikull.

E gjithë kjo mund të jetë vetëm fillimi. Politikat e presidentit Barack Obama janë luftarake ashtu si edhe të paraardhësit të tij. Dhe, kandidati presidencial i republikanëve, Mitt Romney, po bën përpjekje të portretizojë presidentin si të dobët – në stilin e Jimmy Carterit.

Propozimet për luftëra të reja, vijon artikulli, nuk janë të kufizuara në ato që kanë qëllim mbrojtjen e Amerikës apo ndalimin e gjenocidit. Në Libi, shkruan Natioanl Interest, nuk ka pasur masakra të drejtpërdrejta të civilëve. Përkundrazi, “shumica e viktimave civile kanë qenë pasojë e një lufte me teknologji të ulët, e tejzgjatur nga ndërhyrja e aleatëve”. Lufta civile në Siri është po ashtu e shëmtuar, por “atje nuk ka pasur gjenocid”.

Senatorët John McCain, Lindsey Graham dhe Joseph Lieberman janë udhëheqës të fushatës për Sirinë. “Tre miqtë”, të cilët kanë bërë fushatë për luftën në Irak, nuk kanë parë kurrë rrezikun e intervenimit, por gjithmonë kanë perceptuar rrezikun e mosveprimit, shkruan gazeta. Sipas saj, të tre ata tani duan të armatosin rebelët sirianë dhe të përforcojnë territoret e kontrolluara nga rebelët përmes forcës ajrore dhe “aseteve të tjera unike të Shteteve të Bashkuara”.

McCain, kujton gazeta, ka thënë së fundmi se refuzimi për të vënë amerikanët e rinj në rrezik për dikë tjetër “është i turpshëm”.

Por, tre miqtë nuk janë të vetmit. Duke shkruar në emër të grupit Freedom House, Charles Dunne, Davic J.Kramer dhe William H. Taft kanë thënë se “Shtetet e Bashkuara duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre udhëheqëse, ashtu siç kanë bërë në Libi, dhe t’i japin fund konfliktit katastrofal në Siri, i cili sfidon ndjenjat tona si amerikanë, ashtu si edhe interesat tonë kombëtarë”.

Përkthimi, sipas gazetës, do të thoshte: “Elita e Uashingtonit duhet të kërkojë nga ushtria që të nisë një tjetër luftë të panevojshme, derisa përfundon një të vjetër”.

National Interest thotë se edhe Irani është në “listën e luftërave të nevojshme”. Zyrtarët amerikanë vazhdimisht kërcënojnë me sulme ndaj Teheranit. Mitt Romney ka kritikuar presidentin se nuk ka qenë “servil i mjaftueshëm” i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do që Uashingtoni të sulmojë Iranin.

McCain ka bërë po ashtu thirrje për luftë kundër Iranit me vite të tëra. Muajin e kaluar, ai ka kritikuar politikat e administratës se nuk kanë qenë mjaft kërcënuese. Lieberman i është bashkuar, duke argumentuar se “linja e kuqe” për veprim ushtarak duhet të jetë aftësia në armatim, e jo zhvillimi i armatimit.

Sipas gazetës, McCain është i etur për më shumë luftë edhe në Irak. Ai ka deklaruar se po të ishte president, do të linte 20,000 trupa atje, edhe pse Bagdadi ka urdhëruar largimin e tyre në bazë të marrëveshjes së negociuar me administratën e Bushit.

Një tjetër objektiv i mundshëm është Mali, i cili vuan nga rebelimi që kanë ndezur rebelët islamikë. Grupi Ndërkombëtar i Krizave, së fundmi, ka konstatuar se “përdorimi i forcës ushtarake ka gjasa të jetë i nevojshëm për të neutralizuar grupet e armatosura transnacionale, të cilat marrin pjesë në terrorizëm, xhihad dhe trafikim të drogës, si dhe për të rivendosur integritetin territorial të Malit”.

Nuk është e qartë se si të gjitha këto kërcënojnë Amerikën, shkruan National Interest, ndërsa kujton edhe thirrjen e Washington Post-it për luftë: “Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin përpjekjet për ndërhyrje në Mali sa më parë që të jetë e mundur”.

Bashkimi Afrikan ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara që të bekojnë ndërhyrjen ushtarake në Mali, i cili ka kërkuar ndihmë nga jashtë. Një zyrtar anonim i Shteteve të Bashkuara i ka thënë Washington Post-it se problemet në Mali “duhet të trajtohen me anë të mjeteve ushtarake”. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland, ka thënë se administrata pret që shtetet afrikane të jenë “në krye”, por “është e përgatitur që të mbështesë planin”.

Sipas National Interest, fakti se Shtetet e Bashkuara janë rrallë në paqe është dëshmia më e mirë se Amerika është shndërruar në perandori.

Lufta nganjëherë është e pashmangshme, por ajo duhet të jetë vërtet e nevojshme dhe një çështje më shumë jetike. Ajo sigurisht se nuk duhet të bëhet mjet i preferuar për nisjen e kryqëzatave morale, shkruan gazeta.

Mitt Romney ka të drejtë kur thotë se politika e jashtme duhet të jetë një çështje e madhe në fushatën presidenciale. Nëse është e tillë, njerëzit kanë arsye për të votuar kundër të dy kandidatëve, pasi të dy ata janë të gatshëm të nisin luftëra për interesa që nuk janë të rëndësishëm, e lëre më jetikë, shkruan National Interest.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG