E hënë, tetor 20, 2014 Kosova 15:03

Rajoni

Bllokohet puna në Kuvendin e Maqedonisë

Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Seanca e Kuvendit në të cilën ka filluar debati për miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit  pë zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001, mund të zgjasë më shumë se 1 vit nëse respektohen të gjitha procedurat që parashihen me rregullohen mbi punën e Kuvendit.

Kështu vlerëson Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit, duke komentuar parashtrimin e mbi 15 mijë amandamenteve nga ana e BDI-së në pushtet, e cila, nuk pajtohet me veprimin e partnerit të saj të koalicionit VMRO-DPMNE-në, e cila ka përjashtuar nga zhdëmtimi ish pjesëtarët e UÇK-së.

Mendoj se seanca do të zgjasë shumë. Nëse shqyrtohen të gjitha amandamentet, seanca mund të zgjasë edhe 1 vit për shkak të procedurave që duhet të respketohen. Kryetari i Kuvendit së pari duhet t’i lexojë një nga një të gjitha amandamentet që të vendosen në rend dite të seancës. Është një procedurë jashtëzakonisht e gjatë, por më duhet të theksoj edhe një fakt se para se të fillojë diskutimi i shërbimeve, Kuvendit do t’i duhet ndoshta deri në dy muaj kohë për të evidentuar amandamentet e propozuara”, thotë Stojan Andov, ish kryetar i Kuvendit.

I pyetur nëse me këtë bllokohet puna e Kuvendit, Andov thotë se për këtë duhet të mbajnë llogari vetëm partitë në pushtet, të cilat edhe ndodhen në pozicione diametralisht të kundërta rreth këtij propozim-ligji.

Ndërkohë, edhe Osman Kadriu, eskeprt për çështje kushtetuese thotë se seanca mund të zgjasë në pakufi, ndërsa përjashton mundësinë që VMRO-DPMNE-ja të mund të ndërmarrë ndodnjë masë për të bllokuar amandamentet e BDI-së.

Ai thotë se me amandamentet e këtilla do të bllokohet puna e Kuvendit ndërsa daljen nga situata e krijuar e sheh në arritjen e ndonjë kompromisi mes partive në pushtet.

Bëhet fjalë për procedurë të përshpejtuar, e cila parashihet me ligjin për punën e Kuvendit dhe me vet Kushtetutën, por edhe në këtë procedurë nuk mund të pengohet parashtrimi i amandamenteve. Kështu që këtu nuk ka mundësi juridike edhe nga aspekti kushtetues edhe nga aspekti ligjor, që të mos shqyrtohen amandamentet apo të pamundësohet parashtrimi i tyre, prandaj mendoj se rruga e vetme për zhbllokimin e gjendjes së tanishme mbetet marrëveshja politike, dialogu politik që duhet të zhvillohet në Kuvend”, thotë Kadriu duke arsyetuar veprimin e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Sipas tij, edhe invalidët dhe familjet e ish pjesëtarëve të rënë të UÇK-së, duhet të përfitojnë me ligjin për zhdëmtimin e forcave maqedonase të sigurimit..

Partia e cila është në pushtet, BDI-ja, me shumë të drejtë kërkon që me të njejtin ligj të rregullohet edhe statusi i pjestarëvë të UÇK-së dhe i familjeve të atyre që kanë pësuar në luftë dhe që tani kanë ngelur për kurrfarë të drejta dhe kanë pësuar dëme materiale dhe jomateriale”, shprehet Osman Kadriu.

Përkundër kësaj, partitë në pushtet, thonë se mbeten në qëndrimet e tyre për të miratuar përkatësisht për të kundërshtuar miratimin e këtij ligji, që, sipas BDI-së, është disktriminues dhe që rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Kjo parti ka bërë të ditur se përveç 15 mijë amandamenteve, disponon edhe forma tjera juridike për të pamundësuar miratimin e ligjit.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja thotë se janë të vendosur për ta çuar deri në fund këtë ligj, nga i cili duhet të përfitojnë forcat maqedonase të sigurimit, por jo edhe që kanë luftuar kundër shtetit.

Ky propozim-ligj është vendosur në procedurë të përshpejtuar pasi më parë nuk arriti të miratohet në procedurën e rregullt për shkak të bllokimeve nga ana e BDI-së.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum