E dielë, tetor 26, 2014 Kosova 09:26

Shtypi botëror

National Interest: Rusia - mik apo armik?!

Ilustrim
Ilustrim
Në debatin për politikën e jashtme ndërmjet presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, dhe sfiduesit të tij, Mitt Romney, shumë vende dhe rajone kanë mbetur pa u përmendur, ndërsa Rusia është përfshirë dhjetë herë, shkruan gazeta “National Interest”.

Sipas saj, Romney ka mbrojtur pohimin e tij se Rusia është “armiku numër një gjeopolitik i Amerikës”. “Nuk do të vë syze me ngjyra kur të jetë fjala për Rusinë ose Putinin”, ka thënë Romney.

Presidenti Obama, administrata e të cilit e konsideron “rivendosjen” e marrëdhënieve me Rusinë si një nga sukseset e politikës së jashtme, ka akuzuar Romneyn se është mbërthyer në mentalitetin e Luftës së Ftohtë të viteve 1980.

Është Rusia mik apo armik? – shtron pyetjen “National Interest”. Përgjigjja, sipas gazetës, është edhe njëra, edhe tjetra. Po, sa e meriton Rusia të veçohet kështu në një botë me plot sfida të rënda?

Rusia është e madhe dhe e rëndësishme, por sigurisht nuk renditet më ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme për Shtetet e Bashkuara, thuhet në artikull.

Po sipas tij, Rusia zë mjaft hapësirë, por shumica e saj është e ngrirë. Ajo ka burime të konsiderueshme minerale dhe energjetike dhe është prodhuese e madhe e naftës dhe gazti natyror, por do t’i duhen investime të reja masive për të nxjerrë rezerva të reja.

“National Interest” shkruan se Rusia ka forcë të madhe ushtarake dhe rezerva të konsiderueshme të armëve bërthamore, por “ushtria e saj është dobësuar dhe ka nevojë për modernizim”.

Ekonomia e Rusisë po ashtu lëkundet dhe sfidat e saj afatgjata kanë të bëjnë me rënien e popullsisë, nivelet e larta të korrupsionit dhe infrastrukturën e dobët.

Ajo ka edhe shumë “përparësi ndërkombëtare”, të cilat i përdor në favor të saj. Rusia është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, çfarë i lejon veto të vlefshme, si dhe anëtare e shumë grupimeve të tjera të rëndësishme. Sipas gazetës, ajo, po ashtu, ndodhet pranë disa shteteve me interes për SHBA-në, përfshirë Kinën, Afganistanin, Iranin, Irakun dhe Sirinë.

Duke përmendur anën miqësore, “National Interest” kujton marrëveshjen për reduktimin e kokave bërthamore në mes të Uashingtonit dhe Moskës, si dhe pajtimin për më shumë sanksione ndaj Iranit dhe më shumë bashkëpunim në rrugët furnizuese për Afganistanin.

Edhe pse marrëdhëniet nuk janë të nxehta, ato kanë qenë në përgjithësi produktive që nga lufta Rusi-Gjeorgji në vitin 2008, shkruan gazeta.

Në anën e “armikut”, “National Interest” thotë se Rusia qëndron fuqishëm kundër aksioneve më të fuqishme ndaj Iranit dhe ndërhyrjes në Siri dhe se Shtetet e Bashkuara duhet të konfrontohen me më shumë agresivitet me Moskën për rezultatet e saj të dobëta në demokraci, të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit.

Romney ka qenë i kujdesshëm për të sqaruar se ai nuk e konsideron Rusinë si kërcënim në vete, por retorika e tij e fuqishme mund ta ngurtësojë qëndrimin e Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se etiketimi si “armik gjeopolitik” bën që Rusia të ndjehet e justifikuar në kundërshtimin e planeve të Amerikës për mbrojtje raketore në Evropë.

Në katër vjetët e ardhshëm, vijon artikulli, ka shumë fusha ku Shtetet e Bashkuara do të duhet të bashkëpunojnë me Rusinë.

Përveç kontrollit të armëve dhe trazirave në Lindjen e Mesme, dy vendet do të duhet të punojnë së bashku në disa çështje të sigurisë globale, përfshirë terrorizmin, trafikimin e drogës dhe të armëve, si dhe përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara përballen me shumë sfida serioze ndërkombëtare dhe Rusia nuk duhet të jetë në krye të listës, shkruan gazeta “National Interest”.

Përgatiti: Valona Tela