E premte, tetor 24, 2014 Kosova 12:16

Rajoni

Maqedoni: Zhvillimi ekonomik, pastaj integrimet

Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Mëkëmbja e ekonomisë në një afat sa më të shkurtër, si dhe zgjidha e problemeve me moslikuiditetin e firmave, duhet të paraqesin prioritet shtetëror. Madje, kjo duhet të paraqesë synim parësor edhe para çështjes së integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, konsideron bashkësia afariste në Maqedoni.

Gjendja e vështirë ekonomike dhe parashikimet joshpresdhënëse nga Banka Popullore e Maqedonisë se bruto-prodhimi vendor do të jetë më pak se një për qind, nuk mund të justifikohet me krizën e përgjithshme ekonomike në Evropë, ka theksuar Branko Azevski, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë.

“Euro-integrimet, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në shtet, si dhe raporte ndëretnike janë peng i gjendjes së vështirë ekonomike, andaj kërkojmë që prioritet i Maqedonisë për 2013-ën, të vendoset përmirësimi i gjendjes ekonomike”, ka thënë Azevski.

Sipas Azevskit, bashkësia afariste kërkon masa të reja kundër krizës me theks të veçantë për kompanitë me orientim kah eksporti. Përveç Ligjit për nxitje të eksportit, Azevski ka përsëritur kërkesën e krijimit të një fondi garantues.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Menderes Kuçi, ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se Qeveria, si masë anti-krizë duhet të favorizojë intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit duke krijuar kushte më të mira për shkëmbim tregtar.

“Në këto rrethana të gjendjes së rëndë ekonomike, është shumë më optimale dhe të shihet bashkërisht si mund të realizohet eksporti në vendet e rajonit, kur dihet mirëfilli se shumë barriera u dalin vendeve të rajonit sa i përket përmbushjes së standardeve për prodhimet që duhet plasuar".

"Por, duke synuar tregjet evropiane anashkalohen tregjet rajonale. Andaj, sipas nesh, theks i veçantë duhet vënë në intensifikimin e këmbimit tregtar me vendet e rajonit, Kosovën Shqipërinë, Bullgarinë së fundmi dhe me Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën”
, ka vlerësuar  Kuçi.

Ndërkaq, për kryetarin e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë. Mirce Cekrexhi, sinjal shumë serioz për gjendjen e rëndë ekonomike paraqet mungesa e kapacitetit të firmave të vogla dhe atyre të mesme që të kthejnë kreditë e mara nga bankat.

“Kjo situatë paraqitet si rezultat i recesionit dhe njëkohësisht problemeve që gjithnjë janë më të theksuara me moslikuiditetin e kompanive, si pasoj e vonesave të shtetit për kthimin e TVSH-së”, ka theksuar Cekrexhi.

Ai ka shtuar se për t’u tejkaluar kjo gjendje e vështirë, autoritetet përkatëse shtetërore duket të angazhohen për miratimin e masave plotësuese anti-krizë, të cilat do të mundësonin kapërcimin e krizës, që siç është shprehur Cekrexhi, është gjenerator i problemeve tjera në vend duke përfshirë dhe ato politike, si dhe bllokimin e procesit euro-integrues.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum