E shtunë, tetor 25, 2014 Kosova 19:27

NYT: Dy kandidatë, një politikë e jashtme

Mitt Romney dhe Barack Obama gjatë debatit...
Mitt Romney dhe Barack Obama gjatë debatit...
Aaron David Miller, zëvendëspresident i Qendrës Ndërkombëtare Woodrow Wilson, në shkrimin e tij analitik për të përditshmen njujorkeze, “New York Times”, thotë se duke shikuar debatin presidencial të javës së kaluar për politikën e jashtme, dikujt mund t’i falet nëse e ka parë vetëm një kandidat në skenë, në vend të dy të tillëve.

Përderisa Obama u shndërrua në një version më pak ideologjik dhe të pamatur të George W.Bush, shkruan Miller, performansa e Mitt Romneyt nënkuptonte se ai donte t’i ngjasonte Barack Obamës në çështjet kryesore të politikës së jashtme.

Kjo, megjithatë, na sjell te një pikë jetike: Sado dhe sido që të jenë të ndarë amerikanët në politikën e brendshme, ne jemi të bashkuar në atë se çfarë duhet bërë dhe çfarë jo në një botë komplekse dhe të ashpër përtej kufijve, shkruan gazeta.

Fillimisht, shkruan “New York Times”, ishte e qartë se kishte përpjekje nga ana e Romneyit që ta prezantonte veten si një ndërrim të sigurt në botën e rrezikshme, veçanërisht për t’i joshur të pavarurit që brengosen se retorika muskulore e tij përfaqëson një aventurë ushtarake. Këshilltarët e Romneyit duket se ishin të vendosur ta zbusnin performancën e tij të nxehtë të debatit të tij paraprak, veçanërisht për çështjen e Libisë, vijon “New York Times”.

Çështja e dytë. Ajo çfarë ishte shfaqur në debatin e tretë ishte shumë më tepër se një politikë e thjeshtë dhe kjo fillon me faktin se: Ajo çka është shfaqur në dekadën e dytë pas sulmeve të 11 shtatorit është një konsensus i shquar ndërmjet demokratëve dhe republikanëve, sa i përket qasjes në politikën e jashtme të vendit. Sigurisht se nuk është një grupim i shquar, por rrallë ka pasur një konsensus të tillë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

“Përderisa amerikanët mund të jenë të ndarë në çështje që kanë të bëjnë me punët e brendshme, ne jemi plotësisht të bashkuar në mënyrën se si e shohim botën dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim”, thuhet në shkrimin e botuar në “New York Times”.

Çështja e tretë. Duke i dëgjuar kandidatët për president mund të krijohet përshtypja se je duke e shikuar një debat për politikën e jashtme ndërmjet Tweedledee dhe Tweedledum.

Nga Iraku dhe vrasja e Bin Ladenit, e deri te përdorimi i aeroplanëve me telekomandë ndaj Iranit, e madje deri te tragjedia në Benghazi, ajo çka na u shfaq ishin dallimet pa ndonjë ndryshim të madh, shkruan gazeta.

Çështja e katërt. Konsensusi i ri po udhëhiqet nga disa parime që çdo politikan amerikan duhet t’i respektojë. Fillimisht duhet rregulluar shtëpia jonë e prishur dhe duhet punuar në këto fusha: Borxhet, Deficitin, Politikat Jofunksionale dhe Vrasinë nga hidrokarboni i Lindjes së Mesme, porosit Miller. Gjithashtu duhet vrarë të gjithë “djemtë e këqij” përpara se ata të na vrasin neve, por bëjeni një gjë të tillë pa pushtuar shtete, por duke u bërë të përgjegjshëm në ndërtimin e tyre.

“Jepuni fund luftërave, e mos filloni luftëra të reja”, porosit Miller përmes ‘New York Times-it’: “Pajtimi ndërmjet Obamas dhe Romneyit për Irakun dhe Afganistanin ishte mahnitës, siç ishte edhe kujdesi dhe përmbajtja ndaj Sirisë dhe Iranit”.

Më tutje, në artikull thuhet se nevojitet krijimi i një Komiteti apo Procesi kurdo që të jetë e mundur. Amerikanët nuk mund ta shpëtojnë botën vetëm, edhe nuk duhet të presin një gjë të tillë, apo të tjerët të presin këtë gjë nga Amerika. Ne tani po dalim nga dy luftërat më të gjatë në historinë e Amerikës, të udhëhequra nga kriteri: “A mund të largohemi, e jo a mund të fitojmë”? Hija e këtyre luftërave do të vazhdojë të kufizojë projekte të rëndësishme të pushtetit amerikan jashtë shtetit, shkruan Miller në artikullin e publikuar në “New York Times”:

“Përfundimisht, sfida më e madhe është të vendoset se kur dhe si të projektohet fuqia dhe të intervenohet me sukses në një mënyrë që është në harmoni me interesin dhe burimet tona”.

Multilateralizmi dhe procesi u bënë fjalë të pista gjatë udhëheqësisë së Bushit dhe ato sigurisht se nuk janë masa heroike dhe guximtare. Ato janë të ngatërruara, sepse të tjerët varen nga to, por ato do të jenë shumë të dobishme, veçanërisht kur interesat kombëtare jetike të Amerikës nuk janë të përfshira.

“Pavarësisht se kush bëhet president, Irani do të jetë testi lakmues se si ky konsensus i ri do të qartësohet. Tri administrata janë zotuar se do ta ndalin Iranin në përpjekjet për të ndërtuar armë bërthamore, andaj mënyra se si administrata e ardhshme do të merret me këtë çështje mund të bëhet një matës i efikasitetit dhe besueshmërisë së saj”, shkruan “New York Times”, duke vazhduar se :

“Konsensusi i shfaqur gjatë debatit të javës së kaluar tregon se bota është një vend sfidues si kurrë më parë dhe se të dyja palët, si demokratët, ashtu edhe republikanët, janë duke mësuar se si ta kontrollojnë atë. Kjo nuk do të thotë se SHBA-të nuk mund të jenë të suksesshme në mbrojtjen e interesave të veta, por nënkupton se liderët tanë duhet të jenë më të disiplinuar në mënyrat e projektimit të fuqive tona”.

Ndarja e re në politikën e jashtme është e qartë. Ka të bëjë me të djathtën dhe të majtën, liberal apo konservativ, republikan apo demokrat. Gjithçka ka të bëjë me vendime të mençura ose të pamençura, dhe shpresoj se presidenti amerikan i radhës e di saktësisht se në cilën anë dëshiron të jetë Amerika, e përfundon shkrimin e tij në “New York Times”, Aaron David Miller.
Përgatiti: Valjeta Kosumi