Ndërlidhjet

PDK-ja, me polemika drejt reformimit


Ilustrim
Ilustrim
Kuvendi zgjedhor, të cilin Partia Demokratike e Kosovës e ka paralajmëruar për muajin dhjetor, pritet ta reformojë këtë parti në të gjitha strukturat e saj, vlerësojnë zyrtarët e kësaj partie.

Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, thekson se reformat, të cilat do të ndodhin në këtë parti, përveç se do ta freskojnë atë me kuadro të reja, do të dëshmojnë edhe atë se është subjekt politik i qytetarëve, i hapur për të gjithë.

Sipas tij, PDK-ja nuk i frikësohet konkurrencës së brendshme, por atë e sheh si një vlerë që ndikon pozitivisht në konsolidimin dhe fuqizimin e kësaj partie.
Jemi shumë të sigurt se Partia Demokratike do të dalë edhe më e fortë, më e konsoliduar dhe më e përgatitur për të marrë përgjegjësitë e reja për të ardhmen.

“Patjetër se këto do të reflektojnë edhe në jetën e gjithëmbarshme politike në Kosovë, por edhe në vetë jetën institucionale, sepse ne jemi të vetëdijshëm se kemi shumë punë për të bërë. Jemi të vetëdijshëm se kemi për t’u përballur me shumë sfida dhe për të dalë sa më suksesshëm, neve na nevojitet një organizim, një konsolidim dhe një fuqizim i kësaj partie. Jemi shumë të sigurt se Partia Demokratike do të dalë edhe më e fortë, më e konsoliduar dhe më e përgatitur për të marrë përgjegjësitë e reja për të ardhmen”, thotë Grabovci.

Por, kohët e fundit, polemikat ndërmjet disa deputetëve, të cilët vlerësohen si më të shquarit e Partisë Demokratike të Kosovës, kanë qenë mjaft të dukshme, sidomos në Kuvendin e Kosovës dhe janë komentuar si përplasje.

Se a do të barten ato polemika edhe në Kuvendin zgjedhor të kësaj partie mbetet të shihet.

Rrustem Mustafa, nënkryetari i PDK-së, thotë se polemikat dhe debatet ndërmjet anëtarëve të kësaj partie ekzistojnë, por ai vlerëson se kjo parti, që nga themelimi i saj e deri më tash, është në reformim e sipër, duke e ndjekur rrugën për zhvillim.
Debati është i shëndoshë dhe pikërisht ky debat, këto polemika që kanë lindur, do ta zhvillojnë edhe më tutje Partinë Demokratike...

“Unë pres me padurim që të shoh zhvillimet se kah do të shkojnë. Besoj se do të jenë në kahe pozitive. Nuk pres polemika dhe debat jashtëpartiak. Brenda institucioneve, brenda Kuvendit, brenda zyrave të Partisë Demokratike, si dhe në mbledhje të ndryshme, ka debat. Debati është i shëndoshë dhe pikërisht ky debat, këto polemika që kanë lindur, do ta zhvillojnë edhe më tutje Partinë Demokratike dhe do të marrë kahe më të mira, më pozitive”, shprehet Mustafa.

Ndërkaq, Grabovci vlerëson se debatet dhe polemikat ndërmjet anëtarëve të PDK-së nuk duhet shikuar si përplasje ndërmjet tyre.

“Nuk ka përplasje, por, lirisht mund të them se për herë të parë, në Partinë Demokratike, këto debate janë bërë publike, sepse Partinë Demokratike gjithnjë e ka përcjellë një frymë e debatit të brendshëm. Pikërisht kjo është ajo që e ka bërë PDK-në të jetë sa më e konsoliduar dhe të ketë një strukturë funksionale. Normalisht që ne e kemi parasysh përcaktimin tonë se jemi për debat të brendshëm”, thekson Grabovci.

Megjithatë, Mustafa nuk pret që Kuvendi zgjedhor i PDK-së të sjellë ndryshime të mëdha në kreun e kësaj partie.

Selia e PDK-së
Selia e PDK-së
“Ndryshime esenciale nuk do të ketë, por do të ketë ndryshime pozitive që në qasje me qenë më pragmatike. Unë besoj që në përputhje me rendin e ri, me kohën kur jemi në zhvillimin e shtet-ndërtimit dhe i gjithë ky trend, që janë të nevojshme për vendin tonë, do të ketë përmirësim të imazhit jo vetëm të partisë, por edhe të udhëheqjes së vendit”, konsideron Mustafa.

Ndryshe, Kuvendi i kaluar zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës, rreth dy vjet më parë, ishte i jashtëzakonshëm dhe ishte mbajtur në prag të zgjedhjeve parlamentare vendore.

Ai kuvend kishte zgjatur rreth dy orë, në të cilin Hashim Thaçi ishte zgjedhur kryetar i partisë, pa kundër-kandidat. Në kuvendin e ardhshëm zgjedhor të PDK-së, pritet të shihet nëse do të ketë forca të reja brenda kësaj partie, të cilat do ta sfidojnë garniturën e deritashme udhëheqëse të saj.
XS
SM
MD
LG