Ndërlidhjet

Pas Sandyt, Obama lavdëron “heroizmin amerikan”


Barack Obama
Barack Obama
Në fjalimin e tij të fundit në radion publike amerikane, para zgjedhjeve, presidenti amerikan Barack Obama, ka folur për situatën pas superstuhisë Sandy, e cila la të vrarë mbi 100 persona dhe shkaktoi shkatërrime të mëdha në Nju Jork dhe Nju Xhërsi.

“Në këtë fundjavë, miliona bashkatdhetarë amerikanë ende po e mbledhin veten nga një ndër stuhitë më të këqija në historinë tonë. Unë isha në Nju Xhërsi të mërkurën me guvernatorin Christie, dhe kam parë me sytë e mi, disa nga shkatërrimet më të tmerrshme. Kjo të copëton zemrën”, është shprehur në fjalimin e tij të rregullt në radio, presidenti Obama.

Presidenti amerikan, Barack Obama, mban një foshnje pesë-muajshe gjatë një tubimi elektoral në Nevada.
Presidenti amerikan, Barack Obama, mban një foshnje pesë-muajshe gjatë një tubimi elektoral në Nevada.
"Si president, ju premtova këtë: shteti juaj do të jetë këtu për ju, deri në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e plotë”, tha Obama, i cili ka lavdëruar reagimin e shpejtë të qytetarëve dhe autoriteteve.

"Këtë javë, ne na goditi fuqia shkatërruese e natyrës. Por, ne edhe u inspiruam. Në kohën kur stuhia ishte në errësirën e saj të plotë, shndriti fuqishëm, heroizmi i qytetarëve tanë”, tha Obama.

Më herët, presidenti amerikan Barack Obama bëri një lëvizje për të zbutur mungesën e karburanteve në rajonin e shkatërruar nga uragani Sandy, në të cilin janë krijuar radhë të gjatë për karburante.

Ai urdhëroi Departamentin e Mbrojtjes që të shpërndajë 38 milionë gallon naftë dhe 45 milionë galonë benzinë në zonat ku është harxhuar karburanti dhe nuk ka energji elektrike për t'i vënë në funksion pompat.

Një stuhi tjetër, po vjen kah rajoni, dhe mund të godasë të martën ose të mërkurën, duke sjellë temperatura të ulëta, ngrica, shi dhe borë.

Ndërkohë, prefekti i Nju Jorkut, Michael Bloomberg ka dekalruar se maratona e paraparë për të dielën në qytet është anuluar.

Michael Bloomberg
Michael Bloomberg
Bloomberg tha se mbajtja e maratonës do t‘i ndihmonte qytetit në rimarrjen e vetes pas uraganit Sandy.

Por, ndërsa shumë njerëz mbesin pa energji elektrike në qytet, dhe me më shumë se 40 të vdekur, shumë njujorkezë mendojnë se është shumë herët për ta zhvilluar garën.

Bloomberg tha se gara është anuluar, pasi që u bë “burim i kundërthënieve dhe ndasive”.

Zëvendësprefekti Howard Wolfson shpjegoi vendimin.

“Mund të fillosh një argument në Nju Jork mbi çkado dhe do të marrësh tri pikëpamje nga çdo dy njerëz mbi çfarëdo teme, përveç, sipas përvojës sime, për maratonën.
Nuk e di kush nuk e do maratonën, kush nuk e do atë që maratona nënkupton për Nju Jorkun, dhe këtë vit, kjo gjë ndryshoi. Njerëzit që e themeluan atë, do të ndjejnë dhimbje. Por, kjo është një ngjarje që na bashkon dhe jo që na ndan, andaj është më mirë që ajo të mbahet në vitin e ardhshëm”
, është shprehur Wolfson.

Shifra e përgjithshme e të vdekurve nga stuhia aktualisht në SHBA është mbi 100, ndërsa në Karaive 69.

Raportohet, se rreth 3.5 milionë njerëz në SHBA janë pa energji elektrike.(a.i.)
XS
SM
MD
LG