E martë, shtator 02, 2014 Kosova 13:33

Bota

Për kë do të votojnë iraniano-amerikanët?

Ilustrim
Ilustrim
Për shumë iraniano-amerikanë, mënyra se si administrata e ardhshme e Shteteve të Bashkuara trajton Teheranin është përcaktuesi kryesor i votës së tyre më 6 nëntor.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 1.5 milion iranianë dhe vota e tyre ka jo pak rëndësi.

Edhe për presidentin aktual, Barack Obama, edhe për garuesin republikan, Mitt Romney, Irani i pasur me armë bërthamore nuk është opsion. Të dy kandidatët, megjithatë, kanë thënë se sulmet ushtarake në lokacionet bërthamore të Republikës Islamike, do të ishin masa e fundit.

Por, dallimet në mes të Obamës dhe Romneyt, kur është fjala për Iranin bërthamor, janë në detaje.

Obama ka thënë se për aq kohë sa të jetë ai president, Irani nuk do të ketë armë bërthamore, ndërsa Romney ka theksuar se një Iran bërthamor është i papranueshëm.

Obama po ashtu ka mbrojtur rolin e tij në zbatimin e “sanksioneve më të fuqishme në histori kundër Iranit”, në përpjekje për të detyruar atë që të braktisë aktivitetin e dyshuar bërthamor. Sanksionet kanë gjymtuar ekonominë iraniane dhe kanë ndihmuar kolapsin e monedhës kombëtare.

Romney ka thënë se do të kishte ndërmarrë më herët sanksione të ashpra kundër Iranit dhe ka premtuar se, nëse zgjidhet, do t’i forcojë edhe më tej ato.

Për gazetarin iraniano-amerikan, Goudarz Eghtedari, asnjëri nga kandidatët nuk ndjek politika të tilla për Iranin, që do të fitonin votën e tij. Ai thotë se është e dhimbshme të shikosh nga larg se si sanksionet janë duke dëmtuar qytetarët mesatarë, derisa udhëheqësit iranianë mbeten të paprekur.

Në vitin 2008, Eghtedari ka mbështetur Obamën, por tani thotë se është i zhgënjyer dhe i zemëruar me mungesën e “ndryshimeve të vërteta” në marrëdhëniet e SHBA-së me Iranin.

“Ne duhet të angazhohemi me ta, por nuk jemi angazhuar. Angazhimi është diçka që ka bërë Evropa në vitet 1990 me Iranin, duke u përfshirë ekonomikisht me të”, thotë Eghtedari.

Por, për biznesmenin Shahriar Etminani, angazhimi me Republikën Islamike është i pamundur. Ai dëshiron të shohë një kryengritje, që do të rrëzonte regjimin.

Ai favorizon Romneyn. Etminani thotë se administrata e Obamës ka refuzuar t’i ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë opozitës iraniane në protestat kundër rizgjedhjes së presidentit iranian, Mahmud Ahmadinejad, pasi ka shpresuar në negociata me Republikën Islamike.

Kur populli të ngrihet në këmbë herën tjetër, ai do që të ketë ndihmë të prekshme, thotë Etminani.

“...por, bazuar në atë që ka bërë presidenti Obama, është mjaft e garantuar se ai nuk do të ofrojë ndihmën e prekshme për opozitën. Ai ka dhënë zero indikacione se është i gatshëm për të bërë një gjë të tillë”, thotë Etminani.

Avokati Mike Kazemi nuk pajtohet. Ai beson se politikat e Obamës ndaj Iranit kanë qenë relativisht efektive për të nxehur regjimin dhe për ta mbështetur për qoshe.

Kazemi e sheh presidencën e Romneyt si një hap prapa.

“Guvernatori Romney ka të njëjtat politika që kanë çuar në luftë të shtrenjtë, të përgjakshme dhe të panevojshme në Irak dhe në dështimet në Afganistan”, thotë Kazemi.

Ai beson se, nëse Romneyr zgjidhet, shanset për luftë me Iranin do të rriten.

“Besoj se lufta do të ishte një qasje e trashë ose krejtësisht e marrë. Lufta do të ishte saktësisht ajo çfarë do regjimi i Iranit. Rënia e bombave do të çonte te një lloj konsolidimi i pushtetit të tij dhe shtypje e mëtejshme e opozitës, nën flamurin e sigurisë kombëtare dhe të interesave kombëtarë”, shprehet Kazemi.

Një studim i vitit 2011, i kryer nga Aleanca për Marrëdhënie Publike e Iraniano-Amerikanëve, ka konstatuar rënie të ndjeshme në mbështetjen e diasporës së Iranit për presidentin Obama. Pavarësisht kësaj, 55 për qind e iraniano-amerikanëve kanë thënë se në zgjedhjet e 2012-ës do të votonin për Obamën.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum