E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 01:55

SHBA: Fushatë maratonë e Obamas dhe Romneyt

Fushata e dy kandidatëve në prag të zgjedhjevei
|| 0:00:00
...
 
🔇
X
04.11.2012
Presidenti Barack Obama bëri thirrje për mbështetje para ditës së zgjedhjeve, në tubimin në Bristow, Virginia më 3 nëntor, ndërsa i nominuari republikan për president, Mitt Romney, zhvilloi fushatë në Englewood, Colorado, duke u thënë votuesve se ai përfaqëson "ndryshimin e vërtetë". Video: Reuters

Fushata e dy kandidatëve në prag të zgjedhjeve

RFE /RL
Kanë mbetur vetëm dy ditë të fushatës elektorale para zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Sondazhet flasin për një garë shumë të ngushtë apo të barabartë mes presidentit Barack Obama dhe sfiduesit të tij republikan, Mitt Romney.

Të shtunën, kandidatët kanë bërë secili nga shtatë ndalesa në kuadër të fushatës në shtetet e papërcaktuara, të cilat do të vendosin të martën se kush do ta udhëheqë Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, duke folur në tubimin zgjedhor në Bristow të Virxhinias, iu ka thënë amerikanëve që të mos e humbasin shpresën për vazhdimin e ndryshimeve.

“Mund të ketë ndonjë kohë kur jeni të frustruar me dinamikën e ndryshimit. Unë jam nganjëherë i frustruar me dinamikën e ndryshimit. Por, ju e dini se unë e kam me gjithë mend atë që e them dhe e them atë që e kam me gjithë mend”.

“Ju e dini në çka besoj. Ju e dini se ku qëndroj. Kur kam thënë se do t’i japim fund luftës në Irak - edhe i kemi dhënë fund. Kur kam thënë se do të miratojmë reformën e kujdesit shëndetësor - ne e kemi miratuar atë. Ju e dini se unë them të vërtetën. Më e rëndësishmja, ju e dini se do të luftoj për ju dhe familjet tuaja çdo ditë sa më shumë që të mundem”,
është shprehur Obama.

Obama i ka inkurajuar amerikanët që ta mbështesin edhe për një mandat të dytë.

“Kemi shkuar aq larg për të bërë kthim prapa tash. Kemi shkuar aq larg për ta lënë ligështimin të rritet në zemrat tona. Tani është koha që të vazhdojmë përpara- që të edukojmë të gjithë fëmijët tanë, të trajnojmë të gjithë punëtorët, të krijojmë vende të reja pune, të rindërtojmë infrastrukturën, të zbulojmë burime të reja energjie, të zgjerojmë mundësitë tona, të rrisim klasën e mesme, të rivendosim demokracinë tonë dhe të sigurojmë se pa marrë parasysh se kush jeni, prej nga vini, si dukeni, si e keni mbiemrin, kë e doni - ju mund ta bëni këtë në Amerikë, nëse përpiqeni”, është shprehur Obama.

Ndërsa, kandidati republikan, Mitt Romney, në tubimin zgjedhor në Englewood të Kolorados ka premtuar se po qe se zgjidhet president, do të lërë anash dallimet partiake.

“Kur të zgjidhem ...do të punoj me republikanët dhe demokratët në Kongres. Do të takohem rregullisht me liderët e tyre. Do të përpiqem që të gjejë burra dhe gra të mira nga të dy anët që kujdesen më shumë për shtetin tonë, sesa për politikën”, u shpreh Romney.

Kandidati republikan ka thënë se përvoja si guvernator i Masaçusetsit, do t’i ndihmojë në drejtimin eventual të SHBA-së.

“Si guvernator i shtetit tim të Masaçusetsit, e di se arritjet më të mira janë arritjet e përbashkëta. Kam mësuar se respekti dhe vullneti i mirë bëjnë rrugë të gjatë. Kjo është ajo se si unë do të sillem si president. Unë do t’i bëjë bashkë njerëzit, duke bërë gjëra të mëdha për të mirën e përbashkët: nuk do të prezantojë vetëm një parti, do ta prezantoj një komb”, ka theksuar Romney.

Zgjedhjet presidenciale mbahen më 6 nëntor. Superstuhia Sandy që goditi bregun lindor të SHBA-së ka lënë në hije javën e fundit dhe më të rëndësishmen të fushatës zgjedhore.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum