E martë, shtator 30, 2014 Kosova 19:52

VOX

Të rinjtë, pa mbështetje institucionale

Ilustrim
Ilustrim
Institucionet e Kosovës, në masë të madhe kritikohen nga të rinjtë të cilët thonë se asnjë nga to nuk po ofron mundësi për zhvillimin e mëtejmë të të rinjve. Ata, kryesisht ankohen për faktin se, edhe pse janë në përfundim ose kanë kryer studimet, nuk kanë mundësi të gjejnë vend pune ose të merren me ndonjë aktivitet.

Studentja Shkëndije Bytyçi, e cila studion shkencat politike, konsideron se shumë të rinj në vend nuk mund të zhvillojnë aktivitet, edhe pse mund të kenë projekte dhe ide të ndryshme.



“Unë jam studente dhe mund të them se sot në Kosovë,  nuk ka shumë përparësi për rininë. Shumica e të rinjve të Kosovës mund të them që kanë mendimin për të dalë jashtë. Këtu nuk ka asgjë, nuk po shohim perspektivë. Me një fjalë, nuk ka asgjë. Jam para diplomimit dhe nuk besoj që mund të gjej punë”, thotë Shkëndija.

Egzontina Kuçi, një studente tjetër e Universitetit të Prishtinës, lidhur me këtë çështje thotë:

“Institucionet nuk na kanë ofruar asnjë mundësi, apo zhvillim të aktiviteteve dhe asnjë mbështetje për studime. Thjesht, ne vetë duhet të interesohemi si dhe çka të bëjmë për të mirën tonë. Madje, edhe nëse do që të merresh me diçka, duhet të vetëfinancohesh”.

Kurse, Drenusha Kyçyky, një e re nga Prishtina, thotë se dhe pse Kosova, që nga shpallja e pavarësisë ka mundësi më të mëdha për të bërë më shumë për të rinjtë, deri më tash, sipas saj, nuk është vërejtur asnjë e mirë për gjeneratat e reja.

“Për sa i takon çështjes së aktiviteteve, kjo varet nga vetë-organizimet e të rinjve, si për shembull për gjëra humanitare ose diçka të ngjashme, sepse nga institucionet shtetërore nuk ka kurrfarë mbështetjeje. Për shembull, nëse do të bësh master, duhet të financohesh vetë. Në asnjë shtet të Evropës nuk ka diçka të tillë. Ne jemi barrë e prindërve, jemi barrë e familjeve dhe e dimë se si është gjendja ekonomike në Kosovë”, shprehet Drenusha.

Edhe Helena Nocaj, e cila studion në Fakultetin Ekonomik, drejton kritika ndaj institucioneve të vendit, kur bëhet fjala për mundësitë që duhet t’i kenë të rinjtë tash dhe në të ardhmen:

“Nuk janë duke ofruar asnjë alternativë, edhe pak ka mundësi, të paktën për një praktikë për studentët. Edhe pse ne vetë- financohemi dhe mbarojmë studimet, në fund nuk ndodh asgjë”.

Mirëpo, Kujtesa Alaj thotë se institucionet e Kosovës janë duke punuar mirë, veç tjerash edhe për të ardhmen e të rinjve dhe gjeneratave të ardhme.

“Po mendoj se edhe nëse nuk mund t’ia arrijnë qëllimit, ata po mundohen të bëjnë  gjithçka për ne. Nuk është se nuk po punojnë, po mundësitë në Kosovë janë më të vogla dhe dihet që buxheti ende nuk është i madh. Ata po mundohen të hapin edhe fabrika e gjëra të tjera”, thotë Kujtesa.

Katarina Palushaj, e cila studion në Fakultetin e Arkitekturës, shprehet:

“Deri tash nuk kanë bërë diçka ndoshta që ne të mendojmë që e ardhmja jonë të jetë më e mirë. Unë studioj arkitekturën dhe të ardhmen time në këtë profesion nuk e shoh të mirë. Nuk ka shumë perspektivë, mendoj që me këtë profesion është më mirë të studioj master ose të punoj diku jashtë shtetit se në Kosovë nuk ka asgjë”.

Shpëtim Kodra, student në Universitetin e Prishtinës mendon se nëse të rinjtë  duan të zhvillohen dhe të depërtojnë lehtë për të gjetur punë, duhet që patjetër të jenë pjesë e ndonjë partie politike, gjë që, sipas tij, kjo është gjë shumë e keqe për të rinjtë dhe vendin.

“Secila parti politike është duke trajnuar(të rinj), ka krijuar nga një lëvizje studentore. Dhe, e vetmja rrugë e studentëve dhe e të rinjve ka mbetur që të inkuadrohen në ndonjërën prej tyre, që nesër të jenë pjesë e institucioneve. Do të thotë, nuk shoh ndonjë rrugë tjetër. Institucionet kanë kontribuar në këtë mënyrë, që të rinjtë të inkuadrohen në lëvizje studentore, të trajnohen dhe nesër të marrin poste, siç është shembulli më i ri me Sejdi Hoxhën, që sot është kryeshef ekzekutiv i PTK-së, e shumë raste të tjera”, thotë Shpëtimi.

Kurse, Blerta Mehmeti, e cila ka vijuar studimet në Fakultetin Juridik, shprehet se nga ajo që ka parë dhe vërejtur, nuk ka shumë përkushtim të institucioneve për të rinjtë.

“Në përgjithësi, institucione e vendit, e në veçanti ato arsimore, nuk janë duke ofruar mundësi për të rinjtë. Nëse kërkon trajnime adekuate, nuk i gjen kurrë në Kosovë, as me pagesë, e as pa pagesë. Ndoshta edhe vetë të rinjtë, shoqëria civile, organizatat e të rinjve duhet të mundohet më shumë për të rinjtë se nuk mendoj që institucionet do të bëjnë diçka për ta”, thekson Blerta.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum