Ndërlidhjet

National Interest: Në Evropë po rikthehet nacionalizmi


BE
BE
Zgjedhjet parlamentare, të mbajtura së fundmi në Ukrainë, kanë konfirmuar një trend të vazhdueshëm në Evropë. Partitë e ekstremit të djathtë janë duke kaluar pragun e pranueshmërisë zgjedhore dhe duke u bërë figura kryesore politike, shkruan National Interest.

Partia nacionaliste Svoboda, e cila e sheh veten në një linjë me ideologjitë e ekstremit të djathtë francez, Frontit Kombëtar, ka fituar 10 për qind të votave dhe pritet të sigurojë 33 ulëse në legjislaturën e Ukrainës. Për dallim, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, Svoboda ka fituar më pak se 1 për qind të votave.

Sipas gazetës, lëvizjet si Svoboda e përshkruajnë ideologjinë e tyre udhëheqëse si “naciokraci”. Thirrja e Svoboda-s në zgjedhjet e fundit ka qenë: Autoritetet tona, prona jonë, dinjiteti ynë në Tokën tonë, të dhënë nga Zoti – ndjenja që rezonojnë edhe në vende të tjera evropiane.

Gazeta kujton këtu lëvizjen Golden Daën në Greqi - për kohë të gjatë e parë si organizatë anësore - e cila në zgjedhjet e fundit ka marrë 14 për qind të votave. Në Hungari, Lëvizja për një Hungari më të Mirë, e cila në vitin 2006 la marrë 2 për qind të votave, tani është partia e tretë më e madhe e përfaqësuar në Parlament.

Në Francë, Marine Le Pen, e Frontit Kombëtar, ka siguruar 18 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, duke u renditur e treta pas Nicoals Sarkozy dhe Francois Hollande. Ky, sipas gazetës, është numri më i madh i votave që ka siguruar Fronti Kombëtar ndonjëherë.

Mediat perëndimore kanë tentuar të përqendrohen në ksenofobinë e këtyre partive – në shpërthimet e tyre kundër imigrantëve, pakicave kombëtare dhe hebrenjve. Ato kanë shpjeguar rritjen e papritur të tyre si “vota proteste” kundër qeverive ekzistuese, për shkak të dështimit të tyre në zgjidhjen e krizës ekonomike në Evropë.

Por, realiteti kryesor është se të gjitha këto parti po rrisin ndikimin, për shkak të numrit në rritje të evropianëve, të cilët nuk besojnë në “ëndrrën evropiane” dhe në premtimin se bashkimi çon në prosperitet të përbashkët.

Duke u kthyer në vitet pas, National Interest shkruan se këto parti kanë qenë në margjina të politikës dhe rrallë kanë kaluar pragun zgjedhor për të fituar një përfaqësues të vetëm në parlament. Sot, disa nga këto lëvizje kanë shanse të bëhen mbretër në sistemet parlamentare, ku qeveritë qëndrojnë mbi koalicione jostabile.

Por, në vende të tjera, vijon artikulli, ndikimi i tyre është më i tërthortë. Këto lëvizje nuk kanë gjasa të fitojnë pushtetin, por mund të zhvendosin drejtimin e diskursit politik, duke shpalosur ide, që dikur mund të jenë konsideruar si devijim, dhe duke i sjellë ato në sferën e polemikave legjitime.

Çështjet si migracioni, asimilimi dhe nacionaliteti, dikur subjekte tabu në politikat e Evropës, janë bërë sërish subjekte debatesh, shkruan National Ineterst.

Dhe, disa parti të tjera në Evropë, të tilla se True Finns në Findlandë, Fidesz-i në Hungari dhe disa nga pjesët përbërëse të partisë së ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, mund të përfitojnë shpesh duke paraqitur veten si “mbrojtës më pak ekstremë të interesave kombëtarë”, shkruan gazeta.

Së bashku me lëvizje “naciokratike” janë rritur edhe lëvizjet e separatistëve, përkatësisht përpjekjet për të ndarë shtetet evropiane. Skocia, e cila për kohë të gjatë është parë si pjesë e pandarë e Mbretërisë së Bashkuar, do të mbajë referendumin për pavarësi në vitin 2014. Në Spanjë, forcat pro pavarësisë kanë fituar zgjedhjet lokale në krahinën Bask muajin e kaluar, ndërsa nacionalistët katalonas pritet të fitojnë zgjedhjet lokale në Kataloni, këtë muaj.

E ardhmja e një shteti të unifikuar spanjoll mund të shtrëngohet, shkruan gazeta National Interest. Ajo përmend edhe Belgjikën, ku Aleanca e Re Flamane, e cila, ndonëse ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e 2010-ës, është mbajtur jashtë qeverisë nga një koalicion i madh i partive të tjera, ka fituar zgjedhjet lokale në rajonin flaman dhe ka premtuar se do të shtyjë përpara në agjendë çështjet e ndarjes.

Nacionalizmi i modës së vjetër mund të shënojë një rikthim dramatik për Evropën e angazhuar drejt integrimit të përbashkët, shkruan National Interest.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG