Ndërlidhjet

Paradoksi politik, ekonomik e social i Kosovës


Ilustrim
Ilustrim

Shumica e qytetarëve të Kosovës fajësojnë qeverinë për orientimin politik dhe ekonomik të vendit, vë në dukje sondazhi i Pulsit Publik i publikuar nga Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë (UNDP).

Sipas sondazhit, 66,7 për qind nga 1300 të anketuarve janë shprehur të pakënaqur me orientimin politik të Kosovës, ndërsa 75,2 për qind kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre për orientimin ekonomik të vendit.

Përgjegjës për gjendjen politike dhe ekonomike të Kosovës, sipas 77,5 për qind të të anketuarve është ekzekutivi i vendit.

Udhëheqësi i projektit në UNDP, Atdhe Hetemi, dha detaje për nivelin e pakënaqësisë rreth gjendjes ekonomike të Kosovës duke vlerësuar se niveli për këtë mbetet ende i lartë.

Kur të dhënat tona janë analizuar në baza etnike, atëherë shohim se shumica e etniciteteve që jetojnë në Kosovë bëjnë përgjegjës prapë qeverinë e Kosovës. Diku 79 për qind e shqiptarëve, 60 për qind të serbëve dhe 65 për qind të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë përgjegjës për gjendjen momentale ekonomike në vend e bëjnë direkt qeverinë e Kosovës”, u shpreh ai.

Krahasuar me sondazhin paraprak të zhvilluar në muajin prill, dokumenti i publikuar të hënën flet për rritjen e pakënaqësisë së kosovarëve për punën e qeverisë, të kryeministrit dhe të gjykatave, ndërsa vërehet një përmirësim i vogël në kënaqshmërinë e punës së parlamentit, kryetarit të Kuvendit, presidentes dhe Zyrës së Prokurorit.

Në sektorin social, 42 për qind e të anketuarve kanë thënë se papunësia është ende shqetësimi më i madh për shoqërinë kosovare, ndërsa 20 për qind prej tyre e kanë cilësuar si problem kryesor varfërinë.

Sociologët i cilësuan si shqetësuese të dhënat e publikuara, por thanë se pavarësisht realitetit ekzistues, shoqëria kosovare po reagon me një indiferencë ndaj problemeve që kanë të bëjnë me zhvillimin politik apo ekonomik të vendit.

Profesori i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku, tha se përderisa fitohet përshtypja se shoqëria e vendit është e kënaqur me gjendjen ekzistuese, në fakt po thellohet ndarja në mes të pasurve dhe të varfërve.

Kjo, sipas Malokut, është një paradoks i llojit të vet.

Në shoqërinë kosovare janë duke u rritur antagonizmat në mes të pasurve dhe të varfërve. Zakonisht në shoqëritë normale procesi i seleksionimit të shtresave është pasojë e zhvillimit të njëpasnjëshëm të fazave të kapitalizmit. Pra, ka një logjikë të zhvillimit të ngjarjeve ekonomike dhe sociale-një zinxhir të tërë ku njerëzit dhe shoqëria zhvillohen në bazë të disaparametrave socialë dhe ekonomikë. Në Kosovë kemi fenomene që ndoshta s’mund t’i hasësh askund-kemi paradokse të llojit të vet”, u shpreh ai.

Sondazhi i Programit për Zhvillim të kombeve të Bashkuara në Kosovë vë në pah gjithashtu perceptimet e qytetarëve për nivelin e korrupsionit në institucionet udhëheqëse të vendit.

Në krahasim me muajin prill, thuhet se është rritur përqindja e qytetarëve që mendojnë se korrupsioni i shkallës së lartë është i pranishëm në institucione të ndryshme.
XS
SM
MD
LG