Ndërlidhjet

Përse gomari dhe elefanti simbolizojnë partitë në SHBA?


Elefanti dhe gomari
Elefanti dhe gomari
Për dekada të tëra, Partia Demokratike në Shtetet e Bashkuara është përfaqësuar nga një gomar, ndërsa ajo Republikane nga një elefant. Megjithatë, shumë njerëz nuk e dinë se nga rrjedhin këto simbole.

Përdorimi i parë i gomarit për të përfaqësuar Partinë Demokratike ka ndodhur në vitin 1828, gjatë fushatës presidenciale të Andrew Jacksonit. Jackosn ka qenë hero i njohur i luftës, pas fitoreve në Luftën e vitit 1812, dhe ka zhvilluar fushatën nën moton “Le të sundojnë njerëzit”.

Kundërshtarët e kanë sulmuar atë si populist dhe e kanë quajtur “gomar”. Por, Jackosn e ka pëlqyer krahasimin dhe ka përdorur “gomarin” si simbol të fushatës së tij. Kundërshtarët më vonë kanë përdorur “gomarin” për të paraqitur kokëfortësinë e Jacksonit në detyrë.

Por, personi më përgjegjës për bërjen e gomarit simbol të Demokratëve dhe elefantit simbol të Republikanëve, ka qenë karikaturisti i revistës “Harper’s Weekly”, Thomas Nast.

Ai ka përdorur gomarin në vitin 1870 për të përfaqësuar një fraksion anti-luftë, me të cilin nuk është pajtuar. Vitin pasues, Nast ka përdorur elefantin në një karikaturë, duke paralajmëruar Republikanët se lufta e tyre e brendshme do t’i dëmtojë ata në zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, ka qenë karikatura e tij “Paniku i Mandatit të Tretë”, e publikuar më 7 nëntor të vitit 1874, ajo që do t’i bënte kafshët simbole të përhershme të partive.

Në atë kohë, republikani Ulysses S. Grant kishte shërbyer dy mandate si president dhe po shqyrtonte mandatin e tretë. Në karikaturë, një gomar i veshur me lëkurë elefanti frikëson kafshët e tjera, përfshirë edhe një elefant të identifikuar si “Vota Republikane”.

Imazhet e karikaturës vijnë nga fabula e Aesopit “Gomari në lëkurën e luanit”, me mesazhin se "një budalla mund të fshehë pamjen, por fjalët e tij do ta tradhtojnë".

Nast ka vazhduar të përdorë elefantin për të simbolizuar “votën e Republikanëve”, derisa ai thjesht është bërë “republikan”. Së shpejti, karikaturistët e tjerë politikë kanë vazhduar idenë dhe gomari e elefanti tani përdoren gjerësisht si simbole të dy partive.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG