E martë, tetor 21, 2014 Kosova 12:21

Aktuale

Katër vjet të tjera: Punët e pakryera të Obamës

Barack Obama
Barack Obama
Heather Maher
Presidenti amerikan Barack Obama iu kërkoi amerikanëve gjatë fushatës zgjedhore një mandat tjetër, siç tha për të “përfunduar e atë që kemi filluar” në vitin 2008.

Kemi shkuar shumë larg për t’u kthyer prapa tash. Ne kemi shumë punë për të zbatuar reformën e kujdesit shëndetësor. Ne kemi shumë punë për të krijuar vende të mira pune. Ne kemi për të punësuar shumë mësues. Kemi për të ndërtuar shumë shkolla. Ekziston shumë energji për t’u gjeneruar në vend. Ka edhe shumë trupa që duhet të kthehen në vend... Kjo është arsyeja pse jam duke kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, është shprehur Obama.

Në mbrëmjen e kaluar, ai fitoi mandatin e dytë sipas parashikimeve të rrjeteve televizive. Sot, fillon puna e tij.

Nuk është çudi, që agjenda e brendshme e Obamës për katër vjetët e ardhshëm nuk do të duket shumë më ndryshe nga agjenda në mandatin e tij të parë.

Ekonomia tani mund të shkojë ngadalë drejt përmirësimit, në vend të përkeqësimit, dhe numër më i madh i amerikanëve janë duke gjetur punë. Por, çështjet ekonomike do të mbeten shqetësimi më urgjent i presidentit të SHBA-së.

Obama i tha së fundi rrjetit kabllor të lajmeve, MSNBC se nëse rizgjidhet, prioriteti i tij i parë i tij do të jetë shtyrja e miratimit të një plani për reduktimin e borxhit,  për të shkurtuar shpenzimet dhe për të rritur taksat për amerikanët më të pasur.

Obama ka paraqitur iniciativat për rritjen ekonomike, përmes rritjes së prodhimit dhe energjisë, duke investuar në infrastrukturë, dhe duke inkurajuar bizneset, që të punësojnë më shumë punëtorë.

Por, disa punë kanë mbetur të papërfunduar gjatë mandatit të tij të parë e të cilat kërkojnë vëmendje.

Administrata e tij ka ende punë për ta zbatuar planin e reformës bankare, dhe mbetet ende shumë punë për legjislacionin e reformës shëndetësore, të njohur ndryshe si “Obamacare”, e cila është planifikuar të hyjë në fuqi, duke filluar nga viti 2014.

Vëzhguesit presin që Obama të merret edhe me reformën e imigracionit. Disa ditë para zgjedhjeve, Obama i tha një gazetari:

A duhet ta fitojë një mandat të dytë... Një arsye e madhe është se kandidati republikan dhe Partia Republikane e kanë tjetërsuar në mënyrë të shpejtë grupin demografik që po rritet më së shpejti në vend - komunitetin latin”.

Judd Legum, kryeredaktor i ThinkProgress, një uebfaqe lajmesh liberale, thotë se Obama gjithashtu ka gjasa që t’i kthehet çështjes së ndryshimeve klimatike, për të cilën nuk u bë asgjë në mandatin e tij të parë, kryesisht për shkak të shqetësimeve se rregullimi do të përkeqësonte ekonominë edhe ashtu në gjendje të keqe.

Unë mendoj se moti ekstrem që patëm në Shtetet e Bashkuara në veçanti, uragani  Sandy, që sapo goditi Bregun Lindor - do të tërheqë vëmendjen sërish ndaj ndryshimeve klimatike dhe unë mendoj se ka shpresa se Obama do të ndërmarrë disa prej këtyre iniciativave”, u shpreh Legum.

Agjenda e politikës së jashtme në mandatin e dytë të presidentit, duket se në masë të madhe do të ndërtohet, mbi bazë të asaj që është bërë deri tash. Lufta në Afganistan duhet të pushojë deri në vitin 2014, parashikimet se sanksionet e ashpra ndaj Iranit do të japin fryte, dhe përfshirja e fundit e SHBA-së edhe ushtarakisht edhe ekonomikisht në rajonin e Azi-Paqësorit.

Republikanët kanë tërhequr vërejtjen para zgjedhjeve se një mandat i dytë për Obamën, që tashmë është i çliruar nga presioni i rizgjedhjes, do ta trimërojë atë që ta ndjekë agjendën personale të tij.

Christopher Preble, nënkryetar për studimet e mbrojtjes dhe të politikës së jashtme në Institutin CATO, thotë se ky është një supozim i gabuar.

Presidentët në mandatin e tyre të dytë, kujdesen për trashëgiminë e tyre, thotë ai, dhe duan të lënë detyrën si figura popullore. Dhe përtej kësaj, ekzistojnë gjithmonë pasojat politike për partinë politike të presidentit:

Nëse një president duhet të bëjë diçka në politikën e jashtme, që është tepër ndryshe, nga ajo që dëshiron publiku, ai rrezikon ta dëmtojë rëndë partinë e tij, dhe mendoj se ata kujdesen për këtë gjë. Ne në fakt e pamë deri në një masë të caktuar këtë në mandatin e dytë të Bushit, kur Presidenti Bush u përpoq të bëjë disa ndryshime në politikën e jashtme, por në çështjen kritike të Irakut – kundër së cilës ishte kthyer me vendosmëri publiku në vitin 2005-2006, vendimi i tij për të zgjeruar luftën në kundërshtim me ndjenjat e publikut, mendoj se e dëmtoi Partinë Republikane në vitin 2006 dhe 2008”, u shpreh Preble.

Në çështje të mëdha, Preble thotë se pret që Obama të vazhdojë politikat e njëjta që i ka ndjekur në katër vjetët e fundit.

Ai thekson se nga pikëpamja e Shtëpisë së Bardhë, sanksionet ndaj Iranit janë duke dhënë efektin e tyre, ato kanë gjymtuar sektorin bankar të vendit, kanë dëmtuar industrinë e naftës, dhe e kanë pllakosur monedhën e vendit.

Të gjitha këto gjëra do të marrin ca kohë, por ato duket se do të kenë efekt, së paku në gjendjen e ekonomisë iraniane. Kështu që unë mendoj se ai ka të ngjarë të vazhdojë këtë rrugë edhe për një kohë të gjatë”, u shpreh Preble.

Preble nuk pajtohet me spekulimet në disa qarqe se në mandatin e dytë Obama do të ndjehet më i lirë për të ndërmarrë një linjë të ashpër ndaj Izraelit dhe t’i bëjë presion shtetit hebraik për të bërë koncesione në çështjen izraelito-palestineze. Në fakt, ai nuk e sheh këtë çështje si një prioritet për Obamën:

Sa herë që Shtetet e Bashkuara bëjnë presion ndaj qeverisë izraelite për të ndaluar zgjerimin e vendbanimeve në territoret palestineze, kanë dështuar. Unë sinqerisht do të befasohesha, nëse ai investon një pjesë të kapitalit politik atje, duke marrë parasysh të gjitha çështjet e tjera në tryezë”, u shpreh Preble.

Në çështjen e Sirisë, ku lufta e përgjakshme mes qeverisë dhe luftëtarëve kundër regjimit po stërzgjatet, Obama ka marrë një qasje kryesisht të butë, përveç se po ndihmon  në organizimin e fraksioneve kryengritëse dhe kryeson thirrjet ndërkombëtare që presidenti Bashar al-Asad të japë dorëheqje.

Preble thotë nuk ka gjasa që të ndryshojë kjo rrugë, duke marrë parasysh se opinioni publik amerikan është kundër një operacioni tjetër ushtarak të SHBA-së.

Rivendosja e raporteve me Moskën, që u kumtua shumë në fillim të mandati të tij, ka çuar në bashkëpunimin mbi çështjet, si Iranin dhe Afganistanin, por presidenti Vladimir Putin tani është në pushtet dhe po tregon atë që shumë e shohin si përbuzje të hapur për Shtetet e Bashkuara.

Preble tha se ai ndjen se Obama “nuk ka krijuar një lidhje të vërtetë me presidentin Putin", por ai nuk parashikon ndryshime të mëdha në marrëdhëniet SHBA-Rusi, dhe në fakt nuk e përjashton bashkëpunimin rus për Sirinë, dhe madje edhe për Kinën.

Dhe së fundi, mbi Kinën: Obama ka folur ashpër gjatë fushatës rreth politikave tregtare të Pekinit - duke i quajtur ato të padrejta dhe madje edhe të paligjshme - dhe u zotua se do të ndërmarrë masa. Ai tashmë ka mbikëqyrur ndryshimet në Departamentin e Mbrojtjes që do ta rrisin praninë suhtarake në rajonin e Azi-Paqësorit dhe do të shërbejë si një kundërpeshë ndaj ambicieve ushtarake të Kinës në atë pjesë të botës.

Preble thotë se në rajonin e Azi-Paqësorit, ai pret që Obama të forcojë lidhjet e SHBA-së me aleatët tradicionale si Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë, por edhe për të arritur deri te vendet që kanë treguar interes në lidhjet më të ngushta me  SHBA-në, si Vietnami, Indonezia dhe Filipinet. (a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum