E enjte, gusht 28, 2014 Kosova 01:00

Shtypi botëror

Rizgjedhja e presidentit Obama; tani fillon puna e vëshirë

Barack Obama
Barack Obama
Fitorja dramatike e rizgjedhjes së presidentit Barack Obama nuk ishte një shenjë që një komb i ndarë përfundimisht ishte bashkuar në ditën e zgjedhjeve, por ishte një shënim i fortë i politikave ekonomike që theksojnë rritje të punësimit, reforma në shëndetësi, rritje të taksave dhe ulje të deficitit të balancuar, shkruan në numrin e sotëm gazeta e përditshme nju jorkeze, “The New York Times”.

Sipas gazetës, fitorja e presidentit varej shumë nga shtete si Ohajo, ku votuesit dukej se miratonin argumentet e presidentit se qeveria ka një rol të rëndësishëm në krijimin e vendeve të reja të punës në sektorin privat dhe rritjen e ekonomisë. “Ata e kundërshtuan pozicionimin e Romney-t se Uashingtoni duhet të qëndrojë larg këtyre çështjeve, duke ia lënë në dorë tregtisë së lirë”, shkruan New York Times.

Republikanët, sipas gazetës, dështuan në tentimet e tyre për t’i fituar votat e qytetarëve të Pensilavanisë, ku theksonin se niveli i lartë i papunësisë ishte një dështim në atë shtet dhe më gjerë. Votuesit që thoshin se papunësia ishte një çështje e rëndësishme kryesisht votuan për Obamën.

Zotëri Romney, si duket, kishte marrë një vendim fatal gjatë fushatës kur kërkonte miratimin e një linje të vështirë mbi emigracionin, që i shkaktoi atij një refuzim nga latinët. Duke e lavdëruar ligjin mizor të emigracionit të shtetit të Arizonës, Romney ia vështirësoi vetes punën në Floridë dhe në shumë shtete të tjera të rëndësishme, shkruan New York Times.

Vetëm 1/3 e votuesve thoshin se emigrantët duhet të depërtohen, ndërsa 2/3 e tyre përkrahnin disa rrugë apo mënyra ligjore për dhënien e nënshtetësisë. Qasja republikane, nëse nuk ndryshohet, do t’u kushtojë atyre shumë në të ardhmen, komenton gazeta.

“Por fitorja e Obamës nuk tregoi një komb të bashkuar. Amerikanët e pasur e përkrahën Romney-in, ndërsa ata më të varfër votuan për Obamën. Gjithashtu ka ende ndarje të qarta ndërmjet votuesve në bazë të gjinisë, moshës, racës dhe fesë. Shumica e afro-amerikanëve dhe hispanikëve e përkrahën Obamën. Të bardhët votuan për Romney-in; ai u votua edhe nga ata që thoshin se kundërshtonin martesat e homoseksualëve, ata që donin ta ndalonin abortin, apo ata që dëshironin largimin e emigrantëve nga vendi”, shkruan më tutje New York Times.

Një numër i madh i votuesve thoshin se presidenti George W.Bush duhej fajësuar për gjendjen e ekonomisë, në vend të Obamës. Ata që mendonin se tregtia e brendshme dhe papunësia ishin problemet më të mëdha të vendit, thanë se votuan për Obamën, ndërsa ata që ishin më të shqetësuar për taksat, votuan kryesisht për Romney-in, shkruan gazeta nju jorkeze.

“Dukshëm, 60 për qind të votuesve thanë se taksat duhet të rriten, jo vetëm për të pasurit, por të gjithë qytetarët. Vetëm 35 për qind e votuesve thoshin se taksat nuk duhet të rriten aspak, dhe ai grup, shumica anonin nga Romney. Vetëm 1 në 10 votues thoshin se deficiti është çështja më e rëndësishme me të cilën po ballafaqohet vendi”, shkruan ndër të tjera, e përditshmja New York Times.

Ndërsa në numrin e saj të sotëm e përditshmja amerikane, “Uashington Post” shkruan se katër vjet më parë, Barack Obama u zgjodh president i SHBA-ve, në një kohë kur ekonomia e vendit po shkonte duke rënë. “Zgjedhja e tij për një manda të dytë vjen në një periudhë më të qetë, por ende me probleme. Ekonomia është duke u përmirësuar, por shumë më ngadalë se parashikimet e çdokujt”, shkruan gazeta.

Pas festimeve të shpejta, presidenti duhet të koncentrohet në të ashtuquajturin “shkëmb fiskal”, për rritje të taksave dhe shkurtime të shpenzimeve, që ta largojë vendin nga recesioni, shkruan kjo e përditshme.

Sipas gazetës, rizgjedhja edhe për katër vjet të tjera në krye të vendit, i ofron Obamës një mundësi për t’i realizuar premtimet e mandatit të parë dhe të kompletojë punët e papërfunduara.

“Arritjet, ashtu siç kemi thënë gjatë përkrahjes së Obamës edhe për një mandat tjetër, përfshijnë stabilizimin e ekonomisë dhe reformat në shëndetësi. Këto reforma  në shumciën e rasteve nuk kanë hyrë në fuqi. Në këtë mandat të dytë do të mund të sigurohet arritja e qëllimeve për mbulim më të gjerë të miliona amerikanëve të pasiguruar dhe të nisë procesi i vështirë i rritjes së shpenzimeve shëndetësore”, shkuan Washinton Post.

Sipas gazetës, ka shumë gjëra të papërfunduara, si në vend, ashtu edhe jashtë vendit. Në krye të listës janë reformat e emigracionit dhe ndryshimet klimatike. Jashtë vendit janë programi bërthamor i Iranit, si dhe çështja e tërheqjes së trupave nga Iraku dhe Afganistani. Nuk mund të lihet anash as çështja e Sirisë, ku mbi 30 mijë civilë janë masakruar gjatë mandatit të parë të Obamës, çështje kjo me të cilën ai duhet të merret gjatë mandatit të tij të dytë.

“Në ditën e zgjedhjeve, para katër vjetësh, ne festuam, bashkë me amerikanët e të dyja partive, për faktin që një amerikan me ngjyrë u zgjodh në krye të vendit, dhe shpresuam se një lider i ri dhe karizmatik do të ndihmonte në shërimin e ndarjeve dhe të konfrontohej me zgjedhjet e vështira që politikanët në përgjithësi më me dëshirë do tu shmangeshin. Fitorja e rizgjedhjes së Obamës u ndie si më pak e rëndësishme, por kjo i jep atij mundësinë që t’i plotësojë zbrazëtirat e një trashëgimie ende të pasigurt”, përfundon shkrimin e përditshmja amerikane, Washington Post.

Përgatiti: Valjeta Kosumi