E enjte, tetor 30, 2014 Kosova 14:38

Bota

Irani: Çfarë duhet pritur nga mandati i dytë i Obamës?!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, është rikthyer në zyrë pas një fushate të fuqishme zgjedhore, e cila nuk ka lënë anash as programin bërthamor të Iranit.

Rivali i Obamës, Mitt Romney, e ka akuzuar shpesh atë se është tejet i butë. “Irani kurrë nuk ka qenë më afër aftësive bërthamore dhe më i papenguar nga Amerika”, ka thënë Romney.

Tani, derisa Obama nis mandatin e dytë, shtrohet pyetja se sa është ndikuar ai nga kritikat e tilla?!

A do të vazhdojë Obama të mbetet besnik ndaj strategjisë së tij të dyfishtë, duke vendosur sanksione ekonomike dhe duke zgjeruar ofertat për rivendosje të marrëdhënieve?

Ose, a do të detyrojë Shtëpinë e Bardhë fakti së Irani vazhdon të ndërtojë centrifuga dhe të pasurojë uranium, që të provojë diçka të re?

Përgjigjja mund të vijë që në muajt e parë të mandatit të dytë të Obamës.

Shahshank Joshi, ekspert rajonal pranë Institutit Mbretëror të Londrës, thotë se sanksionet e Shteteve të Bashkuara kanë arritur tashmë nivelin e nevojshëm për të sjellë Iranin në tavolinën e bisedimeve.

Mendoj se nuk ka asnjë dyshim se sanksionet kanë shtrydhur Iranin dhe, së bashku me faktorë të tjerë, kanë bërë që ai t’i rikthehet tryezës së bisedimeve. Kemi parë tre raunde të negociatave këtë vit, ndonëse kanë dështuar. Por, fakti se Irani është ulur në tryezë, është dëshmi se Irani ndjen presionin”, thotë Joshi.

Gazeta izraelite “Yediot Ahronot” ka cituar zyrtarë të paidentifikuar të Izraelit këtë javë të kenë thënë se Uashingtoni ka mbajtur bisedime sekrete në Bahrejn me zyrtarët iranianë.

Muajin e kaluar, e përditshmja amerikane “The New York Times” ka shkruar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë pajtuar në parim që të mbajnë negociata të drejtpërdrejta pas zgjedhjeve në SHBA, edhe pse Obama ka hedhur poshtë raportin në debatin e fundit presidencial.

Joshi thotë se nëse do të ketë bisedime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ato do të shqyrtojnë lehtësimin e sanksioneve të Uashingtonit në këmbim të koncesioneve nga Irani. Koncesionet që do Uashingtoni dhe fuqitë e tjera perëndimore nënkuptojnë që Irani të veprojë në përputhje me kërkesat e Kombeve të Bashkuara dhe të pezullojë aktivitetet bërthamore derisa nuk dëshmon se programi i tij është paqësor.

Megjithatë, koha që Obama ka për negociata mund të mos jetë e pafund.

Një çështje kyçe është nëse Izraeli do të godasë objektet bërthamore të Iranit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kur ka folur në Kombet e Bashkuara në muajin shtator, ka tërhequr një vijë të kuqe për Iranin, përtej së cilës nuk duhet të kalojë.

Ai ka thënë se Irani nuk duhet të lejohet që të grumbullojë uranium të pasuruar, të mjaftueshëm për të krijuar armë bërthamore. Netanyahu ka thënë se Irani mund ta ketë këtë aftësi në verë ose pranverë të vitit 2013.

Obama, në anën tjetër, mund të përballet me vendim të vështirë nëse Irani zhvillon negociata, por vazhdon të ndërtojë edhe centrifuga dhe të pasurojë uranium.

Aktivitetet e tilla mund të bëjnë Obamën që të kushtëzojë me ultimatum Teheranin, duke përfshirë edhe kërcënimin për aksione ushtarake.

Megjithatë, suksesi i sanksioneve që ka ndërmarrë administrata e Obamës lë të kuptohet se Shtëpia e Bardhë i sheh masat ekonomike si më efektive se ato ushtarake dhe se do t’i vazhdojë ato edhe në të ardhmen.

Me këtë pajtohet edhe analisti Ali Ansari pranë Universitetit St. Andrews të Skocisë.

Mendoj se e vetmja situatë në të cilën do të shqyrtoheshin realisht sulmet ushtarake, do të ndodhte nëse iranianët provokojnë diçka. Nuk mendoj se duhet të vijë deri te sulmet sepse ato vetëm se e komplikojnë çështjen”, thotë Ansari.

Është e paqartë nëse Izraeli, i cili druan për sigurinë e tij, do të veprojë në mënyrë të njëanshme në Iran.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum