E enjte, gusht 21, 2014 Kosova 10:13

Kronika

Përcaktohen prioritetet në vendosjen e rendit dhe ligjit

Ilustrim
Ilustrim
Institucionet kosovare për sundimin e ligjit, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe ai i misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, kanë nënshkruar të ashtuquajturën Marrëveshje Kompakte, mbi objektivat e përbashkët të sundimit të ligjit deri në qershorin e vitit 2014.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është bërë në takimin e rregullt të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për sundimin e ligjit.

Marrëveshja kompakte nënvizon zotimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, zhvillimin dhe fuqizimin e një sistemi të pavarur dhe shumetnik të drejtësisë, policisë dhe doganave shumetnike pa ndërhyrje të politikës.

Kjo marrëveshje përfshin edhe zotimin e përbashkët të tri palëve nënshkruese për të punuar në kuadër të kornizës së përgjithshme të politikave të Bashkimit Evropian, siç janë përcaktuar në procesin e stabilizim-asociimit me Kosovën.


Objektivat e marrëveshjes

Fuqizimi i kapaciteteve të Kosovës për përshtatjen e legjislacionit të saj me trupin ligjor evropian, si dhe pranimi i nevojës që autoritetet e Kosovës të bashkëpunojnë në mënyrë efektive me misionin EULEX për të arritur përparim, përfshirë këtu edhe çështjet që janë pjesë e dialogut për liberalizimin e vizave, janë ndër arsyet për arritjen kësaj marrëveshjeje.

Po ashtu, një nga arsyet është edhe gatishmëria për të kontribuuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, Xavier Bout de Marnhac, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar, nënkupton një përkushtim të përbashkët ndërmjet institucionit që ai udhëheq, zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe Qeverisë së Kosovës, për të bërë punën që duhet bërë në vendosjen e sundimit të ligjit.

“Në mënyrë specifike, do të jetë mbështetje e rëndësishme për synimet, do të thosha, strategjike të Kosovës, siç është liberalizimi i vizave, Studimi i Fizibilitetit”, ka thënë shefi i EULEX-it.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka bërë të ditur se misionet evropiane në Kosovë për synim kanë të ndihmojnë zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të paracaktuara në Studimin e Fizibilitetit.

“Në Studimin e Fizibilitetit, një nga prioritetet është sundimi i ligjit dhe në këtë drejtim, kemi një kërkesë për autoritetet në Kosovë, të vazhdojnë bashkëpunimin me EULEX-in”, ka thënë Zhbogar, duke vlerësuar se nënshkrimi i asaj që quhet si Marrëveshje Kompakte, është hap përpara në këtë drejtim.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh edhe ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, e ka përshkruar Marrëveshjen Kompakte si një mundësi të mirë, përmes së cilës institucionet e Kosovës e tregojnë gatishmërinë për të ngritur kapacitetet në fushën e rendit dhe ligjit, si dhe për ngritjen e bashkëpunimit me EULEX-in dhe institucionet tjera të Bashkimit Evropian.

Hajredin KuçiHajredin Kuçi
x
Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
“Unë jam i lumtur që në emër të institucioneve të Kosovës do të kem mundësi ta nënshkruaj këtë (Marrëveshjen Kompakte), duke shprehur gatishmërinë për të fuqizuar rendin dhe ligjin në Kosovë, për të ngritur kapacitetet në institucionet tona dhe për të bashkëpunuar me EULEX-in në të gjitha fushat e përbashkëta”.

“Natyrisht, këtu do të ndihmojmë shumë, jo vetëm në ngritjen e rendit dhe ligjit, por edhe plotësimin e kritereve të BE-së. Besoj se gjithnjë do t’i ngremë kapacitetet tona, besoj që është një punë e mirë dhe se sukseset tona do të jenë më të mëdha”
, është shprehur Kuçi.

Ndryshe, siç thuhet në Marrëveshjen Kompakte, institucionet e Kosovës të ndihmuara nga misioni EULEX, janë zotuar për objektiva të përbashkët nga fusha e sundimit të ligjit.

Bordi i Përbashkët Bashkërendues për sundimin e ligjit do ta shqyrtojë rregullisht  përparimin e arritur në zbatimin e veprimeve që dalin si obligime nga Marrëveshja Kompakte.

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum