E mërkurë, gusht 20, 2014 Kosova 12:43

Rajoni

Maqedoni: S’ka vullnet për ta luftuar korrupsionin

Ilustrim
Ilustrim
Pushteti nuk dëshiron të kuptojë rëndësinë e pavarësisë në kuptimin e plotë të fjalës, sa i përket sistemit gjyqësor, si një nga segmentet më të rëndësishme të zhvillimit të shtetit demokratik konform standardeve që vlejnë për shtetet e zhvilluara, konstaton organizata joqeveritare “Transparencë-Maqedoni”, në raportin e saj të fundit.

Si probleme parësore, me të cilat përballet vendi, raporti fokuson sundimin e së drejtës, si dhe mosrespektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Ana Janevska-Delleva, drejtoreshë  në organizatën “Transparencë-Maqedoni” thekson se stërzgjatja e reformave në gjyqësor ka impakt të drejtpërdrejtë në dështimet e Qeverisë për ta luftuar korrupsionin.

“Në lëmin e gjyqësorit, nuk është bërë pothuajse asgjë, për një arsye të thjeshtë - sepse mungon vullneti politik nga ana e udhëheqësve shtetërorë për të realizuar me sukses reformat në sistemin gjyqësor, që me këtë t`i shpallet  luftë e pakompromis korrupsionit”, thotë Janevska-Delleva.

Ajo potencon se korrupsioni paraqitet si “gangrenë e pashërueshme”, veçanërisht në furnizimet publike dhe te shërbimet e administratës.

“Ne dëshirojmë ta paralajmërojmë Komisionin Evropian dhe opinionin se sot në Maqedoni pothuajse është e pamundur lufta ndaj parandalimit të korrupsionit dhe kjo situatë do të vazhdojë edhe për një kohë sepse udhëheqësit shtetërorë nuk bëjnë as edhe veprimin më të vogël për të realizuar me sukses reforma të tërësishme në administratë dhe veçanërisht të ndryshojnë mënyrën e qasjes së saj në shërbimin e qytetarëve”, thekson Janevska-Delleva.

Ndërkaq, ekspertët thonë se strukturat udhëheqëse në Maqedoni e kanë kuptuar se është shumë më lehtë të “nxirren” me probleme më të mëdha, si çështja e emrit apo marrëdhëniet ndëretnike, duke e lënë korrupsioni gjithmonë në plan të dytë.

Naser Ziberi, ekspert për çështje juridike, duke komentuar raportin e fundit të “Transparencë-Maqedoni”, thotë se pushteti e kontrollon gjyqësinë dhe e detyron të veprojë në mënyrë selektive.

Sipas Ziberit, politika ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në krimin me menaxhimin e mjeteve publike, të cilat raporti i thekson si dobësi të politikës.

Ai numëron disa segmente që paraqesin hallkë të dobët, sa i përket ndërtimit të një sistemi të pavarur gjyqësor.

“Personat që janë pjesë e sistemit gjyqësor nuk kanë kapacitete të mjaftueshme dhe kualifikim të nevojshëm - kjo është e para. Pastaj bëhet fjalë për mungesë të kapaciteteve teknike funksionale, hapësinore, gjithashtu kemi të bëjmë me mungesë të infrastrukturës ligjore, si dhe normave më të sakta, sa u përket problemeve ligjore”.

“Unë, paralelisht me çështjen e korrupsionit, do të përfshija dhe varësinë e sistemit gjyqësor nga politika. Pra, bëhet fjalë për një kompleks çështjesh që gjyqësorin e bëjnë të varur politikisht dhe si një nga segmentet më të korruptuara në Maqedoni”
, vlerëson Ziberi.

Ndryshe, në raportin e fundit “Transparencë-Maqedoni”, edhe komuniteti ndërkombëtar i ka tërhequr vërejtjen Maqedonisë se po kamuflon një pjesë të problemeve sa i përket korrupsionit në institucionet shtetërore në kurriz të inkurajimit për të zgjidhur çështjen e emrit, me këtë dhe të zhbllokojë procesin euro-integrues.

Sipas kësaj organizate, me këtë dëmtohet zhvillimi i kapaciteteve demokratikë në Maqedoni.

Kjo organizatë, gjithashtu, në raport ka fokusuar dhe problemin e mungesës së “opinionit publik”, që t`i kundërvihet kriminalitetit në Maqedoni, duke theksuar se opinioni ka filluar ta konsiderojë kriminalitetin si një gjë normale, madje edhe morale duke e ngulfatur në të gjitha format krijimin e masës kritike, e cila do t’i kundërvihet kësaj dukurie të shëmtuar të shoqërisë dhe njëherësh duke lënë gjithçka në duart e faktorit ndërkombëtar për t’i zgjidhur këto probleme.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum