E enjte, prill 17, 2014 Kosova 00:17

Shëndetësi

Mbi 50 për qind e të porsalindurve të ekspozuar ndaj duhanit

Ilustrim
Ilustrim
Madhësia e shkronjave - +
Hulumtimet tregojnë se pirja e duhanit është pandemia më e madhe në historinë e njerëzimit.

Në botën e civilizuar, numri i personave të moshuar duhanpirës po bie, derisa po rritet numri i të rinjve që tymosin duhan. 

Sipas udhëheqësve të organizatave joqeveritare që merren me këtë problematikë, ky trend po përcillet edhe në Kosovë.

Por, sa janë të ekspozuar fëmijët në tym të duhanit, flet përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla.

“Ardhmëria e Kosovës janë fëmijët. Por, fatkeqësisht kjo rini për shkak të tymosjes së duhanit, është duke u dëmtuar rëndë, mu për shkakun se fëmijët kosovarë në baza ditore janë duke iu eksponuar tymosjes pasive të duhanit”.

“Në një hulumtim të bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë edhe të porsalindurit mbi 50 për qind i ekspozohen tymosjes pasive të duhanit. Kjo, përfundimisht, duhet të ndërpritet, sepse kjo është e dhimbshme dhe e tmerrshme”
, thotë Syla.

Hulumtimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, flasin se 1 prej 10 nxënësve përdor duhanin, nga të dy gjinitë.

Rreth 82 për qind e atyre që kurrë nuk kanë tymosur duhan dhe 95 e atyre që tash tymosin duhan, janë të ekspozuar në thithje pasive të tymit të duhanit. 

Ndërkaq, Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Avokim dhe Zhvillim ka bërë të ditur se sot në Kosovë fëmijët i ekspozohen tymit të duhanit. Kjo si pasojë e asaj se Kosova ka dështuar ta sigurojë një ambient të mbyllur pa duhan.

“Duke pasur parasysh që shteti ka dështuar në sigurimin e ambienteve pa duhan në të gjitha mjediset e mbyllura atëherë rrjedhimisht mund të konkludojmë se fëmijët janë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit”.

“Gjithashtu një dukuri tjetër negative është edhe ekspozimi i produkteve të duhanit në pikat e shitjes, ku fëmijët kur shkojnë në dyqane për të blerë produkte që ata i konsumojnë si çokollata e bonbone, janë të ekspozuara edhe produktet e duhanit”.

“Kjo i nxit fëmijët të eksperimentojnë me duhanin dhe pastaj prodhon duhanpirës konstant”
, thekson Spahiu.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se Kosova e ka një Ligj për kontrollin e duhanit, por ky ligj ka lënë hapësirë për manipulim.

Andaj, sipas Aganit, me miratimin e ligjit të ri, i cili ndalon 100 për qind pirjen e duhanit në hapësira publike, e që tashmë pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, do të ulë përqindjen e personave që u ekspozohen tymosjes pasive të duhanit.

“Do ta arrijmë kufizimin e tymit të duhanit, duke e penguar që tymi i duhanit së paku të mos i dëmtojë ata që nuk e konsumojnë duhanin”, thotë Agani.

Në Kosovë duhani është rreziku numër një i shëndetit publik që ndikon te të rriturit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

Nga një studim që ka bërë OBSH-ja për pirjen e duhanit, është thënë se 20.9 për qind e grave shtatzëna tymosin duhan dhe 53 për qind e të sapolindurve janë të ekspozuar ndaj duhanit.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum