E dielë, nëntor 23, 2014 Kosova 17:57

Rajoni

Ndryshimet e dëmshme në Kodin zgjedhor

IlustrimIlustrim
x
Ilustrim
Ilustrim
Miratimi pa konsenus i ndryshimeve në Kodin zgjedhor një ditë më parë nga shumica parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë, sipas ekspertëve për çështje juridike, nuk i ndihmon demokracisë në vend, ndërsa lë hapësirë për kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve lokale në mars të vitit të ardhshëm.

Adnan Jashari, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit e Tetovës thotë se partitë në pushtet nuk kanë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it lidhur me transparencën më të madhe gjatë procesit zgjedhor dhe kontrollin më të madh në ditën e votimit.

“Në disa segmente nuk janë përfillur disa sugjerime që, sipas vlerësimit tim, janë të rëndësishme për ciklin zgjedhor në mars të vitit 2013. Në aspektin juridik nuk ka pengesa pasi ndryshimet në Kodin zgjedhor miratohen me shumicë absolute, por për demokracinë që është në zhvillim e sipër në Maqedoni, vlerësoj se janë të dëmshme. Me siguri, pas zgjedhjeve do të shihen edhe pasojat nga një veprim i tillë jokonsenual i miratimit të ndryshimeve dhe plotësimit të Kodit zgjedhor”, thotë Adnan Jashari.

Ndërkohë, analisti Petar Arsovski thotë se partitë në pushtet nuk kanë marrë në konsideratë as pjesën e rekomandimit që ka të bëjë me fushatën mediatike, e cila, në vazhdimësi është keqpërdorur para zgjedhjeve nga partitë në pushtet.

Miratimi pa konsensus i Kodit zgjedhor, thotë Arsovski, është veprim i dëmshëm, pasi kjo do të përdoret nga partitë për të kontestuar gjithë procesin.

“Unë mendoj se është një praktikë e keqe pasi kjo lë dyshime sa i përket pohimeve të pushtetit për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe, nga ana tjetër, u lë hapësirë partive opozitare që çdoherë të pretendojnë se shteti ka vjedhur votat e tyre”.

“Mendoj se ndryshimet në Kodin zgjedhor do të duhej të miratoheshin me konsensus ashtu siç ka rekomanduar OSBE-ODIHR, ndërsa vërejtjet kryesisht kanë të bëjnë me moskeqpërdorimin nga ana e qeverisë të fushatës mediale para fillimit të procesit zgjedhor”,
vlerëson Arsovski.

Sipas tij, partitë në pushtet, kanë edhe një shans për të pranuar rekomandimet e ndërkombëtarëve atëherë kur në rend dite të Kuvendit do të vendosen ndryshimet në Kodin zgjedhor, të propozuara nga partitë opozitare.

“Tani, në rend dite duhet të vendosen ndryshimet në Kodin zgjedhor të propozuara nga opozita dhe ndoshta pushteti do të miratojë ndonjë nga propozimet e tyre. Rekomandimet nuk i ka shkruar opozita, por OSBE-ja që thjesht ka për qëllim përmirësimin e procesit zgjedhor në vend”.

“Nëse kjo nuk ndodh, nuk mund të parashikojë zhvillimet e mëtejme, por shpresoj të mos vijë deri te bojkoti i zgjedhjeve, pasi me këtë do të rrënohej seriozisht demokracia në vend”,
thekson Arsovski.

Ndërkohë, opozita shqiptare kishte kërkuar edhe ndryshime tjera, në veçanti ndryshimin e kufijve të gjashtë njësive zgjedhore sa ka gjithsej Maqedonia me qëllim barazimin e numrit të zgjedhësve, si dhe pastrimin e listës zgjedhore.

Sipas PDSH-së, është e palogjikshme që Maqedonia me 2 milionë banorë të ketë rreth 1.8 milionë votues. Kjo dhe partitë tjera opozitare pretendojnë se lista zgjedhore ka rreth 200 mijë votues fiktivë.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë, e cila edhe ka përgatitur ndryshimet, mbetet në qëndrimin se ato garantojnë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zëvendësministrja Biljana Boshkovska thotë se ndryshimet përfshijnë ndarjen e shtetit nga partitë politike, sigurimin e mbrojtjes juridike nga financimet joligjore të partive politike, transprencë në punën e KSHZ-së dhe përcaktimin e afateve për për sjelljen e vendimeve gjyqësore në bazë të ankesave të paraqitura nga Këshilli për radiodifuzion.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum