E hënë, shtator 22, 2014 Kosova 14:14

Kronika

Veriu do të rezistojë ndaj Menaxhimit të Integruar të Kufirit

Paralajmërimet e autoriteteve të Beogradit se marrëveshja e dalë nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit do të zbatohet, vazhdojnë të nxisin reagimet e politikanëve serbë të veriut të Kosovës.

Së fundmi, kryeministri serb Ivica Daçiq, ndonëse e ka quajtur “të keqe” këtë marrëveshje, ka thënë se ajo “duhet të zgjidhet me sa më pak dëme”.

Lideri i serbëve nga veriu i Mitrovicës, Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga radhët e Partisë Demokratike Serbe të Vojisllav Koshtunicës, i ka quajtur si “thikë në shpinë” për serbët e veriut të Kosovës nga ana e qeverisë serbe, deklaratat e zyrtarëve serbë për zbatimin e marrëveshjes.

Serbët e veriut të Kosovës mendojnë se ky është një veprim i qeverisë së re, përmes të cilit e njeh pavarësinë e Kosovës, sepse në momentin kur vendosen kufijtë, kjo nënkupton se Kosova është një shtet i ri ose tjetër. Ajo që mund të shihet, dëgjohet dhe ndjehet këtu është se serbët janë të tërhequr, janë edhe të mllefosur nga pak, por ajo që vlen të thuhet është se ata nuk e mbështesin këtë çfarë po e bën qeveria në Beograd”, tha Jakshiq.

Politikani tjetër serb, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi, thotë se bazuar nga deklaratat e liderëve të serbëve të veriut, pritet të ketë një rezistencë të serbëve lokal ndaj zbatim të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, zbatim i cili është konfirmuar edhe nga kryeministri serb Ivica Daçiq, si dhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Do të ketë rezistencë, protesta dhe radikalizim të situatës. Por megjithatë, unë mendoj se në fund e gjithë kjo do të duhet të përfundojë ashtu siç kanë rënë palët dakord në marrëveshje dhe që qeveria e tashme serbe e ka pranuar”, tha Kërstoviq.

Por, çfarë do të arrijnë serbët e veriut nëse reagojnë dhe cila do të jetë mënyra e reagimit?

Marko Jakshiq thotë se reagimi do të jetë me protesta dhe me  metoda demokratike, në mënyrë që të tërhiqet vëmendja e opinionit publik në Serbi, për mospajtimin e tyre lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Serbët do të reagojnë. Por, a do të kenë sukses që ta pengojnë zbatimin e marrëveshjes, unë për këtë kam shumë dyshime. Sido qoftë, serbët duhet t’i tregojnë opinionit të Serbisë se nuk pajtohen me këtë fakt".

"Por që ta pengojnë zbatimin e marrëveshjes, kjo do të jetë e vështirë, duke pasur parasysh që në vet pikën ku duhet të vendoset dogana e përbashkët është vendosur një njësit tepër i madh i xhandarmërisë. Kjo do të nënkuptonte një konflikt të serbëve  të veriut me vet shtetin serbë dhe kjo nuk u shkon për shtati atyre”, tha Jakshiq.

Kërstoviq thotë se mund të pritet edhe bllokimi i vendkalimeve kufitare në veri nga ana e serbëve lokalë, si dhe hapja e vendkalimeve alternative.

Nuk do të më befasonte çfarëdo që të ndodhë atje, por shpresojmë të mos ketë trazira të mëdha. Mendoj se reagimet do të jenë të kufizuara dhe në drejtime të caktuara, por nuk do të shkohet në radikalizim të tepërt. Por, sidoqoftë, rezistencë do të ketë”, tha Kërstoviq.

Ai  ka shprehur mendimin se megjithatë marrëveshja do të realizohet, për shkak të presioneve mbi Beogradin.

Ndryshe, pjesa më e madhe e politikanëve serbë të veriut të Kosovës, që nga fillimi i dialogut të ashtuquajtur teknik, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e kanë kundërshtuar atë, duke thënë se marrëveshjet e arritura në dialog, janë të dëmshme për serbët e Kosovës .

Bekim Bislimi

beka.bislimi+gmail.com

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum