E shtunë, nëntor 22, 2014 Kosova 22:08

Bota

Pse BBC-ja është në krizë dhe çfarë duhet të bëjë?

BBC
BBC
Luke Allnutt - Radio Evropa e Lirë
Transmetuesi Publik i Britanisë (BBC) është në krizë. Në ditët e fundit kanë dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm, George Entwistle, dhe shefja e lajmeve Helen Boaden.

Dorëheqjet kanë ndodhur vetëm pak ditë pasi programi i lajmeve i BBC-së ka akuzuar gabimisht një ish-politikan për abuzim seksual me fëmijët.

BBC ka pranuar se kjo dëmton edhe më tej besimin në transmetues, i cili ka rënë për shkak të vendimit për të mos transmetuar dyshime të njëjta kundër moderatorit, tashmë të ndjerë, Jimmy Saville.

Saville, që konsiderohej yll i BBC-së, thuhet se ka abuzuar seksualisht me qindra fëmijë gjatë disa dekadave.

Nuk duhet bërë panik. Bazat e BBC-së janë shumë të forta dhe ai kurrë nuk ka qenë më i nevojshëm”, thotë Charlie Beckett, njohës i mediave në Shkollën për Ekonomi të Londrës.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se cilat janë problemet kryesore të BBC-së, ai përmend burokracinë. Përndryshe, shton Beckett, BBC-ja është një institucion i jashtëzakonshëm, me një gamë të madhe prodhimi, si në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Sipas tij, BBC-ja duhet të forcojë udhëheqjen, duke forcuar drejtorin e përgjithshëm. Në të njëjtën kohë, ai propozon shkurtime në zinxhirin komandues.

Duhet të ketë më pak njerëz në mes të asaj që prodhon BBC-ja dhe të gjithë atyre menaxherëve të lartë që e miratojnë atë”, thotë Beckett, duke cilësuar si problem edhe paratë.

Lajmet, për shembull, kanë pësuar 20 për qind shkurtime dhe kjo është e vështirë të rregullohet në një afat të shkurtër. Në anën tjetër, nuk është se ka pasur vetëm shumë burokraci. Atje nuk ka pasur ndjenjë të duhur të përgjegjësisë, ndjenjë të duhur të menaxhimit publik dhe menaxhim proaktiv”, thotë Becket.

BBC-ja është themeluar më 1 janar të vitit 1927. Përgjegjësia e saj kryesore është të sigurojë transmetim të paanshëm, ndërsa vepron nën Kartën e Mbretërisë. BBC-ja është transmetuesi më i madh në botë për nga numri i të punësuarve – me rreth 23,000 punëtorë.

"Nëse duam të dimë për të gjitha çështjet në botë, të tilla si abuzimi me fëmijë, kriza financiare evropiane, korrupsioni i politikanëve, atëherë kemi nevojë për gazetari të mirë. Në Britani dhe në mbarë botën, BBC-ja përfaqëson gazetarinë e mirë. Mendoj se ia vlen të rishikohet nëse BBC-ja ka probleme strukturore dhe si mund ta reformojë veten”, thotë Becket.

Nëse Transmetuesi Publik i Britanisë do të rikthejë reputacionin, mbetet të shihet. (v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum