Ndërlidhjet

Obama: Çështja Petraeus nuk e ka shkelur sigurinë kombëtare


Barack Obama
Barack Obama
Në konferencën e parë për media që nga rizgjedhja e tij në krye të vendit, presidenti amerikan Barack Obama tha se nuk është parë “asnjë dëshmi” se e-mailat e skandalit të seksit, që e rrëzuan drejtorin e CIA-s dhe ish komandantin e forcave amerikane në Irak dhe Afganistanin, gjeneralin David Petraeus, e kanë dëmutar në ndonjë mënyrë sigurinë kombëtare.

Petraeus dha dorëheqje nga posti i tij në CIA më 9 nëntor, pasi e pranoi se ishte përfshirë në një aferë jashtëmartesore me biografen e tij, Paula Braodwell, e cila po hetohet për posedim të dokumenteve të klasifikuara.

Obama e vlerësoi Petraeusin, i cili gjithashtu kishte shërbyer edhe në kohën e ish-presidentit amerikan, George W.Bush.

Gjenerali Petraeus ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme. Ai i shërbeu vendit me nder në Irak, në Afganistan, dhe si drejtor i CIA-s. Sipas vlerësimit të tij, ai nuk i ka përmbushur standardet që ai e ndjente se ishin të nevojshme si drejtori i CIA-s, duke e respektuar këtë çështje personale me të cilën po përballet ai, gruaja e tij dhe familja e tij”, ka thënë Obama.

Duke folur gjatë konferencës 45 minutëshe, Obama u tha gazetarëve se administrata e tij është duke bashkëpunuar plotësisht me Kongresin rreth hetimeve lidhur me sulmin e 11 shtatorit në konsulatën amerikane në Libi, ku mbetën të vrarë katër amerikanë, në mesin e të cilëve edhe ambasadori Christopher Stevens.

Shtëpia e Bardhë është duke u marrë me hetimet e veta rreth këtij sulmi, për të cilin i vë faj një grupi që ka lidhje me Al-Qaedan.

Obama gjithashtu iu drejtua republikanëve, të cilët e gjykuan ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice, për karakterizim të hershëm të incidentit, që thuhej se ishte rrjedhojë e protestave spontane kundër vidoes anti-islamike, të postuar në You Tube.

Nëse senatori John McCain dhe senatorja Lindesy Graham dhe të të tjerët duan që t’i mbesin dikujt në qafë, atëherë ata duhet të ma bëjnë mua këtë gjë, dhe do të jem i lumtur të diskutojë me ta. Por ta akuzosh ambasadoren amerikane në Kombet e Bashkuara, që nuk kishte të bënte asgjë me sulmin në Benghazi, e cila vetëm po bënte një vlerësim bazuar në informatat që i kishte marrë në atë kohë, e ta dëmtosh imazhin e saj, është një fyerje”, ka thënë Obama.

Rice është duke u konsideruar si pasardhëse e mundshme e sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton dhe Obama thotë se ai nuk do t’i lejojë republikanët që ta ndalojnë atë për ta nominuar Rice për këtë pozitë, nëse ai vendosë se ajo është personi i duhur për këtë punë.

Republikanët e kanë quajtur incidentin si një dështim të sigurisë dhe inteligjencës nga administrata e Obamës.

Më herët gjatë ditës, senatori McCain bëri thirrje për formimin e një Komiteti Special të Kongresit, për ta hetuar këtë çështje.

Ndërsa sa i përket Iranit, Obamës iu shtrua pyetja nëse në mandatin e tij të dytë ai do ta bëjë një shtytje më të madhe diplomatike drejt thyerjes së programit bërthamor të këtij vendi.

Ne nuk do ta lejojmë Iranin që të krijojë një armë bërthamore, por mendoj se ende ka kohë për neve që ta zgjidhim këtë çështje përmes diplomacisë. Ne ua kemi imponuar sanksionet më të ashpra në histori. Kjo gjë ka ndikuar në ekonominë e Iranit. Duhet të ekzistojë një mënyrë ku ata mund ta shijojnë në paqe fuqinë bërthamore, duke i përmbushur obligimet ndërkombëtare dhe duke e siguruar komunitetin ndërkombëtar se nuk janë duke kërkuar krijimin e një arme bërthamore”, tha Obama.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk janë ende të gatshme që ta pranojnë koalicionin e ri opozitar sirian si një qeveri në ekzil, siç ka bërë Franca, por se e konsideron këtë koalicion si “përfaqësues legjitim të aspiratave të njerëzve të Sirisë”.

Ndërsa sa i përket çështjes së kanosjes nga kriza ekonomike, Obama tha se ai është i hapur për ide të reja lidhur me mënyrat e rritjes së të ardhurave, për ta arritur një marrëveshje me republikanët, të cilët e kundërshtojnë rritjen e taksave.

Ai ua rikujtoi gazetarëve se e ka bërë një fushatë bazuar në idenë e rritjes së taksave për të pasurit dhe kishte thënë në Ditën e Zgjedhjeve se tani “më shumë amerikanë pajtohen me mua”.(v.k.)
XS
SM
MD
LG