E martë, korrik 29, 2014 Kosova 06:36

Rajoni

Benzinë zjarrit me fjalor politik

Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Retorika nxitëse duhet të shmanget nga të gjithë faktorët relevantw në Maqedoni, pasi ajo shkakton tensione dhe ndasi në shoqëri.

Kjo u tha në një konferencë në Shkup, me rastin e ditës ndërkombëtare të tolerancës.

Fajtor kryesor për gjendjen e tanishme tw tensionuar janë elitat politike, thotë sociologu, Hasan Jashari duke shtuar se partitë interes parësor e kanë ruajtjen apo ardhjen në pushtet pa mbajtur llogari për dëmet që shkaktojnë me veprimet e tyre të pamatura.

Çdo paraqitje e tyre publike dhe mënyra e artikulimit të filozofisë së tyre politike është e orientuar drejt asaj se si ata të mbeten në pushtet, d.m.th nuk shikojnë interesin e qytetarëve, nuk i shohin problemet ekzistenciale të njerëzve të cilët janë me të ardhura të ulëta, nuk merren me çështjen e sensibilitetit të marrëdhënieve ndëretnike, por, ata thjesht merren me veten e tyre, përveç vetvetes ata nuk shohin askënd tjetër”, thotë Jashari duke shtuar se e gjithë kjo është si pasojë, siç shprehet, e ngecjes së proceseve demokratike në Maqedoni.

Nga ana tjetër, edhe Mirjana Malevska, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, tërheq vërejtjen nga retorika nxitëse e partive që po rrezikon zhvillimin e demokracisë në vend.

Ajo thotë se për dallim nga a kaluara ka pasur një lëvizje pozitive por që ende lënë për të dëshiruar.

Duhet të kihet shumë kujdes se çfarë flasim. Ne jetojmë në një shoqëri të përzier etnike dhe çdo veprim i pamatur mund të lëndojë ndjenjat e tjetrit. Kjo në veçanti vlen për politikanët të cilët edhe bartin përgjegjësinë kryesore".

"Kohëve të fundit është bërë një përparim në këtë drejtim nëse kjo krahasohet me periudhën e konfliktit kur kishin retorikë nxitëse, por ende nuk kemi arritur nivelin e duhur dhe kjo ka ardhur në shprehje në debatet e fundit në Kuvend dhe gjatë disa incidenteve ndëretnike që po ashtu janë nxitur nga veprimi i politikanëve apo edhe segmente të caktuar të cilëve nuk u konvenon stabiliteti”, thotë Mirjana Malevska.

Ndërkohë, duke komentuar debatet e fundit mes partive politike, në veçanti lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike, ambasadori amerikan, Poll Uollers, ka bërë thirrje për sjellje të përgjegjshme dhe shmangien e fjalorit nxitës pasi një sjellje e tillë, jo vetëm që nuk do të zgjidhje problemet, por, përkundrazi do të shtonte edhe më shumë tensionet

Konsideroj se retorikat që i hedhin benzinë zjarrit apo ato që ngritin tensionet nuk janë dobishëm dhe duhet të shmanget. Vlerësoj po ashtu se politikanët duhet të jenë të ndërgjegjshëm për atë që thonë pasi retorika nxitëse nuk do të ndihmojë debatin. Nëse synoni të jeni figurë e përgjegjshme politike duhet të jeni të ndërgjegjshëm se çfarë thoni, se cilat janë pasojat dhe të bëni gjithçka që të zgjidhni problemin dhe jo të shkaktoni më shumë probleme dhe tensione”, ka deklaruar ambasadori amerikan, Poll Uollers.

Si çështje më problematike që kanë ndikuar në përhapjen e gjuhës së urrejtjes janë disa veprime të qeverisë si projekti monoentik “Shkup 2014”, pastaj problemet në arsim lidhur me gabimet në tekstet shkollore, kombinimi i paraleleve, enciklopedia maqedonase, incidentet në fushata sportive dhe së fundi propozim-ligji për zhdëmtimin vetëm të forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum