Ndërlidhjet

Ngecjet në reforma: Shoqëria civile kritikon partitë


Numërimi i votave (Foto nga arkivi)
Numërimi i votave (Foto nga arkivi)
Konfrontimet dhe akuzat e ndërsjella ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, po i lënë pezull reformat kushtetuese dhe zgjedhore, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Lidhja Demokratike Kosovës, nuk heq dorë nga kërkesa e saj për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë, si parakusht për përmbylljen e procesit të reformave kushtetuese e zgjedhore.

Për më gjatë se dy muaj, Komisioni për Reformën Zgjedhore është dashur që t’i procedojë Kuvendit propozimet ligjore për miratim.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se reformat kushtetuese dhe zgjedhore i kanë filluar partitë politike dhe ato, sipas tij, do të duhej t’i zgjidhnin këto çështje.

“Fatkeqësisht, atë që po e shohim ne është një qasje joserioze, madje raste-raste edhe e papërgjegjshme e partive politike, të cilat nuk po gjejnë assesi arsye ose rrugë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi”.

“Unë, mendoj se prolongimi i mëtutjeshëm i këtij procesi, ose edhe futja e një procesi elektoral në ligjin ekzistues, konsideroj që është një dëm i madh për Kosovën dhe për demokracinë në vend”,
thotë Selmanaj.

Mospajtimet e partive politike lidhur me marrëveshjet e brendshme të tyre, nuk duhet të lidhen me proceset e rëndësishëm për vendin, siç janë reformat kushtetuese edhe zgjedhore, thotë Leon Malazogu nga instituti Demokracia për Zhvillim.

“Reformat duhet t’u konvenojnë të gjitha partive dhe, në veçanti, atyre në opozitë, të cilat kanë llogari dhe do të duhej të vlerësonin një sistem më të pastër zgjedhor dhe të mos e kushtëzojnë me çështjet e presidentit, po të luftojnë që të kemi reforma më të mëdha. Ne nuk e shohim këtë energji, as nga partitë në pushtet, po as nga partitë në opozitë”, thekson Malazogu.

Hashim Thaçi (në mes), Behgjet Pacolli (majtas) dhe Isa Mustafa (djathtas) pas marrëveshjes së arritur për presidenten e vendit më 6 prill 2011.
Hashim Thaçi (në mes), Behgjet Pacolli (majtas) dhe Isa Mustafa (djathtas) pas marrëveshjes së arritur për presidenten e vendit më 6 prill 2011.
Ndryshe, sipas marrëveshjes së vitit të kaluar ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, e cila më pas ishte fuqizuar edhe me miratimin e një rezolute nga Kuvendi, përveç reformave kushtetuese e zgjedhore, vendi do të shkonte në vjeshtën e këtij viti në zgjedhjet e para presidenciale, si dhe në vjeshtën e vitit tjetër - në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Lidhja Demokratike e Kosovës në muajin gusht është tërhequr nga Komisioni për Reformën Zgjedhore në shenjë pakënaqësie me mosrespektimin e marrëveshjes ndërmjet liderëve politikë për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore.

Numri i zonave zgjedhore, çështja e listave të hapura apo të mbyllura janë vetëm disa nga temat, për të cilat që më parë është dashur që liderët e partive politike të arrijnë ndonjë marrëveshje për të çuar përpara reformat zgjedhore.

Selmanaj nga KD-ja, thotë se si PDK-ja, po ashtu edhe LDK-ja, duhet të largohen nga forma e të bërit politikë duke u barrikaduar në pozicione të ngurta dhe pa ofruar zgjidhje konkrete.

“Unë mendoj se ka hapësirë për të gjetur zgjidhje dhe besoj që tashmë kemi parë deklaratat e fundit të LDK-së, e cila gati sa nuk ka thënë se është e gatshme t’i kthehet procesit të reformave”.

“Në anën tjetër, duhet të kemi një respektim edhe të partive të tjera politike, në këtë rast të PDK-së në respektimin e marrëveshjeve politike”, shprehet Selmanaj.

Lidhur me punën e deritashme në procesin e reformave, Leon Malazogu nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se në shumë subjekte politike ekziston vullneti që me reformat e reja, zgjedhjet të mbahen me lista të mbyllura.

“Tendencat janë më shumë që partitë politike, janë duke u munduar që t’i mbyllin listat. Kjo ndonjëherë paraqitet si mënyrë për parandalim të shkeljeve, po kjo në thelb bëhet më tepër për të zgjidhur problemin që partitë e kanë përbrenda, sepse ju pengon demokracia e madhe dhe liria e deputetëve që e kanë dhe këtë duan të kufizojnë me tepër”, potencon Malazogu.

Qëllimi kryesor i reformave zgjedhore është që nga një zonë, të ketë më shumë zona. Reforma zgjedhore, po ashtu, është një nga pesë kriteret, të cilat Komisioni Evropian ka paraparë që Kosova duhet t’i plotësojë në kuadër të Studimit të Fizibilitetit.
XS
SM
MD
LG