E enjte, tetor 23, 2014 Kosova 08:40

Aktuale

BE-ja mirëpret anëtarësimin e Kosovës në BERZH

Ilustrim
Ilustrim
RFE /RL
Bashkimi Evropian ka përshëndetur sot vendimin e drejtorëve në bordin e Bankës Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim për të pranuar në anëtarësi edhe Kosovën.

Në një deklaratë të lëshuar nga Bashkimi Evropian të nënshkruar bashkërisht nga zëvendëskryetari i Komisionit i ngarkuar për financa, Oli Rehn, komisionari i Zgjerimit Shtefan Fyle, dhe përfaqësuesja e lartë baronesha Catherine Ashton, thuhet se ky vendim është një hap i rëndësishëm i Kosovës në agjendën e saj evropianë dhe do të ndihmojë edhe në realizimin e qëllimeve për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se tash i mbetet Kosovës për t’i kryer të gjitha procedurat e nevojshme për anëtarësim në Bankën Evropianë për Rindërtim dhe Zhvillim me seli në Londër.

Ndonëse BE-ja vazhdon të jetë donatori më i madh i zhvillimit ekonomik të Kosovës, zyrtarë të BE-së konfirmojnë se kjo gatishmëri do të vazhdohet, por kërkojnë që edhe Kosova të bëjë më shumë në përgatitje të projekteve, për të cilat nevojitet një angazhim i të gjitha strukturave profesionale, në mënyrë që Kosova të jetë në gjendje të shfrytëzojë sa më shumë fonde që janë në dispozicion. 

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparenca në prokurimin publik, thonë zyrtarë të BE-së, është e domosdoshme që në Kosovë të ketë më shumë investime të huaja, të ketë interes më të madh të investitorëve të jashtëm, por edhe që vetë institucionet ndërkombëtare të japin ndihmë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, qoftë përmes kredive, apo donacioneve.(a.p.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum