E premte, prill 25, 2014 Kosova 09:46

Kronika

OBI miraton rezolutë për njohjen e Kosovës

Anëtarë të OBI-së
Anëtarë të OBI-së
Madhësia e shkronjave - +
RFE /RL
Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka miratuar një rezolutë për Kosovën, me të cilën u bën thirrje të gjitha shteteve të mbetura të kësaj organizate, që të njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në rezolutën e miratuar në sesionin e 39-të të këtij Këshilli, të zhvilluar në Xhibuti, OBI-ja thërret shtetet anëtare të Organizatës që të shqyrtojnë njohjen e pavarësisë së Republikës e Kosovës, “e cila bazohet në të drejtën për liri dhe sovranitet dhe në praktikën nacionale”.

Në rezolutë, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të OBI-së ka mirëpritur progresin në Kosovë në 5 vjetët e shtetndërtimit, veçanërisht përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, bën të ditur Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një kumtese për media.

Rezoluta është bashkësponsorizuar nga Turqia dhe Shqipëria.

Në fjalën e tij gjatë punimeve të sesionit të Këshillit, ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, ka thënë se gjatë pesë vjetëve të pavarësisë, Kosova ka qenë faktor i paqes, i stabilitetit dhe i sigurisë në Evropë dhe më gjerë.

“Prandaj, unë dua të apeloj te të gjitha shtetet anëtare të OBI-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë. Njohja e Kosovës do të ishte mirënjohje dhe respekt për përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për dinjitet njerëzor, liri dhe pavarësi politike”, ka thënë Hoxhaj.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Shtetësia e saj është njohur nga më shumë se 90 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.(v.t.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum