E shtunë, tetor 25, 2014 Kosova 18:45

Rajoni

Faktet historike dominojnë Panairin e Librit në Tiranë

Tiranë
Tiranë
Panairi i librit, një organizim tashmë i përvitshëm në Tiranë solli si element të ri, botimet historike. Dhe, jo pa sukses, siç thotë një prej organizatorëve, Petrit Ymeri.
 
“Shqiptarët e pëlqejnë historinë, e pëlqejnë librin historik. Ka shumë botime të reja, por ka dhe shumë albume historike, për të shuar këtë etje të madhe që ka lexuesi shqiptar për të njohur historinë, rrëfyer, shkruar, e në bazë të dokumenteve, arkivave, shtypit të kohës. Po blihen shumë librat historikë, blihet dhe letërsi patjetër! Por, ajo që është gjë e gëzueshme është që lexuesi është shumë i interesuar për panairin dhe ne si organizatorë jemi të lumtur”, thotë Ymeri.
 
Lexuesit duken të interesuar për faktet historike, ato që mund të ndryshojnë apo të  konfirmojnë atë çfarë dinë për figura apo ngjarje që kanë shënjuar 100 vjet shtet shqiptar.

Botimet historike të viteve të fundit, janë bazuar kryesisht në dokumente, duke arkivuar botimet historike të shkruara gjatë regjimit komunist apo dhe disa syresh të shkruar në vitet e para të demokracisë, që nuk arritën të shmangin në përshkrimin e ngjarjeve, apo figurave ndasitë e forta politike.

Ja se si shprehen disa nga vizitorët e panairit, të cilët po blinin libra historikë: 
 
“Libër historik, më tepër, sepse e kemi të njohur nëpërmjet bisedave, tani e kemi të shkruar dhe siç thotë populli, e shkruara mbetet. Për t’u bindur tamam për atë që kam dëgjuar, është folur apo diskutuar”.
 
“Historikë! Të njoh historinë e popullit shqiptar”.


“Historinë, sepse…ta shohim, nuk është shkruar mirë!”.
 
“Populli ynë gjithnjë ka vuajtur për një histori të drejtë dhe kjo është hera e parë që historia shkruhet në bazë të dokumenteve, sepse historia jonë dihet, ka qenë e shtrembëruar”.
 

Stendë librash...Stendë librash...
x
Stendë librash...
Stendë librash...
Por, disa botues mendojnë se elementi historik në panair ishte interesant, por jo dominues sa për të dalë në konkluzionin se trendi i shitjeve ishin librat historikë.

Ja si e sheh panairin e këtij viti një prej pjesëmarrësve, Albert Rakipi.

“Ajo çfarë është e vërtetë, është fakti që panairi organizohet në këtë kuadër me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë dhe mendoj që në një farë mase, ka një përpjekje nga disa shtëpi botuese, për të sjellë botime që kanë të bëjnë me historinë, politikën, marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë në këto 100 vjet”.

“Kjo ishte e pritshme, por nuk mendoj se ky është një dominim i panairit të sivjetmë. Besoj që ky komponent i ri që është më i pranishëm se vitet e tjera, e zbukuron festën e librit në Tiranë. Është mirë që ndodh, sigurisht!”, thekson Rakipi.
 
Vasilika Tafa, nga një tjetër shtëpi botuese pjesëmarrëse në panair thotë se me gjithë profilin e lartë që organizatorët, jo pa qëllim u japin botimeve historike, lexuesit reaguan në blerje pak a shumë njëlloj si disa vjet më parë.
 
“Ata lexues që janë të prirë drejt historisë, patjetër që vazhdojnë t’i kërkojnë ato, ata që preferojnë librat psikologjikë janë të prirë  të shohin se çfarë ofrojnë shtëpitë botuese në këtë zhanër”.

“Librat për fëmijë gjithmonë kanë qenë të pëlqyer. Romanet, autorët bashkëkohorë, të të cilëve janë të shitur në vendet përkatëse, janë akoma në trendin e shitjeve”.

  
“Unë kam një libër jashtëzakonisht të rëndësishëm si ‘Statutet e Katedrales së Drishtit’, Kushtetutën e Skënderbeut, siç njihet, dhe ky libër blihet nga njerëz të specializuar, por nuk ka shitje të një libri psikologjik. Këtë duhet ta pranojmë”, tregon Tafa.  
 
Se cili zhanër libri dominoi me shitje panairin, do të vlerësohet në fund, por që prej ditës së parë të hapjes së Panairit të Librit në Tiranë,  në media u fol vetëm mbi botimet historike, si zgjedhje kjo e organizatorëve, që mblodhi jo pak publik.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum