Ndërlidhjet

Projektet që mund t’i financojë BERZH


Ilustrim
Ilustrim
Kosova është bërë anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ditë më parë. Anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm financiar ndërkombëtarë është parë si mundësi e mirë drejt zhvillimit dhe forcimit të ekonomisë së tregut të lirë.

Por, se cilat janë ato projekte që ky mekanizëm mund t’i financojë?

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë projektet, për të cilat autoritetet e Kosovës duhet të kërkojnë financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, duhet të jenë ato projekte që ndihmojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në BERZH duhet të adresohen projekte që shpejtojnë zhvillimin ekonomik, siç janë projektet në infrastrukturë hekurudhore, projekti i ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, ndërtimit i Hidrocentralit të Zhurit, si dhe projekte tjera të karakterit publik siç janë ndërtimi i ujësjellësve.

“Të gjitha këto do të ishin shumë dobiprurëse, për arsye se nëse ne përfitojmë kredi për ndërtimin e një termocentrali, siç është ‘Kosova e Re’, atëherë duke llogaritur greis periudhën që BERZH e përdor deri në 10 vite, atëherë kapacitet gjeneruese do të mund ta kthenin atë kredi, kur dihet se kamatat janë shumë simbolike”, thotë Gashi.

Vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri, me të cilin do të përmirësohej gjendja energjetike në Kosovë, ishte marrë në vitin 2005, periudhë kjo kur edhe kanë filluar përgatitjet, por që deri më tani asgjë nuk ka pasur diçka konkrete për ndërtimin e tij.

Anëtarësimi në BERZH, thekson Gashi, iu ofron një mundësi shumë të madhe edhe institucioneve të Kosovës, por edhe bizneseve të mëdha private që të përfitojnë kredi me kamata shumë të ulëta.

BERZH
BERZH

“Mundësitë janë jashtëzakonisht të mëdha, por do të varet nga institucionet e Kosovës dhe bizneset private se sa ato do të jenë të përgatitura që të bindin një investitor serioz, siç është BERZH-i, për të investuar projekte kapitale”, thekson Gashi.

Banka Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim është themeluar në vitin 1991. Kjo bankë është themeluar për t’i ndihmuar shtetet në tranzicion.

BERZH është institucioni i tretë ndërkombëtar financiar, pas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore që Kosova anëtarësohet.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka shumë projekte, në të cilat Kosova mund të drejtohet në BERZH, si burim i financimit.

“Mendoj që në infrastrukturë kemi mjaft projekte, të cilat janë ende të pa rrumbullakuara në kuptimin e burimit të financimit, zhvillimi i bujqësisë, turizmi, si dhe industria metalike dhe mineraleve. Këta janë sektorët që Kosova ka nevojë për mbështetje”, shprehet Shatri.

Anëtarësimi i Kosovës në BERZH, thekson Shatri, nuk nënkupton se vendi përfiton diçka falas dhe se anëtarësimi në këtë bankë zgjidh problemet që ka Kosova. Shatri rekomandon autoritetet e vendit që të jenë të kujdesshme me këtë institucion me rastin e shfrytëzimit të kredive, pasi që, siç thotë ai, ‘këto kredi nganjëherë mund të jenë fatale për vendin’

“Të gjitha kreditë investuese duhet të bëhen tepër me kujdes, pasi që ato janë kredi të shtrenjta e shumë herë me pasoja fatale. Kemi raste kur BERZH ka hyrë për të financuar ose marrë me koncesion aeroportet e disa vendeve të rajonit dhe njëra nga nenet e kontratave është që nëse një këst nuk paguhet me kohë, ata kredinë e vet e kthejnë në aksione dhe ato aksione i vlerësojnë shumë më shumë se që është vlera e tyre dhe faktikisht bëhen pronarë”, sqaron Shatri.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, vazhdimisht ka ndihmuar projekte të ndryshme, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
XS
SM
MD
LG