E enjte, prill 24, 2014 Kosova 06:56

Aktuale

Shqetësime për mungesë qasjeje në dokumentet zyrtare

Ilustrim
Ilustrim
Madhësia e shkronjave - +
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut shprehin shqetësimet e tyre se institucionet e Kosovës, si ato të nivelit qendror, po ashtu edhe të atij lokal, janë duke shkelur të drejtat e njeriut, duke mos u lejuar qytetarëve qasje në dokumentet zyrtare.

Zyra e Avokati të Popullit dhe OSBE-ja organizuan të hënën një debat lidhur me këtë problematikë, që ka të bëjë me qasjen në dokumentet zyrtare. Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tha se qytetarët kosovarë kanë të drejtë të dinë për shumë dokumente apo marrëveshje që bëjnë institucionet e vendit.

“Ne kemi një problem të përgjithshëm me raportin qytetar - institucione. Raporti ka të bëjë me mbledhjen, mbajtjen, arkivimin e informatave që kanë karakter publik. Kurse, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk bëhen publike".

Sami KurteshiSami Kurteshi
x
Sami Kurteshi
Sami Kurteshi
"Nëse ato nuk bëhen publike, sepse nuk shihet e nevojshme, atëherë ato duhet t’u jepen personave që i kërkojnë ato. Kjo është ajo që ka të bëjë me transparencën dhe informimin e qytetarëve”, tha Kurteshi.

Në Ligjin për Qasje në Dokumentet Zyrtare thuhet se cilido banor i përhershëm i Kosovës ose cilido person, që  i plotëson kushtet për t`u regjistruar si banor i përhershëm i Kosovës, dhe cilido person fizik ose juridik, që banon ose e ka të regjistruar zyrën në Kosovë, ka të drejtë në qasje të dokumenteve të institucioneve, duke iu nënshtruar parimeve, kushteve dhe kufizimeve të përkufizuara me këtë ligj.

Por, përfaqësuesit e shoqërisë civile thanë se institucionet e Kosovës nuk po i zbatojnë ligjet që kanë të bëjnë me qasjen në dokumentet publike, atë të klasifikimit të informacioneve dhe verifikimin e sigurisë, dhe të tjera.

Shqipe Pantina, nga Qendra për Politika dhe Avokim tha se në bazë të hulumtimeve që janë bërë nga organizata, të cilën e drejton, probleme janë vërejtur në institucionet e nivelit lokal dhe atij qendror.

“Më së ulëti në këtë fushë qëndron Gjyqësori dhe Prokuroria, ku në shumicën e rasteve kërkesat nuk trajtohen fare. Janë dy arsye që ne kemi mundur t’i identifikojmë se pse nuk po zbatohet ligji në nivelin e kënaqshëm, ashtu siç kërkohet”.

“E para është vullneti, qoftë politik apo gatishmëria e institucioneve për të qenë të hapur ndaj publikut për të ofruar informacione që publiku ka nevojë. Dhe, çështje e dytë janë arsyet teknike, të cilat do të ishin shumë lehtë të evitueshme po të ekzistonte kjo e para, po të ekzistonte vullneti”,
theksoi Pantina.

Të pranishmit në debat thanë se kjo problematikë ekziston në shumë institucione pasi që në to ende nuk janë të punësuar zyrtarë, të cilët merren me çështje dhe dokumente të tilla.

Enver PeciEnver Peci
x
Enver Peci
Enver Peci
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, pranoi se në sistemin e drejtësisë ka probleme të kësaj natyre, por siç tha ai, numri i rasteve të qytetarëve  të interesuar për të pasur qasje në disa nga dokumentet e ndjeshme, nuk është i madh.

“Gjyqësori në përgjithësi i ka të njëjtat probleme si të gjitha institucione tjera dhe unë po shpresoj që ndoshta edhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare që i kanë kaluar këto qasje e problematika, do të arrijmë ta përkufizojmë në mënyrë konkrete se çka është e qasshme e çka jo”, u shpreh Peci.

Pjesëmarrësit theksuan se qasja në dokumente zyrtare nuk lejohet, pasi që asnjë nga institucionet e vendit nuk kanë një listë, ku klasifikohen dokumentet e ndjeshme dhe ato më pak të ndjeshme.

Ndryshe, në debat nuk morën pjesë asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, qoftë nga Qeveria apo nga Kuvendi i Kosovë. Mos pjesëmarrjen e tyre, Avokati i Popullit e sheh si shqetësim.

“Njerëzit mendojnë ata kanë çka të fshehin, se të tjerët nuk kanë çka të fshehin, ata duhet t’u dëshmojnë qytetarëve se në të vërtetë kemi të bëjmë me institucione demokratike. Pse nuk kanë marrë pjesë edhe institucionet,është mirë që kjo çështje të hapet ndonjëherë edhe në media”, potencoi Kurteshi.

Moslejimin e qasjes në dokumente zyrtare, debatuesit e përmendën edhe faktin se shumë nga zyrtarë e institucioneve të mund të kenë bërë keqpërdorime dhe nuk lejojnë qasje qëllimisht.

Arton Konushevci

arton.konushevci+gmail.com

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum