E dielë, shtator 21, 2014 Kosova 02:02

Shtypi botëror

WP: Irani duhet të jetë prioritet i menjëhershëm i Obamës

Barack Obama
Barack Obama
“Pas fushatës së lodhshme për t’u rizgjedhur, vendimi më urgjent me të cilin pritet të përballet presidenti amerikan është se si t’i ndalojë përpjekjet e Iranit për krijimin e një programi ushtarak bërthamor”,  vlerëson Henry Kissinger, ish-sekretar amerikan i shtetit, në një shkrim të botuar në të përditshmen amerikane, Washington Post.

Presidentët e të dyja partive janë deklaruar se “asnjë alternativë nuk është jashtë tavolinës” në sigurimin e këtij qëllimi.

Gjatë debatit të tretë presidencial kandidatët për president u pajtuan se kjo çështje është e rëndësisë kombëtare për Amerikën.

Përderisa Irani po vazhdon që ta përpunojë kapacitetin e pasurimit, duke e zhvendosur atë nën tokë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar një afat kohor deri në pranverë, për kundërveprim. Në këtë ambient të tensionuar, çfarë kuptimi mund t’u jepet synimeve të deklaruara të Amerikës?

Si duket, shkruan Kissinger, Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë duke zhvilluar negociata dypalëshe përmes emisarëve zyrtarë apo gjysmë zyrtarë, një ikje kjo nga proceduarat e mëhershme të bisedimeve shumëpalëshe.

Negociatat lidhur me programin bërthamor të Iranit nuk kanë një histori shumë inkurajuese, me ngecjet e Iranit për më shumë se një dekadë, shkuan Kissinger në Washington Post.

Ai më tutje thotë se nëse nuk vihen limite në këtë proces, progresi teknologjik i Iranit do t’i zotërojë ngjarjet. Por në çfarë shkalle dhe në çfarë çështjesh duhet Irani të privohet nga mundësitë ushtarake bërthamore? Kjo ka qenë esenca e këtij argumenti mbi “vijat e kuqe”, shkruan Kissinger.

Tri faza janë të përfshira në zhvillimin e mundësisë ushtarake bërthamore; një sistem i shpërndarjes, një kapacitet për ta pasuruar uraniumin dhe prodhimi i raketave bërthamore. Kissinger thotë se Irani është duke e shtuar numrin e sistemeve të veta raketore të paktën që nga viti 2006.

Kapaciteti i tij i pasurimit, i raportuar kaherë në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, është zgjeruar në mijëra centrifuga. Ky nivel e tejkalon çdo përkufizim të arsyeshëm të përdorimit paqësor, të autorizuar nga Traktati për Mos-Përhapje. Pika kulmore e pashmangshme janë armët bërthamore, thuhet në shkrimin e publikuar në Washington Post.

Koha në dispozicion për një rezultat diplomatik është duke u zvogëluar në proporcion direkt, përderisa kapaciteti iranian i pasurimit të uraniumit është duke u rritur dhe një kapacitet ushtarak bërthamor është duke u afruar, shkruan Kissinger.

Prandaj, thotë ai, një proces diplomatik duhet të vijë deri te një pikë vendimmarrëse. P5+1 ( vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermania) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta nisin një program të saktë, në mënyrë të njëanshme, për ta zvogëluar pasurimin iranian me limite të caktuara kohore.

Kjo gjë nuk nënkupton një vijë të kuqe që e autorizon ndonjë vend për të shkuar në luftë. Sido që të jetë, vendimi përfundimtar për luftë apo paqe mbetet në duart e presidentit, shkruan ndër të tjera, ish-sekretari amerikan, Henry Kissinger, në shkrimin e botuar në të përditshmen amerikane, Washington Post. (v.k.)