Ndërlidhjet

Politika me përmendore


Shkup...
Shkup...
Politizimi dhe partizimi në skajshmëri i çdo aktiviteti qoftë historik, kulturor e shoqëror është si rezultat i mungesës së kapaciteteve të institucioneve për zgjidhjen e problemeve reale me të cilat përballet popullata në Maqedoni, në veçanti në sferën ekonomike dhe sociale.

Kështu vlerësojnë analistët duke komentuar garën që tashmë një kohë të gjatë po zhvillohet mes partive politike se cila prej tyre po bën “vepra më madhore” për komunitetin që përfaqëson.

VMRO-DPMNE dhe BDI, dy partitë në pushtet, së fundi gjithë aktivitetin e tyre e kanë përqendruar në ndërtimin e përmendoreve, ngritjen e flamujve në shtizat më të larta dhe përurimin e objekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me njërin apo etnitetin tjetër.

BDI-ja aktivitetet e këtilla i ka arsyetuar me shënimin e 100 vjetorit të flamurit dhe të pavarësisë së shtetit shqiptar ndërsa VMRO-DPMNE-ja me programin e saj partiak.

Duke komentuar garën e këtillë, Jonuz Abdullahu, ish-politikan dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë thekson.

Në mungesë të zgjidhjeve për t'u ballafaquar me problemet reale paraqitet një garë mes subjekteve politike se kush do të ngrejë flamurin më lartë, kush do të bëjë përmendoren më të madhe, më grandioze e kështu me radhë".

"Por gjithë kjo garë shkon në kurriz të popullatës në aspekt të ngarkesës me tatime, të rritjes së çmimeve, të aspekteve eurointegruese ku vendi është shumë larg fillimit të dialogut të mirëfilltë për anëtarësim në familjen evropiane
”, thotë profesori Jonuz Abdullahu.

Alajdin Demiri, analist politik, thotë se veprimet e këtilla bartin me vete rreziqe të mëdha pasi në mungesë të alternativave për zgjidhjen e problemeve partitë bëjnë gara me çështjet historike dhe simbolet kombëtare.

Në mungesë të aktiviteteve reale politike, partitë bëjnë mes veti një garë të pakuptimtë. Qëllimi i gjithë kësaj është rritja e tensioneve nacionaliste, qëllimi i gjithë kësaj është zhvendosja e vëmendjes nga situata ekonomike e cila gjithsesi se do të eskalojë dhe natyrisht se kjo nuk do të sjellë asgjë të mirë”, thotë Alajdin Demiri.

Ngjashëm vlerëson edhe Gjorgji Tonovski, profesor i sociologjisë në Universitetin e Shkupit

Në momentin kur shuhet idetë e freskëta apo kur mjegullohet procesi i veprimit politike i partive, atëherë ato kërkojnë formulë të re për dalje nga situata. Një ndër to janë edhe simbolet kombëtare dhe format tjera të veprimit për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve".

"Kjo që po ndodhë ditëve të fundit më përkujton garat që zhvillohen për të hyrë në Librin Ginis të Rekordeve Botërore”, thotë profesori Tonovski duke i rekomanduar partive që të kthehen nga problemet reale, zgjidhja e të cilëve, do të nënkuptonte perspektive për qytetarët e Maqedonisë

Në kohën kur kemi një krizë të përgjithshme në vend partitë insistojnë të tërheqin vëmendja me çështje tjera duke anashkaluar problemet në ekonomi dhe sigurimin e kafshatës së bukës".

"Partitë më nuk mund të thirren në çështje madhore dy kanë qenë të tilla, pavarësia që është arritur dhe integrimi i vendit në strukturat euroatlantike, për këtë të dytën duhet të punohet që të arrihet edhe zhvillimi ekonomik
”, thotë Tonovski.
XS
SM
MD
LG