E premte, tetor 31, 2014 Kosova 17:20

Aktuale

Prishtina nuk rinegocion marrëveshjen për menaxhim të kufirit me Serbinë

Jarinë...
Jarinë...
Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të riformulojë marrëveshjen tashmë të arritur në dialogun teknik me Beogradin për Menaxhim të Integruar të Kufirit.

Ndërsa, Beogradi zyrtar ka iniciuar në Bruksel disa modifikime të marrëveshjes së quajtur IBM, Prishtina zyrtare, në anën tjetër, nuk jep shenja se është e gatshme të rinegociojë mbi marrëveshjet e arritura.

Përparimet në zbatimin e kësaj marrëveshjeje shihen si hap përpara në arritjen e marrëveshjeve të reja në kuadër të dialogut politik që po udhëhiqet nga kryeministrat Hashim Thaçi (Republika e Kosovës) dhe Ivica Daçiq (Republika e Serbisë).

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se kjo marrëveshje është diskutuar edhe gjatë dy takimeve të zhvilluara ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, të mbajtura në Bruksel nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.

“Ne presim që ajo të respektohet në plotëni. Presim që ajo të ndodhë në fillim të dhjetorit dhe presim që ajo të zbatohet sipas interpretimit autentik që e bën Bashkimi Evropian dhe jo dikush tjetër”.

“Në këtë drejtim, kanë filluar punën grupet teknike, ka pasur një hap konkret dhe ne vetëm presim dhe i kryejmë obligimet tona. Në takimin e radhës kryeministri i Kosovës do të shkojë (në Bruksel me kryeministrin Daçiq) me garanci të plota që ne i kemi kryer punët tona dhe me kërkesën e qartë që të kryhen detyrat tjera edhe nga Beogradi”
, tha Kuçi.

Ndërsa, Beogradi ka propozuar edhe një plotësim të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, duke propozuar që në pikëkalimet kufitare të ketë vetëm policë dhe doganierë të EULEX-it, e jo edhe të Kosovës, Kuçi tha se kjo çështje tashmë ka mbaruar dhe se marrëveshja nuk mund të kthehet në diskutim për përmbajtjen, por për zbatimin e saj.

Hajredin KuçiHajredin Kuçi
x
Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
“Ne do të kërkojmë që marrëveshja të zbatohet, ajo tashmë është e arritur dhe vetëm duhet të zbatohet në praktikë. Do të kërkojmë që ajo të zbatohet, është në dorën tonë, por do të kërkojmë edhe nga BE-ja që të kërkojë zbatimin e saj”, deklaroi Kuçi.

Në anën tjetër, Qeveria e Serbisë po ballafaqohet edhe me një lloj trysnie të përfaqësuesve të serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, të cilët kërkojnë që marrëveshja IBM, të mos zbatohet, pasi që ajo, sipas tyre, do të nënkuptonte njohjen shtetësisë së Kosovës.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Marko Jakshiq, kërkoi edhe publikisht nga presidenti serb, Tomisllav Nikolliq, që kjo marrëveshje të mos zbatohet. Në të kundërtën, ai paralajmëroi një rezistencë pasive të serbëve për të mos lejuar zbatimin e saj.

“Në organet e përbashkëta të katër komunave do të ndërmarrim veprime politike, të cilat nuk do të nënkuptojnë luftë, por do të nënkuptojnë një rezistencë të madhe pasive”, deklaroi Jakshiq, duke iu referuar vendimeve që mund të marrin komunat serbe të organizuara paralelisht nga sistemi juridik kushtetues i Republikës së Kosovës.

Marrëveshja për Menaxhim të Integruar të Kufirit, përbën një nga shtatë marrëveshjet e arritura në dialogun teknik Prishtinë - Beograd, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas pritjeve të Prishtinës zyrtare kjo marrëveshje do të duhej të zbatohej nga dhjetori i këtij viti.

Por, nga shtatë marrëveshjet e dialogut teknik, IBM-ja paraqet nyjën kryesore për Beogradin për shkak të interpretimeve se përmes saj po njeh edhe vendosjen e pikëkalimeve kufitare me Kosovën, të cilën Serbia nuk e njeh si shtet.

Sidoqoftë, bashkëpunimi dhe menaxhimi ndërkufitar përbën një nga kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.

Zijadin Gashi

zijadin.gashi+gmail.com

Zijadin Gashi, i lindur më 01 janar 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001.

Twitter
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum