Ndërlidhjet

Arrihet armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit


Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe ministri i Jashtëm egjiptian Mohammed Kamel Amr, më 21 nëntor 2012
Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe ministri i Jashtëm egjiptian Mohammed Kamel Amr, më 21 nëntor 2012
Egjipti njoftoi të mërkurën se është arritur një armëpushim që i jep fund konfliktit ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve.

Ministri i Jashtëm egjiptian, Mohamed Kamel Amr, shpalli njoftimin në një konferencë të përbashkët për gazetarë me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Armëpushimi hyn në fuqi në orën 20 (sipas kohës së Evropës), tha Amr, vendi i të cilit ka qenë udhëheqës i bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit.

“Egjipti ka bërë përpjekje të mëdha… që nga fillimi i përshkallëzimit të fundit në Rripin e Gazës”, u shpreh Amr.

“Këto përpjekje kanë rezultuar me pajtimin për armëpushim dhe për të rikthyer qetësinë dhe për të ndaluar gjakderdhjen, që është parë në periudhën e kaluar”, shtoi ai.

“Egjipti iu bën thirrje të gjithëve që të monitorojnë zbatimin e asaj që është arritur nën ndërmjetësimin e Egjiptit dhe të garantojnë përkushtimin e të gjitha palëve në lidhje me atë që janë pajtuar”, theksoi Amr.

Ndërkaq, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se ky është një moment kritik për rajonin dhe falenderoi udhëheqësit egjiptianë për përpjekjet e tyre në arritjen e armëpushimit.

Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e sotme për një armëpushim në Gaza. Që ajo të respektohet, sulmet raketore duhet te ndalen dhe të kthehet qetësia”, është shprehur Clinton.

Obama përgëzon Netanyahun dhe Morsin për armëpushimin

Presidenti amerikan, Barack Obama, e lavdëroi kryeministrin Benjamin Netanyahu që është pajtuar ta mbështesë planin egjiptian për armëpushim, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti përgëzon kryeministrin që është pajtuar me propozimin egjiptian për armëpushim, derisa ka përsëritur se Izraeli gëzon të drejtën për ta mbrojtur veten”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërkohë, tha se ka pranuar rekomandimet e presidentit Barack Obama mbi propozimet e Egjiptit për armëpushim të luftimeve mes Hamasit dhe Izraelit, për t’i dhënë kështu një shans armëpushimit.

“Pak kohë më parë, kryeministri Benjamin Netanyahu ka folur me presidentin Barack Obama dhe është pajtuar me rekomandimet e tij për t’i dhënë shans propozimit egjiptian për një armëpushim, dhe kësisoj për t’i dhënë një mundësi stabilizimit të situatës dhe qetësimit para se të krijohet nevoja për përdorimin e forcës më të madhe”, thuhet në njoftim.

Ai ka përsëritur se Izraeli do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur qytetarët e vet.

Presidenti Barack Obama ka folur edhe me presidentin egjiptian Mohamed Morsi, të cilin e ka përgëzuar për ndihmën në arritjen e armëpushimit.

Egjipti ka udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund konfliktit që ka lënë të vrarë mbi 140 palestinezë dhe pesë izraelitë, që kur shpërtheu tetë ditë më parë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG