E premte, gusht 29, 2014 Kosova 11:59

Shtypi botëror

WSJ: Falënderimi, 1789

Ilustrim
Ilustrim
Është vështirë të besohet se festa më e preferuar e amerikanëve është burim i polemikave politike. Por, ky ka qenë rasti në vitin 1789, kur Shtetet e Bashkuara kanë festuar për herë të parë Ditën e Falënderimeve.

Gazeta Wall Street Journal kujton se polemika ka nisur më 25 shtator në Nju Jork, në vendin ku atëherë kishte selinë qeveria. Seanca konstituive e Kongresit të parë ishte gati të përfundojë, kur republikani Elias Boudinot nga Nju Xhërsi është ngritur për të propozuar një rezolutë.

Ai i ka kërkuar Dhomës që të krijojë një komitet të përbashkët me Senatin “derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara të rekomandojë për popullin amerikan ditën publike të falënderimeve dhe lutjeve”.

Një ditë e falënderimeve, ka thënë ai, do t’iu mundësonte amerikanëve të shprehin mirënjohjen ndaj Zotit për mundësinë që në mënyrë paqësore të krijojnë qeverinë”.

Rezoluta e Boudinot ka shkaktuar debat të fuqishëm, shkruan Wall Street Journal. Republikani Aedanus Burke, nga Karolina e Jugut, ka shprehur kundërshtimet e tij me arsyetimin se falënderimi është shumë evropian. Atij nuk i pëlqente “ky imitim i zakoneve evropiane”.

Republikani Thomas Tudor Tucker, po ashtu nga Karolina e Jugut, ka shprehur dy kundërshtime të tjera. “Përse presidenti duhet t’i detyrojë njerëzit të bëjnë diçka që ata ndoshta nuk e kanë ndërmend ta bëjnë”, ka pyetur ai. “Nëse Dita e Falënderimeve duhet të ndodhë, atëherë le të bëhet nga autoriteti i disa shteteve”, ka thënë Tucker.

Kundërshtimi i dytë i tij, sipas gazetës, kishte të bënte me ndarjen e kishës dhe shtetit. “Shpallja e Ditës së Falënderimeve është një çështje fetare dhe, si e tillë, ajo na nxjerr jashtë ligjit”, ka thënë Tucker. Ligji i të Drejtave nuk ishte ratifikuar deri në vitin 1791, por Kongresi kishte të miratuar vetëm formulimin e Amendamentit të Parë dhe ai debat ishte i freskët në mendjen e secilit.

Në fund, rezoluta megjithatë ka kaluar – numri i saktë i votave nuk është regjistruar – dhe Dhoma e Përfaqësuesve ka emëruar komitetin. Rezoluta më pastaj është zhvendosur në Senat, ku ka kaluar po ashtu.

Më 3 tetor, kujton gazeta, presidenti George Washington ka proklamuar Ditën e Falënderimeve. Ai ka caktuar të enjten e 26 nëntorit të vitit 1789 si “ditë publike të falënderimeve dhe lutjeve për Zotin, për kujdesin e Tij ndaj popullit të këtij vendi”.

Gazetat kanë publikuar njoftimin dhe festa është kremtuar gjerësisht në mbarë vendin. Për nder të saj, janë mbajtur shërbime të shumta fetare dhe kishat kanë kërkuar donacione për të varfrit, thuhet në artikull.

Atëbotë, Festa e Falënderimeve në Anglinë e Re është kremtuar njësoj si sot, thotë Charles Lyle. Gjeli i detit dhe byreku me kungull kanë qenë në qendër të tryezave.

Tradita e nisur nga George Washingtoni ka mbijetuar pa polemika të tjera. Qysh nga debati i shtatorit 1789, asnjë anëtar i Kongresit nuk është ankuar se falënderimi është shumë evropian ose shkelje e ndarjes së kishës nga shteti, shkruan Wall Street Journal. (v.t.)
Ky forum është mbyllur
Radhitja e komenteve
Komentet
     
Nga : Nexhat Prej : Ferizaj
23.11.2012 20:38
zoti e Bekofte Ameriken Sepse ata na dolen kjrah ne kohet me te veshtira dhe ne ne qdo rast do jemi me Ameriken si me velleyerit tane shqiptar pa dallim .
GOD BLESS AMERIKA