E shtunë, gusht 30, 2014 Kosova 22:13

Monitor

Korrupsioni në nivel lokal, pasojë e mungesës së llogaridhënies

Ilustrim
Ilustrim

Artikujt e ndërlidhur

Politikat e gabuara bllokojnë ekonominë

Ajo që po e pengon zhvillimin ekonomik, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, janë politikat e gabuara ekonomike.
Gati në të gjitha komunat e Kosovës korrupsioni vazhdon të mbetet në nivel të lartë, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile, duke shtuar se parregullsitë më të mëdha bëhen në fushën e prokurimit.

Ata vlerësojnë se paraja publike, mënyra e shpenzimit të parasë publike, është shumë problematike, kur e dihet se 80 për qind e buxhetit të komunave shpenzohet përmes këtyre procedurave.

Përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “FOL”, konsiderojnë se mungesa e transparencës dhe llogaridhënës ka bërë që shumë zyrtarë të komunave të Kosovës të përfshihen në korrupsion.

Petrit Zogaj, nga kjo organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se fokusi i luftimit të korrupsionit vetëm në nivel qendror ka bërë që në nivelin lokal të bëhen shumë parregullsi.

Mungesa e transparencës dhe llogaridhënie ka dërguar zyrtarët e nivelit lokal në afera korruptive, kryesisht në proceset e prokurimit  publik dhe projektet e ndryshme që janë ndërmarrë në komuna. Sigurisht që duke pasur parasysh që strategjia anti-korrupsion, ligjet që lidhen më luftimin e korrupsionit ndërlidhen më shumë me nivelin qendror, ka bërë që niveli lokal të mos jetë shumë në fokus”, thekson Zogaj.

Sa i përket hetimit të rasteve ku dyshohet për korrupsion në fushën e prokurimit, ekspertët e ekonomisë, kishin thënë mjaft kritika. Ata vazhdimisht kanë theksuar se nuk ka pasur shumë raste ku gjykatat kanë hetuar apo ndëshkuar ata persona që kanë kryer një vepër të tillë.

Ata kishin sugjeruar se në përmirësimin e procesit të e prokurimit, duhet të bëhet një auditim i jashtëm.

Zogaj thotë se në bazë të raporteve të organizatës “FOL” për rastet e korrupsionit në të gjitha komunat e Kosovës, ka deri në 5 shkelje të procedurave të prokurimit.

Në disa raste kemi parë që shkeljet janë bërë nga më të ndryshmet. Në komunën e Prizrenit, Suhareksës, Gjilanit, Mitrovicës, po ashtu edhe në komunën e Prishtinës janë bërë 4 deri në 5 shkelje në tender”, shprehet ai.

Në anën tjetër, Asociacioni i Komunave të Kosovës, të cilët për mision kanë krijimin e një qeverisje lokale më efikase, të qëndrueshme dhe demokratike, pavarësisht problemit të madh të dukurisë së korrupsionit nëpër komuna, ky mekanizëm as edhe njëherë nuk e ka diskutuar këtë problem.

Të kontaktuar nga Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Asociacionit të Komunave thonë se me dukurinë e korrupsionit janë njoftuar nga publikimet e raporteve të ndryshme të shoqërisë civile, por që nuk kanë ndërmarrë asgjë për përmirësimin e kësaj gjendje.

Ne nuk kemi diskutuar rreth këtij fenomeni. Ne nuk kemi mekanizma për korrupsion në nivel lokal, nuk bëjmë as analiza as vlerësime, mirëpo në bazë të analizave që bëhen nga institucionet e ndryshme për kënaqshmërinë dhe besueshmërinë ndaj komunave, komunat janë në nivel të lartë. Ne si asociacion kemi punuar sa i përket harmonizimit të rregulloreve komunale për transparencë”, bën të ditur Sazan Ibrahimi, nga ky Asociacion.

Edhe Agjencia Kosovare Kundër-Korrupsion, në raportet e saj pat bërë të ditur se kanë gjetur parregullsi dhe dyshime për konflikt interesi në disa komuna të Kosovës.

Ndërkaq Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që të merren me rastet e korrupsionit edhe në nivelin lokal.

Luljeta Krasniqi - Veseli

krasniqiveseli+gmail.com

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum