Ndërlidhjet

Lufta e ashpër për buxhetin e BE-së


Bruksel...
Bruksel...
Kryeministrat e Bashkimit Evropian takohen në Bruksel, të përgatitur për një luftë që pritet të zgjasë gjatë tërë fundjavës. Duhet të gjendet zgjidhja për buxhetin prej 1 trilion eurosh ë BE-së, për shtatë vjetët e ardhshëm dhe si gjithmonë, ka kundërshtime të mëdha mes shteteve të ndryshme anëtare. Buxheti do të përcaktojë perspektivën e BE-së në vitet e ardhshme.

Çfarë është në lojë gjatë samitit?

Në çka dhe sa duhet të shpenzojë Bashkimi Evropian në periudhën 2014-2020.

Propozimi për buxhetin i Komisionit Evropian arrin në 1.033 trilionë euro, nga të cilat 85 për qind do të vijnë nga shtetet anëtare të BE, kryesisht nëpërmjet taksave të paguara mbi të ardhurat e tyre kombëtare (GNI).

Katër të pestat e buxhetit do të shkojnë drejt Politikës së Përbashkët Bujqësore të BE-së (CAP) dhe Politikës së Kohezionit, që financojnë projektet në pjesët më të varfra të unionit.

Por, negocimi i detajeve, që tani, ka shkaktuar përçarje. Kjo pohohet nga Janis Emmanouilidis i Qendrës së Politikave Evropiane:

Buxheti i përgjithshëm është një për qind e ekonomisë së përgjithshme të BE-së. Pra, tash po luftojmë për një pjesë të vogël të këtij një përqindëshi. Në fund të ditës nuk po flasim për sasi të madhe të parave. Por, është e rëndësishme, sepse në fakt këtu po ndodhin pazare politike. Qeveritë e shteteve anëtare duan që kur të kthehen në vendet e tyre, t’i thonë publikut se kemi luftuar për interesin tonë dhe në fund arritëm kompromisin, që i përshtatet qëllimit tonë”, tha Emmanouilidis.

Nëse ata dështojnë të arrijnë pajtueshmëri deri në fund të vitit, shumë prej projekteve afatgjata të BE-së, veçanërisht në Evropën Qendrore dhe Lindore, mund të ndërpriten.

Pra, kush çka dëshiron?

Mbështetja për buxhetin është ndarë në mes dy grupeve; njëri i njohur si “Miqtë e Kohezionit” bën bashkë vendet që kanë tendencë të marrin më shumë nga buxheti se sa që paguajnë për të. Ky grup dëshiron të rrisë ose të ruajë koston aktuale të shpenzimeve.

Grupi tjetër, “Miqtë e shpenzimeve më të mira,” përfshin kontribuesit më të mëdhenj të buxhetit të BE-së dhe favorizon shkurtimet.

Por, edhe në kuadër të grupit të dytë janë të ndryshme pozicionet. Të ashtuquajturit anëtarët “puristë” si Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia duan të shkurtojnë 200 miliardë euro nga propozimi i komisionit aktual, shumë kjo, që sipas Gjermanisë është shumë e lartë.

Franca është për shkurtime, por dëshiron që të mos preken shpenzimet bujqësore- një dëshirë e përbashkët me anëtarët e “Miqve të kohezionit” ku hyn Polonia, por edhe Greqia dhe Portugalia, të cilat natyrisht duan të ruajnë një buxhet të fryrë, për të ringjallur ekonomitë e tyre.

Pastaj ka vende nga të dy grupet, që duan që buxheti të përqendrohet më shumë në inovacion dhe në shkencë, e këtu hyjnë Estonia, Letonia dhe Danimarka.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ekzistojnë edhe institucionet e BE-së, të cilat janë vendosmërisht në anën e “Miqve të kohezionit”, siç ka deklaruar së fundi presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso.

Instrumenti më i rëndësishëm që kemi në nivel evropian për investimin në rritjen ekonomike është buxheti. Pra, të shohim tani nëse qeveritë, që gjithmonë thonë se rritja ekonomike është e një rëndësie jetike, janë të gatshme të arrijnë kompromis mbi instrumentin më të rëndësishëm për investime”, ka thënë Barroso.

Çfarë ka gjasa të ndodhë?

Ekziston shansi që të mos arrihet ndonjë marrëveshje, pasi që shumë vende tashmë kanë kërcënuar se do ta përdorin veton, nëse nuk arrijnë atë që duan.

Herman Van Rompuy, Presidenti i Këshillit Evropian, ka qarkulluar një projekt-buxhet me shkurtime prej 75 miliardë eurosh, nga ai që ka propozuar Komisioni - 30 miliardë euro nga të cilat janë ndarë baraz në mes të shpenzimeve bujqësore dhe politikës së kohezionit.

Në fund, shumë do të varet nga kryeministri britanik David Cameron. Ai përballet me presionin nga Londra, ku partia e tij Konservatore dhe opozita presin që ai të mbetet i palëkundur, por edhe në Brukseli ku shumë shtete anëtare kanë hezitime ndaj shkurtimeve të mëdha të buxhetit.

Cameron para takimit ka shfaqur pakënaqësinë e tij.

Nuk jam i kënaqur aspak ( me propozimet e fundit buxhetore). Këto janë negociata shumë të rëndësishme. Në kohën kur po marrim vendime të vështira në vendin tonë, mbi shpenzimet publike, do të ishte gabim, është gabim, që të ketë propozime për rritjen e shpenzimeve në BE. Andaj ne do të zhvillojmë negociata shumë të vështira për një marrëveshje të mirë për taksapaguesit britanikë dhe për taksapaguesit evropianë”, tha kryeministri David Cameron.

Për t’ia ëmbëlsuar marrëveshjen Britanisë, ulja e buxhetit të saj, duket se do të mbetet e paprekur. Kjo do të thotë Londra mund të marrë afër 4 miliardë euro nga buxheti i BE-së, sepse vendi edhe ashtu merr sasi të tilla të vogla të subvencioneve bujqësore nga Brukseli.

A do të preket politika e jashtme e BE-së?

Politika e jashtme do të marrë këstin prej rreth 70 miliardë eurosh për shtatë vitet e ardhshme, në bazë të propozimeve. Kjo është rreth 15 miliardë euro më shumë sesa në buxhetet e kaluara, por më pak në terma praktikë( nëse merret parasysh inflacioni). Me BE-në, që dëshiron të luajë një rol më të madh në botë, shuma është një numër zhgënjyes.

Bendedicta Marzinotto e Bruegel thotë se arsyeja është e qartë -kriza ekonomike në Eurozonë.

Mendoj se nuk është vështirë që të kuptohet politikisht se pse po ndodh kjo. Kjo për shkak se kriza e ka bërë Evropën që të shikojë më shumë përbrenda sesa më parë”, tha Marzinotto.(a.i.)
XS
SM
MD
LG