E martë, shtator 16, 2014 Kosova 17:28

Bota

Përfundon pa marrëveshje samiti i BE-së

Pamje nga takimi...
Pamje nga takimi...
RFE /RL
Samiti i Bashkimit Evropian, që kishte për qëllimi pajtimin për buxhetin shtatëvjeçar të bllokut, përfundoi pa marrëveshje.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, tha se duhet edhe më shumë punë para se të arrihet konsensusi. Por, ai theksoi se beson në një marrëveshje, që do të mund të arrihet në fillim të vitit të ardhshëm.

Takimi dyditësh në Bruksel, përfundoi të premten, pasi që liderët e 27 vendeve anëtare, dështuan të arrijnë marrëveshje për bisedimet mbi buxhetin 1 trilionësh për periudhën 2014-2020.

Në mes të rritjes së ngadaltë ekonomike dhe masave të ashpra në shumë shtete, Britania, Gjermania dhe kontribuuesit tjerë kryesorë kërkonin shkurtim të shpenzimeve.

Franca, ndërkohë, kërkon vazhdimin e mbështetjes për bujqësinë dhe programet zhvillimore për vendet e varfra të BE-së. 

Polonia dhe vendet e tjera ish-komuniste, duan që buxheti për vitin 2014-2020 të mbetet në nivelet aktuale, apo edhe të rritet.

Këto vende përfitojnë nga fondet e BE-së për zhvillimin e infrastrukturës - mjete këto të njohura si shpenzime të kohezionit.

Shpenzimet e kohezionit dhe bujqësia janë pikat më të mëdha të projekt-buxhetit, të cilat llogariten në 32 për qind, përkatësisht në 37.5 për qind të shpenzimeve.

Komisioni Evropian fillimisht kishte bërë thirrje për një buxhet edhe më të madh.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel duke folur në një konferencë për gazetarë në fund të samitit, tha se ekziston “potenciali” për marrëveshje.

Angela Merkel dhe David CameronAngela Merkel dhe David Cameron
x
Angela Merkel dhe David Cameron
Angela Merkel dhe David Cameron
“Diskutimet tona bilaterale dhe gjithashtu bisedimet tona gjatë mesditës kanë treguar se ka potencial për një marrëveshje, kështu që mendojmë se është e mundur që në fillim të vitit të ardhshëm të arrijmë një marrëveshje”, u shpreh Merkel.

Kryeministri britanik, David Cameron, në një konferencë tjetër për gazetarë, këmbënguli në shkurtime të shpenzimeve.

"Ne kishim një diskutim të mirë. Mendoj se ne i kuptojmë çështjet dhe pozicionet e njëri-tjetrit shumë mirë, por sinqerisht, marrëveshja në tryezë e ofruar nga presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy, nuk ishte mjaft e mirë. Nuk ishte e mirë për Britaninë, por as për një numër shtetesh tjera, përfshirë edhe Gjermaninë, Suedinë, Holandën, Finlandën dhe Danimarkën”, tha Cameron.

Secili nga 27 shtetet anëtare ka të drejtën e vetos mbi buxhetin.(a.i.)
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum