E shtunë, gusht 30, 2014 Kosova 12:10

Kronika

Dhuna ndaj grave, në rritje

Ilustrim
Ilustrim
Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë. Sipas zyrtarëve që merren me mbrojtjen e grave, 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat.

Vetëm në vitin 2011, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, janë paraqitur 1042 raste të dhunës në familje, prej tyre 813 femra.
 
Në një temë diskutimi të premten të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe përkrahur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, është thënë se dhuna ndaj grave është një temë që është shumë e pranishme në shoqërinë kosovare.

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, tha për Radion Evropa e Lirë se ka përpjekje për luftimin e kësaj dukurie.

Sami KurteshiSami Kurteshi
x
Sami Kurteshi
Sami Kurteshi
“Ka një përpjekje prej gjykatave, policisë, me gjithë lëshimet që ne i bëjmë, megjithatë ka lëvizje pozitive. Statistikat që ne posedojmë, nuk janë të sakta, meqë nuk paraqiten të gjitha rastet, ne merremi me rastet kur viktima nuk është e kënaqur me veprimet e institucioneve tjera publike. Andaj statistikat tona janë të reduktuara”, tha Kurteshi.

Në bazë të statistikave që posedon Policia e Kosovës, në mbi 90 për qind të rasteve të dhunës në familje, gratë janë të papunësuara dhe janë të varura ekonomikisht, janë në nivel të ulët të arsimit dhe nuk kanë ndonjë kurs të aftësimit të tyre, andaj  këto viktima mbesin çdo herë të varura.

Ndërkaq, Behxhet Shala, udhëheqës i Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, tha për Radion Evropa e Lirë se kohët e fundit dhuna në familje ka shënuar rritje.

“Ky fenomen, fatkeqësisht, kohëve të fundit ka treguar një rritje të madhe dhe ka marrë përmasa shqetësuese. Institucionet kanë përpiluar strategji, por që ajo nuk ka treguar efikasitet, meqë numri është në rritje”, theksoi Shala.
 
Dhuna në familje në Kosovë, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, është cilësuar si një problem mjaft shqetësues. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se qëndrimet tradicionale shoqërore ndaj femrave në shoqërinë e dominuar nga meshkujt, i kanë kontribuar nivelit të lartë të abuzimit në familje dhe numrit të vogël të rasteve të raportuara.

Ndryshe, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, parimet e të drejtave të njeriut dhe kornizën ekzistuese ligjore në Kosovë, institucionet janë të obliguara për të hetuar, ndjekur dhe dënuar kryerësit e veprave të dhunës në familje, në të njëjtën kohë duke ofruar zgjidhje efektive për viktimat.

Në Kosovë ekziston Ligji kundër dhunës në familje, si dhe Strategjia dhe Plani i veprimit kundër dhunës në familje.

Por, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, të drejtat e grave mbrohen vetëm në baza ligjore, ndërkohë që në praktikë ato janë larg standardeve ndërkombëtare.

Edhe Behxhet Shala pohon se me gratë, të cilat janë viktima të dhunës, më shumë po merren organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë, sesa institucionet shtetërore.

“Institucionet që merren me gratë, ndaj të cilave ushtrohet dhunë, janë organizatat joqeveritare, ato që e ruajnë rolin e identifikimit të dhunës dhe disa kanë hapur edhe strehimore, ku përkohësisht i strehojnë ato gra që janë viktima të dhunës, dhe e humbin vendin ku kanë jetuar më parë”, sqaron Shala.

Këtë vit, nga muaji janar deri në shtator, sipas zëdhënësit të Policisë, Brahim Sadriu, numri i rasteve të raportuara si dhunë në familje arrin në 749.

Ariana Kasapolli - Selani

arianakasapolli+gmail.com

Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum