E enjte, korrik 24, 2014 Kosova 06:13

Bota

SHBA: Tre të plagosur nga zjarri në Departamentin e Shtetit

Uashington
Uashington
RFE /RL
Tre punëtorë të mirëmbajtjes janë plagosur seriozisht nga zjarri në selinë e Departamentit Amerikan të Shtetit në Uashington.

Zyrtarë të shërbimeve të emergjencës thanë se një person ka pësuar plagë të rrezikshme në zjarrin që ndodhi sot në mëngjes, ndërsa dy të tjerët po ashtu kanë marrë lëndime serioze, por nuk janë në rrezik për jetë.

Të tre të plagosurit gjenden në spital.

Sipas njoftimeve të zyrtarëve, punëtorët me pajisje zjarrfikëse të dorës ia dolën ta fikin zjarrin, para se të arrinte njësiti i zjarrfikësve.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Victoria Nuland, nëpërmjet një kumtese, tha se zjarri shpërtheu derisa punëtorët po kryenin punë rutinore të mirëmbajtjes në hapësirën mekanike të ndërtesës.

Në kumtesë thuhet se ndërtesa ishte evakuuar, por më vonë është rihapur normalisht.

Lidhur me rastin dhe shkaqet e shpërthimit tw zjarrit, zyrtarët  thanë se janë duke u zhvilluar hetime. (f.b.)