Kryeministri i Kosovës,
Hashim Thaçi, e ka cilësuar të padrejtë arrestimin e njërit nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, deputet dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.
Në ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, zoti Thaçi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’i arrestojë luftëtarët e lirisë së Kosovës dhe as EULEX-i, siç tha ai, “prapa shpinës së institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“
Askush nuk ka të drejtë të njollos luftën e UÇK-së, e as EULEX-it tinëz dhe prapa shpinës së institucioneve të arrestojë luftëtarët tanë, si deputetin Fatmir Limaj. Kjo është fyerja më e rënd në këto ditë feste”, ka thënë Thaçi.
Një veprim të tillë, ai e ka cilësuar "të papranueshëm dhe fyerje për drejtësinë".
Gjykata Supreme e Kosovës
i ka caktuar deputetit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Masa e paraburgimit për deputetin Limaj dhe tre të tjerë të akuzuar, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala ka të bëjë me rastin e njohur si “Kleçka”,që ndërlidhet me akuzat për krime lufte.
Për këtë rast, Limaj dhe të tjerët ishin shpallur të pafajshëm gjatë një procesi paraprak gjyqësor, por ishte EULEX-i më pas që kërkoi rikthimin e gjykimit në Gjykatën Supreme.
Zhbogar: "Vendimi nuk është politik"
Në anën tjetër, përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë,
Samuel Zhbogar, ka thënë se e kupton ndjeshmërinë dhe emocionet lidhur me rastin e fundit të EULEX-it, por ka kërkuar nga politikanët dhe institucionet politike, që, për çështje parimore, t’iu shmangen komentimeve për rastet që vazhdojnë.
Samuel Zhbogar
“
Parim themelor i çdo shoqërie moderne, demokratike është mosndërhyrja në proces gjyqësor. Gjykatësit veprojnë në mënyrë të pavarur, prokurorët veprojnë në mënyrë autonome dhe të akuzuarit janë të pafajshëm derisa të dëshmohet fajësia e tyre".
"
Vendimet e prokurorëve dhe gjykatësve të EULEX-it kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë të motivuara politikisht”, thuhet në deklaratën e zotit Zhbogar.
Edhe zyrtarët e EULEX-it, i kanë hedhur poshtë deklaratat se ky rast, por edhe rastet tjera, të kenë pasur ndikim politik.
Bardha Azari nga zyra për informim e këtij misioni tha se “ky rast nuk ka asnjë lloj motivacioni politik, dhe se vendimet janë vetëm të gjykatës”.
“
Gjykatësit dhe prokurorët tanë janë komplet autonom dhe të pavarur dhe ata i zhvillojnë ndjekjet penale dhe gjykimet e veta në bazë të ligjit. Ata operojnë sipas parimit të pavarësisë se gjyqësorit dhe gjyqësori nuk influencohet prej asnjë nga aktorët vendorë apo ndërkombëtarë apo institucionet e tjera, siç e kërkon dhe ndarja e pushteteve”, tha Azari.
Mbrojtja dorëzon ankesën
Nga ana tjetër,
avokatët mbrojtës kanë dorëzuar sot ankesën kundër vendimit të gjykatës, duke thënë se mbi këtë vendim rëndon një pikëpyetje e madhe ligjore.
Avokati,
Mahmut Halimi, i cili mbron të akuzuarin
Nexhmi Krasniqi, tha se ankesa i është dorëzuar Gjykatës Supreme dhe pret që kolegji i gjykatës të vendosë në lidhje me të.
“
Ajo që është shumë shqetësuese, është se ky rast është marrë me një shpejtësi marramendëse ne veprim. Është komunikuar vendimi dhe është lëshuar urdhëresa për arrest. Gjyqtari nuk e ka vendimin e Gjykatës Supreme, nuk e ka formën e shkruar, nuk e ka asnjë fletë të shkresave të lëndës".
"Kjo të shtyn në dyshimin se kjo sjellje e organeve gjyqësore të EULEX-it dhe prokurorisë janë të ndikuara jashtëzakonisht rëndë dhe në mënyrën më të pajustifikuar politikisht”, ka thënë Halimi për Radion Evropa e Lirë,
Kurse, avokati i deputetit Fatmir Limaj,
Tahir Rrecaj, tha për Radion Evropa e Lirë se pas dorëzimit të ankesës, në gjykatë, pret që ankesa e mbrojtjes të aprovohet dhe të ndryshohet aktgjykimi gjykatë së shkallës së parë.
“
Pres që ankesa të aprovohet dhe zoti limaj të lëshohet dhe të mbrohet në liri, sepse nuk ekziston absolutisht anjë nga arsyet ligjore per caktimin e mars së paraburgimit. Kjo është një dicka absurde është dika skandaloze është dëshpëruese, dhe është hera e parë që jam dëshpëruar në profesioni tim si avokat me një vendim të tillë".
"
Do të ishte kënaqësi për gjithë qytetarët e Kosovës sikur ne t’i kishim gjykatat efikase sic ka kanë vepruar në këtë rast konkret. Kjo i ngrit dyshimet e mia se ka ndikime interferenca politike nga jashtë”, tha Rrecaj.
Në aktakuzën e ngritur supozohet se “krimet e luftës janë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë”.