E shtunë, nëntor 01, 2014 Kosova 11:22

Kronika

Koordinatori “i panevojshëm” politik

Blerim Shala
Blerim Shala
Grupit të zyrtarëve kosovarë të përfshirë në dialogun me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që nga e enjtja u është shtuar koordinatori politik për këtë proces.

Emërimi në këtë post i deputetit nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, u bë nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, pa dhënë detaje mbi rolin e Shalës në dialogun aktual.

Që nga marsi i 2011-ës kur dhe nisi dialogu teknik i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova përfaqësohej nga zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ndërsa që nga 19 tetori rolin kryesor në bisedimet me palën serbe e ka kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë e quajnë të panevojshëm postin e koordinatorit të dialogut duke thënë se veprimi vjen për shkak të lëvizjeve të brendshme politike.

Shpend Kursani nga nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, tha se mbështetja e deritashme të cilën AAK-ja ia ka bërë qeverisë së vendit lidhur me dialogun me palën serbe është “shpaguar” me postin e koordinatorit të dialogut.

Ky është një lloj shpagimi për këtë përkrahje nga e qeverisë për AAK-në. Në të njëjtën kohë, tregon që AAK-ja me PDK-në, natyrisht nëse eventualisht do të krijohet ndonjë qeveri e re, ky përafrim në njëfarë mënyre të jetë si simbol i një aleance të ardhshme që mund të jetë në mes të PDK-së dhe AAK-së”, u shpreh Kursani.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kundërshtuan krijimin e postit të koordinatorit duke e quajtur të panevojshëm për ecurinë e bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Shala, i cili refuzoi ftesën e Radios Evropa e Lirë për të komentuar rolin e tij në bisedimet aktuale, ishte koordinator i Ekipit të Unitetit në negociatat e zhvilluara nga 2006 ndërmjet Kosovës e Serbisë në Vjenë.

Analisti, Ismail Hasani, tha se përfshirja e një koordinatori në dialogun aktual kthen Kosovën prapa në kohën kur nuk i kishte institucionet e saja shtetërore.

Në kohën kur kemi institucionet, kemi edhe përgjegjësinë e adresuar të qeverisë përkatësisht të kryeministrit si negociator i drejt për drejt me kryeministrin e qeverisë serbe, mendoj se kjo është një sjellje do të thosha parapolitike, e cila nuk është dashur t’i ndodhë Kosovës”, u shpreh Hasani.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë pritet të vazhdojë gjatë muajit dhjetor me takimin e tretë ndërmjet kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi, atij serb, Ivica Daçiq dhe përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Catherine Ashton.

Në kuadër të dialogut të deritashëm janë arritur një varg marrëveshjesh si ajo për lirinë e lëvizjes, përfaqësimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufirit, por nuk është bërë ende zbatimi i plotë i tyre në terren.
Ky forum është mbyllur
Komentet
     
Nuk ka komente në këtë forum